
Pas 32 vitesh, në teatrin e operas Gran Teatre de Liceu, u vu në skenë “Romeo et Juliette”, versioni i Charles Gounod. Në role kryesore luanin tenori shqiptar Saimir Pirgu, si Romeo dhe sporanoja ruse Aida Garifullina si Juliette.
Prezent mes qindra të ftuarve ishte dhe Ardit Gjebrea, i cili e ndau përvojën e tij në një sërë postimesh në Instagram. “Sukses absolut, emocione, art i vërtetë. Publiku përfundimisht e admiron dhe e duartroket gjatë. Bravo!” shkruajti moderatori në njërin prej postimeve.
Gjebrea s’ishte i vetmi që mendonte kështu. Në një shkrim për operën, Euronews, një prej agjencive të lajmeve më prestigjioze në Europë, thuhet se “Rome et Juliette” magjeps Barcelonën.
“Ndonjëherë, kur jam duke kënduar skenën [e fundit në varr] bëhem shumë emocional. Sidomos kur them ‘puthja e fundit’,” u shpreh Pirgu për Euronews.
Ndërsa sot në mëngjes, në një lidhje direkte me “Wake Up” në Top Channel, Pirgu tha se vështirësia më e madhe ishte fama e operës. Për të, ngaqë publiku e njeh veprën, është vështirë ta bësh tërheqëse dhe ndryshe.
Pirgu gjithashtu foli për planet e ardhshme. Kur të përfundojë shfaqjet e “Romeo et Juliette” në Barcelonë, do të performojë në Japoni e do të sjellë në Shqipëri një surprizë në fund të marsit.