TV Mania

Sidrit Bejleri flet për të bijën e ndjerë: ‘Jeta është një dhuratë’

5 Janar 2019

Sidrit Bejleri flet për të bijën e ndjerë: ‘Jeta
Zonja Nexhmije dhe Sidrit Bejleri

Sot u rikthye në transmetim “Dua të të bëj të lumtur,” dhe sezonin e nisën dy histori prekëse, njëra më shumë se tjetra. Fjoralba Dedej ftoi nënën e saj në emision, për t’i kërkuar asaj të vazhdonte të besonte te jeta, edhe pas vdekjes së të birit, Eduartit.

Nexhmija, nëna e Fjoralbës dhe Eduartit, e solli në jetë dhe e rriti me shumë vështirësi këtë të fundit. Pas shumë vitesh, një aksident automobilistik i mori jetën djalit të saj.

Për t’i zbutur dhimbjen e për t’i dhënë një tjetër këndvështrim për jetën, Arbana Osmani solli pranë zonjës Nexhmije Sidrit Bejlerin. Këngëtari ka vuajtur një dhimbje të ngjashme thuajse dhjetë vite më parë. Vajza e tij, Sofi, u nda nga jeta në moshë të hershme.

“Edhe une kam pasur gati të njëjtën humbje si ti. Ndoshta nuk jemi në të njëjtat pozita por duhet të bëhesh e fortë të jetosh për nipërit dhe mbesat e tua. Jeta është një dhuratë dhe si e tillë duhet shijuar në çdo moment. Çdo ardhje në jetë e ka edhe një ikje,” i tha Bejleri zonjës Nexhmije.

Gjithashtu, këngëtari rrëfeu ç’i tha bashkëshortja pas ndarjes nga jeta të së bijës. “Zoti, siç ma dha, ashtu edhe ma mori. Aq donte Ai që të jetonte. Unë duhet të jem falenderuese që më la ta shijoja për aq kohë,” tregon ai.

Sidrit Bejleri flet për të bijën e ndjerë: ‘Jeta
Sidrit Bejleri dhe Fjoralba Dedej

Teksa Bejleri fliste, zonja Nexhmije qante e vetëm qante, por në fund vendosi të përqafojë të bijën, Fjoralbën, e të jetojë për të e për nipërit e saj.