Kantautori Ardit Gjebrea, e dha papritmas këtë lajm gjatë pjesës së parë të "E Diela Shqiptare" të 1 shkurtit, teksa dëgjonte interpretimet e finalistëve të "Gjeniut të Vogël". Për Anabel.al, themeluesi dhe producenti i 16 edicioneve të një prej festivaleve më të rëndësishëm të muzikës së lehtë shqiptare, shpjegon se ky rikthim i eventit në live, nuk është diçka e jashtëzakonshme
"Për mua është diçka normale. Në stade të ndryshme të vijueshmërisë së një aktiviteti, ti kalon në faza të ndryshme. Shumë gjëra ndryshojnë ose vijnë natyrshëm në një moment të caktuar. Ne që këtë vit po diskutonim në staf ta zhvillonim live, por ideja na erdhi pak me vonesë. Këtë vit, duke parë edhe Gjeniun e Vogël dhe ata fëmijë jashtëzakonisht të talentuar, na u përforcua kjo shkëndijë që kishim. Erdhi momenti, jemi gati."
Kënga Magjike nisi live. Dy edicionet e saj të para kanë qënë live. Përse nuk vazhdoi kështu?
E vërtetë që ne e kemi nisur "live", por ka qënë edhe vetë kërkesë e artistëve që ne të ktheheshim me playback dhe duke respektuar ata, por duke parë edhe kushtet dhe mundësitë, atëherë, e ndryshuam.
Dhe përse vendosi të kthehej "live" më vonë se festivalet e tjera?
Unë nuk mendoj se ka rëndësi krahasimi kohor këtu. Siç e thashë më sipër, çdo produksion ka fazat e tij. Edhe kur kam kënduar në Festivalin e RTSH-së, kam kënduar edhe live, edhe me playback. Po ashtu edhe në festivale të tjera është provuar interpretimi në të dyja mënyrat. Unë nuk mund të them që sot e tutje do të jemi përgjithmonë"live". Nuk i dihet asnjëherë! Kënga Magjike mund t'I kthehet sërish playback-ut. Por për momentin, rëndësi ka ky festival i 17-të.
Kanë kaluar 14 vjet, a mendon se janë gati të gjithë këngëtarët që kanë marrë pjesë deri tani në Këngën Magjike të këndojnë live? Sepse kemi parë edhe dështime në interpretime live në festivale të tjera dhe këtu po flasim për emra të njohur të pop-it shqiptar.
Nëse do të shohim festivalet e fundit të Këngës Magjike, 95% e këngëtarëve finalistë këndojnë nonstop live në koncerte gjatë vitit. Ndër 25 këngëtarë të tjerë që nuk futen në finale, sërish gati 1/3 e tyre këndojnë live. Kështu që në Këngën Magjike ka patur dhe do të ketë plot pjesëmarrës që nuk do ta kenë absolutisht problem këtë pjesë.
Unë mendoj se koha e mentalitetit të Madonës është në ditë muzgu, drejt perëndimit. Madona, një mbretëreshë Pop-i, kur këndonte live kishte shumë probleme dhe ky problem ekziston kudo, madje edhe në disa emra të njohur në Shqipëri. Por vitet e fundit, bota po evidentohet me të tjera "kurora", me zëra të padiskutueshëm si Beyonce, Bruno Mars, Rihanna, Katy Perry, Aguilera, Jessie J. e plot të tjerë.
Në rastin konkret, thjesht ti vendos se kujt dëshiron t'i shërbesh.
Një nga magjitë e "Kënga Magjike" është edhe performanca. E cënon interpretimi live performancën?
Aspak. Festivali Europian që udhëhiqet nga kjo strukturë, ka një boom performancash. Vetëm nëse këngëtari kërkon të bëj akrobacira, atëherë mund të jetë pak e vështirë (qesh). Por do të vazhdojmë të kurojmë gjithçka, siç kemi bërë deri tani
Tani që ju shtua edhe një "kleçkë" tjetër në produksionin tuaj, a mendon se do të humbasë magjia e gjithë realizimit, që e dallon këtë festival nga të tjerët?
Nëse unë thashë që do të jetë "live", bashkë me stafin tim të ngushtë e kishim mirëmenduar këtë gjë. Magjia e Këngës Magjike nuk besoj se është e kënduara në playback. Ne do t'I përkushtohemi njësoj çdo detaji. Nuk ia kam shume frikën produksionit. Por, si çdo gjë që ndryshon, ne do kurojmë me shumë kujdes kohën e teknologjisë dhe të kënduarit live. Një bashkëjetesë e të dyjave në masën e duhur dhe në vendin e duhur, është perfeksion. Një gjë është e sigurtë, Kënga Magjike nuk zhgënjen!
#showbiz