TV Mania

Dje, ‘Kënga Magjike’ ishte një magji e vërtetë

12 Nëntor 2018

Dje, ‘Kënga Magjike’ ishte një magji e vërtetë

Ditën e djeshme (e diel, 11 nëntor) në rubrikën kushtuar fazës së dytë të konkurrimit te “Kënga Magjike” u vu re që shumë perfomanca emocionuan publikun që u ngrit disa herë në këmbë.

Duke filluar nga kategoria “New Artist” e deri tek këngëtarët e njohur, performancat ishin një magji e vërtetë.

Olsi Bylyky, ndryshe nga herët e tjera ku është pjesë e “B.E Coffee”, u shfaq pak më herët në studion e “E diela shqiptare”. Së bashku me Lorenc Hasramën, me të cilin ka bashkëpunuar edhe më parë në këngën “Kisha menu”, u prezantua kënga “Si të flas”.

Projekti – me tekst nga vetë Olsi dhe Endrit Mumajesi, muzikë dhe orkestrim të Gent Myftarajt – mori mjaftueshëm vota nga anëtarët e jurisë për të kaluar në fazën tjetër të konkurrimit.

Teksti i Fifit dhe muzika e Kledi Bahitit u kënduan në mënyrën më fantastike të mundshme nga Krusita, një artiste e re që deri dje ishte e panjohur për publikun.

Nuk jemi profesionistë të muzikës, megjithëse për zërin e fuqishëm të Krusitës biem të gjithë dakord. “Akull” ka të gjitha shanset për të konkurruar denjësisht krah artistëve të mëdhenj.

Largohemi nga kategoria “New Artist” për t’u zhvendosur tek performancat e këngëtarëve të njohur. Të gjithë e mbajmë mend Rea Nuhun që një vit më parë emocionoi sallën e Pallatit të Kongreseve kur bashkë me Kastro Zizon këndonte “Pa faj”. Këtë herë, Rea vjen ndryshe; bjonde dhe konkurron vetëm.

“S’mjafton” quhet kënga, muzika e së cilës është realizuar nga Don Kozeli, ndërsa teksti nga Rozana Radi.

Emri i Flori Nazifit, edhe pse dikur fitoi “Albanians Got Talent”, u bë akoma më i njohur pasi fitoi çmimin “Artisti i Ri më i Mirë” me këngën “Mos ik” dy vite më parë. Flori rikthehet sërish në 20-vjetorin e festivalit të famshëm, këtë herë në një bashkëpunim me Inis Nezirin.

Kënga është një prodhim i “O2 Records”, muzikë nga Elgit Doda, teksti është shkruar nga Klea Huta dhe Alban Kondi.

Një tjetër që rikthehet sërish në skenën e “Kënga Magjike” është Ronela Hajati me një këngë që mikson baladën me ritmet latine. “Vuj” është një prodhim i Threedots.

Sigurisht që nuk mund të mos përmendim veshjen e Ronelës dhe kërcimin gjatë performancës. Në total, kënga është një 10/10.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 

“VUJ” eshte nje nga produksionet me te dashura per mua... Pas pak ne You Tube... @kengamagjikeofficial @sagerimakeup @jetmirabejtullahu Ju dua!

A post shared by RONELA (@ronelahajatiofficial) on