Ndonëse jo fort e konfirmuar nga autoritetet zyrtare, duhet thënë se Kavaja dhe Laçi nuk kanë patur një mbulim të madh mediatik. “Në Kavajë janë pesë pallate në rrezik shembje dhe 120 shtëpi të dëmtuara nga tërmeti! Qeveria shpall gjendjen e emergjencës vetëm në Tiranë dhe Durrës e nuk thotë asnjë fjalë për Kavajën duke sjellë edhe mos praninë e mediave në qytet! Nga ana tjetër, mediave as që u intereson gjendja e Kavajës ndonëse Kavaja ishte 17 km larg epiqendrës, ndërsa Tirana plot 41,” ngre shqetësimin dikush.
Duket se banorët e Kavajës po përballen me rrezikun e shembjes së pallateve dhe banesave dhe është me të vërtetë shqetësuese. Kryeministri Rama shpalli gjendjen e emergjencës për qarkun e Tiranës dhe Durrësit dhe në këtë pikë është ende e paqartë si në Kavajë mungon mbulimi mediatik. Ju kujtojmë që te Qarku i Tiranës bën pjesë rrethi i Tiranës dhe ai i Kavajës.
Situatën kaotike në Kavajë e vërtetoi edhe kryetari i Bashkisë, Redjan Krali. Ai tha për Ora News se në total janë 20 banesa që janë shembur, ndërsa 6 pallate janë dëmtuar.
Po e njëjta situatë duket edhe në disa lagje të Laçit. “Jam një banore e qytetit të Laçit, përkatësisht në lagjen nr.5 Sanxhak. Sapo u informova nga familjarët e mi që edhe shtëpia e prindërve të mi është shumë e dëmtuar në Laç. Janë të paktën shtatë pallate të shpallur të pabanueshëm që ju është vënë shiriti dhe shumë shtëpi private,” shkruan një ndjekëse në @anabel_hostel, në Instagram.
Anabel.al u përpoq të kontaktonte me bashkinë e Kurbinit, por deri në këto momente (e enjte, ora 20:20) nuk kemi marrë ende një përgjigje.