
Në episodin e fundit të “The Dalina Show”, Dalina shkoi në fermën e dietologes klinike Blerina Bombaj. Një takim ndryshe, në natyrë, mes kafshëve, perimeve të freskëta dhe një tavoline të mbushur me ushqime të përgatitura nga produkette e rritura vetë në fermë. Ky episod bën pjesë në seritë speciale të emisionit, ku Dalina fton ekspertë nga fusha të ndryshme për të trajtuar çështje me impakt të madh në jetën tonë të përditshme.
Ushqimi sot është më shumë helm se shëndet
Diskutimi nisi menjëherë me një sinqeritet brutal. Blerina Bombaj ngriti alarmin për konsumin masiv të ushqimeve të përpunuara dhe të paketuara.
“Duhet të heqim dorë nga ushqimet e gatshme. Kur shkoj vetë në supermarket dhe shoh karrocat plot me pije me sheqer, më duket e pabesueshme. Lëngje frutash? Janë ujë me sheqer dhe kimikate,” u shpreh ajo.
Sipas Bombajt, këto ushqime janë burim i tre gjërave: sheqerit, kripës dhe yndyrës së përpunuar.
“Këto produkte u kanë hequr gjithçka të vlefshme ushqimeve: fibrat bimore, mineralet, vitaminat. I japin trupit vetëm kalori boshe që shkaktojnë një disbalancë të madhe në organizëm.”
“Je i mbingopur, por në të vërtetë i pangrënë”
Dietologia theksoi se një nga problemet më të mëdha është që ushqimet industriale prishin sinjalet mes stomakut dhe trurit.
“Këto kombinime ushqimore nuk e çojnë mesazhin në tru që je ngopur, përkundrazi, të rrisin oreksin. Trupi i njeriut është programuar për të kërkuar ushqim me mundim, jo ta ketë përpara me bollëk. Dhe gjenet tona nuk kanë pasur kohë të përshtaten me këtë realitet të ri ushqimor.”
Rreziku i padukshëm: mungesa e vitaminës D
Në një moment të veçantë të bisedës, Blerina përmendi edhe një studim tronditës:
“Nga uji, një studim ka zbuluar se mund të gjendet dhe një lugë plastikë në tru.” Kjo shërbeu si një tjetër alarm për ndërgjegjësimin mbi ndotjen dhe kontaminimin ushqimor.
Ajo u ndal edhe te mungesa e madhe e vitaminës D, një problem që e has shpesh në klinikën e saj:
“Në 100 persona që këshilloj të bëjnë analizat, vetëm një del pa mungesë. Kjo tregon se kontakti me diellin dhe natyrën është humbur. Është shqetësuese kur pacientët me diagnoza serioze, si tumoret, dalin të gjithë me mungesë të kësaj vitamine jetike.”
Suplementet, një ndihmë e nevojshme, por me kujdes
Për suplementet ushqimore, Blerina u shpreh se i përdor vetë dhe i rekomandon, por vetëm kur janë të certifikuara nga palë të treta të besueshme.
“Ka pafund zgjedhje në treg, por cilësia është thelbësore. Ka produkte që kontaminohen me metale të rënda, sidomos protein shake-t, ndaj kujdesi është i madh.”
Dietologjia nuk është një kurs, është shkencë
Në thelb të intervistës, Blerina kërkoi që të trajtohet dietologjia si ajo që realisht është, një degë e mjekësisë parandaluese, e jo thjesht një modë ushqimore.
“Nutricioni është konsulencë profesionale. Nuk është thjesht dietë për të humbur peshë.”
Katër shtyllat e shëndetit sipas Blerina Bombajt
Në përfundim të bisedës, ajo ndau katër elementet bazë që garanton mirëqenie:
Mos hani më shumë seç keni nevojë. Një matës i thjeshtë është raporti mes përimetrit të belit dhe gjatësisë trupore – duhet të jetë më pak se 1.
Gjumi cilësor – elementi më i rëndësishëm për rigjenerim dhe funksion të trupit.
Menaxhimi i stresit. “Nëse je nën stres konstant, i bombardon qelizat me helm, metaforikisht por realisht.”
Aktiviteti fizik i rregullt, që mban në formë trupin dhe mendjen.
Intervista e plotë: