
Lori Hoxha, vajza e themeluesit të Top Media-s, të ndjerit Dritan Hoxha, tregon për herë të parë gardërobën e saj për revistën “Anabel”. Nëse mendonit se trashëgimtarja e medias më të fuqishme në vend ble vetëm firma, gaboheni! Në një nga intervistat më interesante “fashion”, 18-vjeçarja inteligjente na rrëfen për shijet e saj, që variojnë nga Topshop deri tek Louboutin, dhe jep këshilla se si të dukemi bukur pa zbrazur kuletën.
Si e përkufizon stilin tënd?
Stili im ndryshon vazhdimisht, por do të thosha që është shumë i guximshëm dhe njëkohësisht i pamundimshëm. Më pëlqen çdo gjë me kafka, me perçina dhe me coha që bien në sy.
Nga se je ndikuar?
Nga njerëz në vende të ndryshme. Në jetën time, kam pasur mundësinë të vizitoj shumë vende të veçanta dhe, duke parë se si vishen njerëzit në vende të ndryshme të botës, kjo ka ndikuar në stilin tim personal. Vendi që ka përcaktuar më shumë stilin tim të veshjes është Londra.
Mund të përshkruash një veshje apo bizhuteri që e ke parë në fëmijëri dhe të ka pëlqyer shumë?
Më kujtohet paksa që, kur isha 5 ose 6 vjeçe, shkova në një dyqan “Disney” me mamin dhe doja të blija fustanin e Hirushes, por ajo nuk ma bleu. Mbaj mend që qava për orë të tëra e madje e pashë dhe në ëndërr. Gjithmonë kam dashur të bëhem princeshë dhe ai m’u duk si çasti i duhur!
Ti ke jetuar në Itali dhe tani në Tiranë. Cili është ndryshimi mes këtyre dy stileve të veshjes? Çfarë sheh këtu që s’e gjen në Itali, për sa i përket stilit?
Dua të saktësoj se kam jetuar në Romë, e cila ndryshon nga qytetet e tjera të Italisë, si Firencja dhe Milanoja. Ndryshe nga mendimi i shumë njerëzve, unë s’e konsideroj Romën si qytet të modës, sepse atje të gjithë vishen shumë thjesht dhe njësoj, gjë që më ka zemëruar gjithmonë, sepse janë pikërisht ata që e bëjnë modën dhe po ata kanë frikë të guxojnë! Në Tiranë shoh që femrat duan të jenë ndryshe dhe përpiqen të ndjekin modën. Meshkujt, nga ana tjetër, duhet të kuptojnë se nuk mjafton vetëm të veshësh rroba firme!
Po të kishe mundësi të vishje një palë këpucë gjatë gjithë jetës, cilat do të ishin? Uggs apo Louboutin 12 cm?
LOUBOUTIN 12 cm! Edhe për të lindur, do të shkoja e veshur me Louboutin, betohem! Më pëlqejnë shumë Uggs-ët e mi, por jeta është shumë e shkurtër për të qenë gjithmonë rehat!
Cili është kombinimi yt i preferuar për një të hënë të zakonshme casual?
Uniforma e shkollës dhe, po s’pata veshur atë, atëherë xhinse, bluzë të gjerë, Uggs, çantë të madhe dhe gjithmonë një shall. The " it" girl Lori Hoxha, vajza e themeluesit të Top Media-s, të ndjerit Dritan Hoxha, tregon për herë të parë gardërobën e saj për revistën “Anabel”. Nëse mendonit se trashëgimtarja e medias më të fuqishme në vend ble vetëm firma, gaboheni! Në një nga intervistat më interesante “fashion”, 18-vjeçarja inteligjente na rrëfen për shijet e saj, që variojnë nga Topshop deri tek Louboutin, dhe jep këshilla se si të dukemi bukur pa zbrazur kuletën
Çfarë të pëlqen të veshësh gjatë një mbrëmje jashtë?
Jam e fiksuar pas lëkurës! Jam dashuruar me pantallonat e lëkurës qëkur Victoria Beckham i bëri elegante dhe i adhuroj ato, të veshura me një bluzë të bardhë të thjeshtë dhe xhaketë. Megjithatë, mendoj se nuk gabon kurrë me një fustan të vogël të zi dhe me taka të larta.
Je blerëse e vështirë apo ble direkt nga vitrina?
Varet nga çmimet.
Po të kishe mundësi të blije një veshje apo aksesor vintage, cila do të ishte?
Më pëlqejnë më shumë bizhuteritë dhe aksesorët vintage! Rashë në dashuri me një çantë Chanel kur isha në Londër, por mamit s’i pëlqeu çmimi aq sa më pëlqeu mua çanta!
Të kemi parë me një Hermes Birkin blu të ndezur. Ajo ka qenë një çantë që mbahej nga femrat rreth moshës 30-40-vjeçare, por Victoria Beckham dhe Kim Kardashian e bënë trendy këtë çantë duke ia adresuar një target-grupi më të ri në moshë. Kishin Hermes me vete kudo, madje edhe në palestër apo plazh! Je një njeri i ndikuar nga këto dy personazhe të njohur?
Duhet ta pranoj se Victoria Beckham ka ndikuar në dashurinë që kam për Birkin-in, sepse ajo i mban me shumë klas. S’do të gënjej: duket e tepruar të mbash një çantë Birkin në moshën time, por jam me fat që jam vajza e madhe e familjes dhe kam përparësi për të marrë çantat e mamit. Po, Birkin-ët i përkasin të gjithë mamit dhe ajo është 43 vjeçe (shumë e madhe për të mbajtur një Birkin, mendoj (qesh)! Prandaj i marr unë. Mami ka disa, por diçka karakteristike e kësaj çante është se mund ta kombinosh me çdo gjë. E kam mbajtur një Birkin me kostum sportiv dhe me fustan elegant. Shkon shumë me të dyja stilet. Mendoj se ajo çantë ka diçka magjike!
Ke besim te kombinimet e lira me të shtrenjtat apo mendon se të gjitha veshjet duhet të jenë luks?
Absolutisht po! Më pëlqejnë shumë dyqanet si Zara dhe Topshop, ku blej 99 % të rrobave të mia. Shkoj në dyqanet e firmave vetëm për të blerë këpucë, çanta ose fustane për raste të veçanta. Mendoj se luksin mund ta krijosh edhe në high street, mjafton të gjesh kombinimin e duhur. Nga ana tjetër, mund të dukesh e veshur keq edhe nëse je e veshur me firma nga koka te këmbët.
Cilat mendon se janë investimet e duhura në një gardërobë?
Fiksimi që kam për këpucët, më shtyn të them: KËPUCË! Këpucët janë gjithmonë një investim i mirë, aq më tepër nëse janë të thjeshta e mund të vishen disa herë pa rënë në sy. Mendoj se çdo femër duhet të ketë një palë Louboutin të zeza klasike në gardërobën e saj. Gjithashtu, mendoj se çdo femër ka nevojë për një çantë klasike, që i jep bukuri veshjes. Nga ana tjetër, mendoj se mund të kesh veshje shumë të bukura, pa paguar shumë, pasi shumica e dyqaneve high street rikrijojnë modelet e veshjeve të pasarelave në mënyrë të përkryer. Është humbje parash të blesh rroba shumë të shtrenjta, të cilat i vesh vetëm një apo dy herë.
A mund të kesh stil, pa qenë i pasur?
PO, PO, PO! Të kesh para, s’do të thotë që ke stil!
Në mbrëmjen gala për përvjetorin e Top Channel-it, ti veshe Fausto Puglisi, i cili së fundmi stiloi fustanin e përfolur për keq të Belen Rodriguez-it në “Sanremo”. Ai ka stiluar gjithashtu për Madonna-n dhe Beyonce-n. Në një intervistë për “Pasdite në Top Channel”, the se fustani yt ishte i bërë me porosi. Ç’do të thuash me këtë? Cila është procedura që duhet ndjekur për të bërë një fustan me porosi nga një stilist i famshëm? Ai ishte fustani yt i vetëm i bërë me porosi? A fute ndonjë ide tënden në model?
Në Romë jam bërë kliente e rregullt dhe mikeshë e ngushtë me menaxheren e një dyqani që quhet “Eleonora”. Mes shumë stilistëve që shesin, ata kishin dhe veshje të Puglisi-t. T’i bie shkurt, kur po shkoja me pushime me familjen, ndalova 4 orë në Romë dhe dola nga aeroporti për të parë nëse butiku kishte marrë ndonjë gjë të re, ku pashë, provova dhe rashë në dashuri me një fund të ngjashëm me atë që kisha veshur në mbrëmjen gala. (Po ishte fund, jo fustan, së bashku me një bodysuit, por duke qenë se ishte shumë ftohtë, e vesha me atë bluzën dhe me varësen, me të cilat dukej si komplet. Nuk e bleva në vend, sepse kushtonte më shumë nga ç’ma lejonte buxheti dhe u thashë se do t’i merrja në telefon në rast se do ta blija. U nisa për udhëtim shumë larg shtëpisë dhe u ktheva ditën e gala-së, prandaj s’pata kohë të gjeja një fustan tjetër. E binda mamin dhe i mora në telefon ata të dyqanit për t’u thënë se do ta merrja, por e kishte blerë dikush tjetër. U zhgënjeva aq shumë, sa pronari i dyqanit kontaktoi me stilistin dhe bënë një të ngjashëm me përmasat e mia brenda 72 orëve! Ndryshimi i vetëm ishte vendosja e zinxhirit, pasi i imi e kishte në bel, ndërsa ai që kisha provuar, e kishte te bordura e fundit.
Je e dhënë pas çantave apo pas këpucëve?
Unë jam një njeri shumë i dhënë pas këpucëve, edhe pse më pëlqejnë shumë dhe çantat. Mendoj se Christian Louboutin-i është gjeni dhe më bën të ndihem sikur po eci mbi një vepër arti shumë të rehatshme. Këpucët që vesha në “Top Fest 8” janë një model i zi Satin Daffodile, që kanë takën më të lartë të Louboutin-it. Edhe pse të parapëlqyerat e mia janë Daffodile Brodee (i kam veshur në një nga fotot e mia), të cilat janë collector’s pair, dhe m’u desh shumë kohë që t’i gjeja. Prapë nuk gjeta numrin tim, por i mora një numër më të madh. Do të doja shumë që një ditë të kisha Daffodile Strass me kristale. Në fakt, mendoj se do të jenë këpucët e dasmës sime (qesh).
Babai yt ishte shumë vizionar dhe mjaft kërkues kur bëhej fjalë për imazhin. Thoshte fjalën e tij për gjithçka që shfaqej në Top Channel, madje dhe për veshjet e folësve të lajmeve. A je e mendimit që ai kishte shumë stil dhe sy të mprehtë për të bukurën?
Im atë është ai që kam si pikë referimi për gjithçka, përfshi dhe ndjesinë për stilin e veshjes. Ai ishte perfeksionist dhe u kushtonte shumë vëmendje detajeve. Është e vërtetë. Më kujtohet që, kur uleshim dhe shikonim televizor, ai nxehej, sepse vija e ngushtë e këmishës së folëses nuk shkonte me xhaketën e saj. Mendoj se kjo e bënte tim atë të veçantë nga të tjerët: vëmendja ndaj detajit, edhe pse nuk kishte aq besim në vetvete kur vinte puna për stilin e tij personal. Më kujtohet si dje kur më thërriste në dhomën e tij që t’i thosha si dukej. Gjithmonë dukej mirë!
Të ka lënë të lirë për të zgjedhur stilin tënd?
Shumicën e rasteve, po. Mendoj se gjithmonë kishte frikë se po rritesha shpejt dhe sa herë që vishja fustane, më thoshte se ngjaja më bukur e veshur si çun.
Ti ke dy motra dhe një vëlla më të vogël. E ngacmojnë gardërobën tënde apo kanë tjetër stil?
Haha, pyetje me vend! Ky problem më ka filluar këtë vit. Kam qenë gjithmonë trup vogël, kurse Sara ka qenë gjithmonë më e gjatë dhe më me forma se unë, prandaj kjo gjë s’ka qenë problem. Stilin e Sarës do ta quaja shumë të thjeshtë dhe të rehatshëm, por gjithsesi të guximshëm. Redia, nga ana tjetër, prej dy vjetësh, ndjek stilin e Justin Bieber-it. Vesh pantallona, këmishë dhe këpucë si të Justin Bieber-it, kështu që s’ka pasur interes për rrobat e mia. Por shoh se së fundmi po heq dorë nga ajo mënyrë të veshuri dhe ka filluar të më kërkojë këshilla se çfarë të veshë, gjë për të cilën duhet të them se më bëhet qejfi.
Ti ke qenë dhe do të jesh gjithmonë një pjesë e rëndësishme e televizionit Top Channel, pavarësisht nëse vendos të dalësh para kamerave apo të qëndrosh në prapaskenë. Na thuaj të vërtetën: kur sheh prezantueset në televizor (jo vetëm në TCH), ç’mendim ke për mënyrën se si vishen? Kush mendon se vishet më mirë? Çfarë stili do të doje të shihje më shumë në televizion?
Sinqerisht, mendoj se ka vend për përmirësim për të gjithë prezantuesit. E teprojnë shumë me flokët, me bizhuteritë, me grimin. Duhet të kuptojnë se, sa më thjesht, aq më mirë është. Do të thosha se më mirë nga të gjitha vishet Arbana Osmani. Nuk e di pse njerëzit kanë krijuar idenë se vishet keq dhe, çfarëdo që të veshë, e kritikojnë negativisht. Personalisht mendoj se ka stilin më të thjeshtë dhe më modern, si në kamera, ashtu dhe jashtë saj. Më pëlqen shumë edhe stili i Maria de Filippi-t, me xhinse dhe makijazh të lehtë. E përqendron vëmendjen te emisioni televiziv, jo te prezantuesja.
Kush mendon se vishet më mirë mes yjeve të Hollivudit?
Adhuroj Olivia Palermo-n. Mendoj se zgjedh gjithmonë veshjen e duhur. Quhet si pjesë e Hollivudit ajo? (Qesh). Përndryshe, më pëlqen stili i diskutueshëm i Rihanna-s. Megjithatë, jam e mendimit se modën e vërtetë e sheh çdo ditë në rrugë, te njerëzit që kombinohen vetë. Të gjithë personalitetet e njohur janë thjesht manekinë.
Po të ndiqje një javë mode, do të ishe më e interesuar të shihje Javën e Modës në Nju-Jork, në Londër, Paris apo Milano?
Në Nju-Jork tingëllon akoma më bukur kur e shqipton. Nju-Jorku është sinonim i modës.
Veshjet e cilit stilist të ri do të doje të provoje?
Më pëlqeu shumë sfilata e fundit e Paco Rabanne-s. Do të doja shumë të vishja një prej modeleve të tij ose të Balmain-it.
Cili është ai stilist i famshëm që s’të tërheq shumë?
Missoni dhe Roberto Cavalli. Modelet e Missoni-t më shkaktojnë marrje mendsh dhe u bënë vite që shohim të njëjtat modele Just Cavalli.
Cila është këshilla më e vlefshme e stilit/modës që të kanë dhënë?
Zgjidh këmbët ose gjoksin, jo të dyja. Sa më thjesht, aq më bukur.
Ble veshje dhe aksesorë në Tiranë? Çfarë mendon se na mungon këtu?
Rrallë blej në Tiranë. Nuk ka variacion. Ose janë 58 dyqane firmash që kanë veshje me çmime shumë të larta, ose një dyqan me mall tregu. Mendoj se të gjithë janë aq shumë të përqendruar për t’i sjellë Tiranës luksin, sa harrojnë që vetëm një përqindje e vogël mund ta përballojnë atë. S’ka rrugë të mesme.
Çfarë nuk do të vishje kurrë?
Takat spilë. S’më kanë tërhequr kurrë.
Mendon se vajzat e moshës tënde në Shqipëri e teprojnë me makijazhin dhe me flokët?
Ka ardhur një kohë kur e thjeshta nënvlerësohet. Edhe unë kam bërë një ndryshim shumë të madh me flokët, sepse natyralja më dukej e mërzitshme. Nuk duhet harruar se kur diçka është e tepruar, pjesa tjetër duhet të jetë e thjeshtë, dhe pikërisht këtu gabojnë vajzat shqiptare.
Sa kohë të duhet për t’u veshur?
Varion nga 15 minuta në 2 orë. Jam shumë e pavendosur, por në kupti min e mirë. E di që do të duket absurde, por ndonjëherë imagjinoj shumë kombinime në kokën time dhe do të doja t’i vishja të gjitha.
Cili është filmi yt i parapëlqyer për modën?
“Sex and the City”, i pari.
Cila do të jetë blerja jote e radhës?
Ndoshta një kafe ose këpucë (qesh).
Njerëzit që do të lexojnë për ty, do të thonë: “Ja një trashëgimtare e pasur, e cila ka gjithçka dhe mund të pushtojë botën nëse do!”. Për ata që s’të njohin, çfarë të mban me këmbë në tokë?
Kjo është një nga arsyet përse kisha dyshime për të dhënë këtë intervistë, sepse njerëzit mund ta krijojnë këtë ide. Në fund të ditës, unë jam e bekuar, sepse i përkas një familjeje, e cila është e bazuar te morali, parimet, përulësia, mirënjohja dhe sidomos te dashuria. Do t’i jem gjithmonë mirënjohëse mamasë sime, që më ka mbajtur me këmbë në tokë, sepse është gruaja më e mrekullueshme dhe më e thjeshtë që njoh. Mund të jem një trashëgimtare, por as gjithë
paratë e botës s’do ta blinin dot respektin që kam të trashëguar, vetëm se jam e bija e një njeriu të madh!
KU BËJ SHOPPING
Më pëlqejnë dyqanet si Zara dhe Topshop, ku blej 99 % të rrobave të mia. Shkoj në dyqanet e firmave vetëm për të blerë këpucë, çanta ose fustane për raste të veçanta.
KËPUCËT E ËNDRRAVE:
Do të doja shumë që një ditë të kisha Daffodile Strass me kristale nga Louboutin. Në fakt, mendoj se do të jenë këpucët e dasmës sime.
FASHION ICON:
Adhuroj Olivia Palermo-n. Mendoj se gjithmonë zgjedh veshjen e duhur.
ÇMIMIN “MOST FASHIONABLE” IA JAP:
Arbana Osmanit. Do të thosha se vishet më mirë nga të gjitha në ekran. Personalisht mendoj se ka stilin më të thjeshtë dhe më modern, si në kamera, ashtu edhe jashtë saj.
QYTETI QË MË FRYMËZON:
Londra ka përcaktuar stilin tim. Atje të gjithë janë të guximshëm.