Dje mbrëma, rreth mesnatës, Florjan Binaj vendosi të shprehet rreth zhgënjimit që përjetoi pasi pa një program të ri në televizionin ku punon. Me fjalë të tjera, “Aventurierët” në Top Channel që dje pati premierën.
“TV duhet të edukojë njerëzit, shikuesit, ndjekësit, sidomos rininë e cila do pika orientimi dhe frymëzimi.
Sot u zhgënjeva jashtë mase nga një program që po jepet në televizionin ku punoj. Dëshpërim që sot në TV promovohen antivlerat dhe jo vlerat. Kjo do i hapë rrugën një udhe pa krye...” shkruajti aktori në Instagram.
“Aventurierët” është një reality show me protagonistë shtatë të rinj që nisen drejt Spillesë për të jetuar në një shtëpi dhe për të punuar në një bar pranë plazhit. Atyre nuk u lejohen telefonat, rrjetet sociale dhe duhet të ndjekin urdhrat e menaxherit.
Komentet nën episodin e parë, postuar në YouTube, janë pak a shumë në të njëjtën linjë me mendimin e Florjan Binajt, por nga ana tjetër, ka grumbulluar 43 mijë shikime. Mund të mos jetë edukativ, por është argëtues. Shihni e bëni, gjykojeni vetë.