Takimi i parë: Çdo gjë në perfeksion, ai flet me delikatesë, ti po ashtu. Ai të sheh në sy dhe flet ndadalë. Ti tregohesh e matur dhe flet më pak se ai. Të dy zgjidhni një vend të qetë, ku biseda ecën shtruar dhe në fund përshëndeteni përzemërsisht me shpresën që do të ketë një takim të dytë.” Hmmm, nuk ndodh kurrë! Le ta pranojmë, takimi i parë është një siklet i madh. Nuk e dimë si dhe pse, por duket sikur gjithë universi ka për qëllim “të të turpërojë”.
Lidhur me këtë temë, pyetëm ndjekësit tanë në Facebook-un e Anabel, të cilën nuk nguruan të na nisnin historitë e takimit të parë, që sot i kujtojnë duke qeshur. Shijojini.
Letra 1: “Në takimin e parë kam qenë aq e emocionuar sa kam derdhur gotën e ujit. Nga sikleti, fus me shpejtësi dorën në çantë dhe në vend të marr facoletën, marr linesin. Sa keq jam ndjerë me veten. Doja të hapej një gropë dhe të futesha brenda. I dashuri nuk tha gjë dhe mendova se nuk e kuptoi. Pas disa kohësh, kur sërish derdha ujin në tavolinë, më thotë: Kujdes ca do nxjerrësh nga çanta.”
Letra 2: “Takimin e parë e kam gjithnjë me shumë siklet. Zakonisht kur jam në tension skuqem dhe më kap një si temperaturë. Ai më pyeste pse nuk isha e qetë, ndërkohë që unë i thoja kam vapë. Ai më bënte fresk me letrën e menusë, pa e ditur që unë realisht isha thjesht në siklet.”
Letra 3: “E keni parasysh atë zhurmën ‘rrrr-rrrr’ kur e pi pijen deri në fund? Epo duhet t’ja nxirrja fundit. Goca qeshi.”
Letra 4: “Dolëm pasdite dhe shkuam në restorant dhe porositëm gjëra deti. Unë nuk dija si t’i haja. E hëngra karkalecin pa e qëruar dhe u mbyta keq. Kush po pyeste për turp, por desh vdiqa sa u ngritën njerëzit të gjithë në këmbë për të më dhënë ndihmë. Vetëm kur del karkaleci me gjithë kokë.”
Letra 5: “E kishim lënë që të takoheshim në një kafe, ai kishte shkuar më herët. Kishte rënë shi në mëngjes dhe karriget ishin të lagura. Mbante veshur pantallona me ngjyrë të hapura. Kur u ngritëm, me stil më tregoi se ç’kishte ngjarë për të shmangur keqkuptimet e mundshme. Më erdhi shumë keq, por sot qesh me lot kur e kujtoj.”
Letra 6: “Takimi ynë i parë: Ai merr kafe, kurse unë lëng molle. Sot jemi të martuar dhe me shaka më thotë: Hë mi, t’kapa me një lëng molle t’kapa.”
Letra 7: “Takimi ynë i parë ka qenë skandaloz me çdo kuptim. Në fillim, kur dola ishte ngrohtë dhe shi dhe pas dy orësh nis shiu dhe u bëmë të dy qull. Mirë kjo, po duke vrapuar të dy, unë rrëshkita tek disa shkallë dhe theva këmbën. Sikur të mos mjaftonte kjo, ai as që e vuri re po vrapoi dhe më la aty. Deri në fund të shkallëve nuk e kuptoi që kishte vrapuar vetëm.”
Letra 8: “Unë në takimin e parë vesha këpucë me taka se doja të dukesha bukur, plus motra ma mbushi mendjen. Për t’u siguruar mora një palë atlete në çantë që peshonin shumë. U mundova të ecja me delikatesë, por nuk mundesha. Shkova në banjë dhe vesha atletet. Kur dolëm më tha: “Ti mua m’u duke e gjatë në fillim.” Mendoj se nuk e ka kuptuar.”
Letra 9: “Në takimin e parë shkuam në një pastiçeri dhe porositëm tiramisu. Unë thashë ok, por në të vërtetë s’kisha provuar asnjëherë. Kur erdhi në tavolinë thashë “Bobo, sa shumë kanellë i paskan hedhur kësaj times.” Ai më pa dhe më tha: “Nuk është kanellë, është kakao”. Për momentin u turpërova, por sot e kësaj dite qesh sa herë e kujtoj.”
Letra 10: “Në takimin e parë porosita kafe. Isha shumë në siklet dhe kisha turp. Më tha që pse merr kafe, merr diçka tjetër. Ndonjë ndodhi shumë të sikletshme nuk pati. Ai mori sheqerin dhe e hodhi tek filxhani im se donte të tregoj gentleman, unë sërish ia prisha duke i thënë “Lërë se e bëj vetë”. Nuk doja të dukesha e përkëdhëlur.”
Letra 11: “Vrisja mendjen ç’të vishja dhe si të dukesha bukur dhe harroja të haja. Kur dilnim në kafe i thoja “Kur do hamë ne se vdiqa për bukë?”. Thjesht doja të haja dhe pikë. Tani më mbajnë mend si goca pa komplekse.”
Letra 12: “Takimi i parë ishte momenti më qesharak që kam kaluar me burrin. Ishim në gjimnaz dhe nuk e dija ç'ishte lokali. Shkojmë në një disko afër shkollës. Porosita kafe. Ai më shikon dhe më thotë në vesh “Porosit diçka tjetër, se nuk ka kafe këtu”. Më dilte tym nga veshi. Burri sot e ksaj dite ma kujton dhe vetëm qeshim.”
Copyright Anabel.al /Përshtatur nga redaksia, ndalohet ribotimi pa leje!