Jemi përpjekur t’i kushtojmë sadopak vëmendje karrierës dhe rrugëve të ndryshme që mund të ndiqen. Kemi folur për dhjetë gjërat që duhet të dish për të gjetur punë lehtësisht në Shqipëri, kemi rekomanduar pesë punë që mund t’i bëni nga shtëpia dhe pesë punë që të lënë kohë për të shkuar në shkollë.
Shqiptarët për të cilët do të flasim më poshtë s’kanë ndjekur asnjë nga këshillat tona. Punojnë zanate të veçanta, që s’na i merrte mendja se ekzistonin.
Sigurisht pati një letërshkrues që deklaroi se punon zhigolo. T’ju themi të drejtën e prisnim.
“Unë bëj një punë që në Shqipëri është tabu, por në Europë ka shumë fitim. Punoj zhigolo dhe jam shumë i kënaqur. Jetoj në Danimarkë, por vij shpesh edhe në Shqipëri.”
Mirë për ty, djalë.
Ndërsa kjo grua i ra shkurt, sepse ç‘mund të thuash më shumë.
“Unë jam shofere autobusi në Londër. Këtu nuk është punë e jashtëzakonshme, por në Shqipëri besoj se po.”
Si s’pamë një herë të vetme një shofere autobusi apo faturino grua në këtë vend? Pse është shoferllëku kaq masivisht i dominuar nga burrat? Zyra e Punës, nëse po e lexon këtë, presim përgjigje.
Ky shqiptar projekton rrugë. E lexuat mirë. Rrugë.
“Unë jetoj në Angli, në një qytet pranë Londrës. Punoj në një kompani ku bëj projektet e rrugëve. Kam gati dy vjet këtu. Pjesën më të madhe e kalojnë zyrë dhe kjo është arsyeja pse dua ta lë dhe të hap biznesin tim. Paga është deri diku e kënaqshme, por si punë është e mërzitshme. E vetmja gjë që e bën të lehtë janë kolegët, që janë shumë të sjellshëm dhe mundohen të bëjnë më qejf."
Po pra. Sa e mërzitshme duhet të jetë të projektosh rrugë. Pf.
Dy profesionet e fundit janë vërtetë të rralla dhe të pazakonta.
“Profesioni im është aq i rrallë sa gjithsej jemi pesë shqiptarë që e bëjmë këtë punë. Punojmë në një zonë me rrezik të lartë që përfshin Detin e Kuq, Oqeanin Indian dhe Detin Arabik. Puna jonë konsiston në mbrojtje dhe siguri për anijet tregtare që lundrojnë në atë zonë. E di shumë mirë që disa nga ju do të më akuzojnë se shoh shumë filma, por s’është film. Sot e kësaj dite ndodhin sulme pirate në det. Është bukur, aventurë dhe rrezik. E dua këtë punë.”
Na thuaj, ke takuar ndonjë të ngjashëm me Jack Sparrow? Na falni, Kapiten Jack Sparrow.
“Kam punuar në një kompani sigurimesh, në departamentin e pengmarrjes. Kompani të ndryshme që bëjnë biznes në vende që paraqesin njëfarë rrezikshmërie (Kolumbi, Meksikë, Afganistan, Palestinë) sigurojnë disa individë punonjës me këtë lloj siguracioni. Në rast se ndodh diçka në ato vende ku ata ndodhen dhe si rrjedhojë individi merret peng, kërcënohet ose vritet, hyn në lojë polica e sigurimit.
Gjithashtu, departamenti i pengmarrjes ka kontratë me disa kompani private sigurimi (ushtri private i quajmë ne) dhe në qoftë se një klient ndodhet diku dhe mendon se për një moment i rrezikohet jeta, ai telefonon një linjë 24-orëshe. Një skuadër sigurimi nga Amerika niset menjëherë për ta nxjerrë nga aty. Për punë legjislature, me ta duhet të shkojë dhe një përfaqësues i kompanisë së siguracionit. Përfaqësuesi vëzhgon më mirë situatën dhe siguron mbarëvajtjen e operacionit. Ka pasur raste që klienti (zakonishtë kliente) janë ankuar për ngacmime seksuale nga ana e agjentëve të sigurimit. Të luaja rolin e përfaqësuesit më ka rastisur mua.
Hera e parë ishte në Egjipt, kur filluan të organizoheshin protestat dhe hera e fundit ishte në Turqi gjatë grushtit të shtetit. Duke parë situatën, fluturimi bëhet sa më shpejtë të jetë e mundur dhe ndonjëherë merren me qira avionë privatë. Kur arrijmë në aeroportin e destinacionit, na pret një makinë, zakonisht fuoristradë ose furgon. Gjithmonë sipas situatës, mua më lënë në hotel diku afër ose më marrin me vete. Shkojmë tek klienti, e marrim, shkojmë në aeroport dhe i hipim avionit. Zakonisht kthehemi me linja të rregullta.
Situata më e rrezikshme për mua ka qenë një Meksikë, kur u aksidentuam në një zonë droge dhe pritëm rreth tre orë në mes të rrugës të vinte një grup tjetër të na merrte.”
Filmat aksion u bazokan në jetën reale. Kujt ia merrte mendja...
Letrat janë shkurtuar dhe redaktuar për qartësi dhe gjatësi.