
Diane Keaton vendosi të bëhej nënë në moshën 50-vjeçare, duke adoptuar dy fëmijë dhe i rritur e vetme. Ajo iu përkushtua plotësisht prindërimit të Dexter dhe Duke, të cilët sot janë të rritur, përkatësisht 29 dhe 25 vjeç.
Aktorja ikonike, e ndarë nga jeta të shtunën më 11 tetor, nuk u martua kurrë. Ajo zgjodhi të mos ndante jetën me një partner, por t’i kushtohej fëmijëve të saj me gjithë dashurinë dhe energjinë që kishte.
Në një intervistë për Ladies' Home Journal në vitin 2008, Keaton tregoi se kishte reflektuar gjatë përpara se të merrte vendimin për t’u bërë nënë.
“Nuk do të isha kurrë gati të bëhesha nënë,” tha ajo. “Mëmësia nuk ishte një dëshirë e zjarrtë që nuk mund ta injoroja. Ishte më shumë një mendim që e mendova gjatë me veten. Dhe pastaj thjesht mora vendimin.”
Ylli i “The Godfather” foli shpesh hapur për zgjedhjen e saj për të mos u martuar.
“Mendoj se jam ndoshta e vetmja nga brezi im, ndoshta edhe nga ata para meje, që ka qenë beqare gjithë jetën,” tha ajo në një tjetër intervistë.
Pavarësisht lidhjeve të saj të njohura me emra si Al Pacino, Warren Beatty dhe regjisori Woody Allen, Keaton nuk e pa martesën si një rrugë për veten.
“Nuk do të kishte qenë një ide e mirë të martohesha,” u shpreh ajo. “Nuk kam dashur kurrë të jem ‘grua’. Që kur isha në shkollë të mesme, një shoqe më tha: ‘Një ditë do të bëhesh një grua e mirë.’ Dhe mendova: ‘Unë nuk dua të jem grua’. Jam e lumtur që qëndrova besnike ndaj vetes. Jam e sigurt se ata e kuptuan këtë.”
Edhe pse në jetën reale nuk zgjodhi martesën, shumë nga rolet e saj më të njohura ishin të lidhura ngushtë me amësinë. Në filmin “Father of the Bride” të vitit 1991, ajo luajti përballë Steve Martin rolin e një nëne, dhe në “The First Wives Club” (1996) ndau ekranin me Bette Midler dhe Goldie Hawn si një nga tre ish-bashkëshortet që kërkonin të rimerrnin jetën në duart e tyre.
Në një intervistë për revistën Life në vitin 2005, Keaton foli për ndryshimin që solli mëmësia në jetën e saj:
“Përpara fëmijëve, kur shqetësohesha, ishte vetëm për veten time. Tani, si nënë, shqetësohem në heshtje, pa e kuptuar ata, është rregulli numër një i prindërimit.”
Pas ndarjes nga jeta, fëmijët e saj kanë zgjedhur të qëndrojnë larg syrit të publikut dhe nuk kanë bërë ndonjë reagim publik në rrjetet sociale, megjithatë, ishte Dexter ajo që konfirmoi lajmin për ndarjen e saj nga jeta.