Ky vit është padyshim viti i Ylli Limanit a.k.a artisti që s’u dorëzua kurrë, edhe pse ''dyert iu mbyllën'' disa herë. Duke qenë se ne në Anabel.al i kemi qejf karakteristikat e shenjave të horoskopit, sot kemi vendosur të shpjegojmë rrugëtimin e gjatë të Yllit referuar shenjës së tij – Peshores. Por, skeptikët që s’i bind horoskopi, mund ta anashkalojnë si pjesë.
Ylli ka afërsisht një dekadë që është i njohur për publikun, megjithëse këto kohët e fundit e arriti suksesin e merituar. Pra, si fillim, të kthehemi pak në të kaluarën, atëherë kur këngëtari ishte krejt i panjohur.
Ai doli për herë të parë në ''Audicionet e fshehura’’ të The Voice of Albania me këngën ''A drop in the ocean’’, zëri i të cilit mahniti Elton Dedën dhe Sidrit Bejlerin që shtypën butonin. Megjithatë, edhe pse fitoi zemrën e publikut, përballë një tjetër talenti si ai i Marsela Cibukajt, rrugëtimi i Yllit në The Voice përfundoi në gjysmëfinale.
Ndodh zakonisht që shumë talente të shkëlqejnë në konkurse të tilla, por të zhduken menjëherë pas përfundimit të tyre, a thua se nuk ekzistuan kurrë. Megjithatë, Ylli mori sërish pjesë në spektakle muzikore – këtë herë në Top Fest 9 me baladën ‘Shko’. Sërish nuk ia doli të shkëlqente, madje u shpreh i zhgënjyer nga bordi drejtues, pasi për Yllin, Top Fest duhet të përkrahte artistët e rinj dhe këngët që mbajnë tërësisht vulën e tyre.
Pas mossuksesit në Top Fest publikoi të tjera projekte, si për shembull bashkëpunimi me Capital T tek ''Unë'', ''Lart mbi yje'', ''A e din ti'' etj.
Peshoret kanë një fuqi të jashtëzakonshme për të arritur qëllimet, janë të gatshëm për të sakrifikuar. Udhëhiqen nga mençuria e brendshme, e cila nuk i lë kurrë në baltë. Ata janë të sigurt, se herët ose vonë, do të mbërrijnë majën.
Kënga ''Najher'' (pa videoklip) i siguroi artistit një vend të mirë në radhën e këngëtarëve shqiptarë. Nuk zgjodhi si shumë të tjerë t’u këndonte b*thëve, bitches, seksit apo drogës, por zgjodhi temën e dashurisë, qoftë edhe duke ''vuajtur'' në sa e sa balada.
Fjala “dashuri”dhe fjala “Peshorja" janë praktikisht sinonime. Peshorja ka shpikur romancën dhe e ka përpunuar atë në një art edhe me më shumë finesë se Luani, Akrepi dhe Demi, për të cilët është folur shumë. Strategjitë delikate të Kupidit janë talentet natyrale të Peshores.
Arsyeja kryesore e gjithë këtij suksesi, që siç e thamë erdhi ngadalë, përpos zërit fantastik, lidhet me këmbënguljen e vazhdueshme për vite e vite me radhë, por sigurisht edhe me ruajtjen e një farë ekuilibri. Si gjithë Peshoret, Ylli është përpjekur të mbajë një ekuilibër në muzikë. Ai i këndon dashurisë, vuajtjes, shiut, por ana ana tjetër nuk lë pas as këngët mix-komercale. Përmendim këtu ''S’ka dashni’’ ft. Dani, apo bashkëpunimin me Majk, ''Krejt t’i fala''; ai e ka kuptuar qartë ekuilibrin e karrierës së tij – fansat vërtet duan këngë ''për të qarë'', por edhe nëse kërcejnë pak në club s’do ishte keq.
Qëllimi është që të dyja anët e peshores të jenë në të njëjtin nivel dhe për aq kohë sa arrihet kjo, Ylli Limanin mund ta quajmë pa frikë artisti që s’u dorëzua kurrë, për t’u kthyer në 2018-n si një ndër më të mirët për të prodhuar muzikë apo për të performuar këngë të tjera (lexo: cover i këngës ''Creep On Me'' – Gashi). Këngë si ''Prej se jena nda’’, ''Krejt t'i fala'' dominuan listat e kësaj vere.
Për ta mbyllur si duhet, shijoni perlën e radhës të publikuar pak orë më parë.
Dikur, kur ishte pjesë e The Voice, Sidrit Bejleri u shpreh se brenda shpirtit të Yllit fle një artist i madh. Sot, pas 10 vitesh, jemi të lumtur që ky artist është zgjuar.