Mira Kazhani, moderatore, opinioniste dhe themeluesja një portali online, është e pamartuar dhe nuk ka fëmijë. Jo shumë kohë më parë, ajo u sulmua, në një lloj mënyre, nga avokatja e shtetit, Alma Hicka, e cila shpërfilli mendimet e Kazhanit mbi feminizmin sepse “s’ka fëmijë dhe s’sjell jetë.”
E ftuar në Një kat më lart me Ermal Peçin, Kazhani tregoi në mos edhe nëna e saj e shtyn drejt martesës apo e qorton pse s’është martuar ende:
“Jo, nuk kemi kështu bisedash sepse këto nuk janë as me recetë, as me orar. Po, edhe ma thonë njerëz që më duken modernë dhe të emancipuar. Ka një kontrast mes njerëzve të thjeshtë që s’ma thonë dhe njerëzve që në shoqëri njihen si të zhvilluar, të elaboruar, të lëçitur që ma thonë.”
Karriera s’ka qenë kurrë pengesë, të paktën në sytë e gazetares, por siç e thotë dhe vetë, është punë fati dhe jo inati:
“Ndoshta burrat mund të më kenë parë [si karrieriste]. Unë s’e kam parë pengesë karrierën. Mendoj se mund të bëhen të dyja bashkë. Para shumë vitesh, që të tregohem e sinqertë, e mendoja këtë historinë e dasmës dhe burrit, një djali dhe një vajze, rregullat klishe. Kalon koha dhe kupton që kjo është punë fati dhe jo punë inati. Nuk e bën dot me imponim. Nga njerëzit që kam takuar nuk kam ndonjë peng. Tek-tuk dikush mund të them që mund të ishte shpirti im binjak, por rrethanat nuk na lejojnë.”