
Kristen Bell është përfshirë në një valë kritikash në rrjete sociale pas një postimi përvjetori që shumë e quajtën “të pandjeshëm/ pa takt”.
Aktorja, 45 vjeç, ndau në Instagram një foto të ëmbël me bashkëshortin e saj, aktorin Dax Shepard, për të shënuar 12 vjet martesë, por ishte mbishkrimi ai që ndezi debatet.
“Gëzuar 12-vjetorin burrit që më tha njëherë: ‘Nuk do të të vrisja kurrë. Shumë burra i kanë vrarë gratë e tyre në një moment. Edhe pse kam shumë arsye ta bëj, nuk do ta bëja kurrë’,” shkroi ajo në përshkrim.
Komentet shpërthyen menjëherë.
“Po e poston këtë gjatë muajit të ndërgjegjësimit për dhunën në familje? Është e pabesueshme,” shkroi një ndjekës.
“Mijëra gra janë vrarë nga burrat që i kanë dashur, s’ka asgjë për të qeshur këtu,” shtoi një tjetër.
Të tjerë e cilësuan postimin “të frikshëm”, “të sëmurë” dhe “tronditës”, duke theksuar se dhuna në çift nuk është diçka për t’u përmendur si shaka.
“E kam vështirë të kuptoj si një grua mund të qëndrojë me një burrë që bën shaka të tilla,” shkroi dikush.
Megjithatë, pati edhe nga ata që e "morën" në mbrojtje aktoren, duke thënë se njerëzit “po e marrin shumë seriozisht” dhe se çifti është i njohur për humorin e tyre të çuditshëm.
Kristen dhe Dax janë martuar në tetor 2013 dhe kanë dy vajza, Lincoln dhe Delta. As aktorja dhe as përfaqësuesit e saj nuk kanë reaguar ende ndaj polemikës.