
Emra si: Maria De Filippi, Michel Hunziker apo Belen Rodriguez nuk janë aspak të panjohura për shqiptarët.
Që në kohën e komunizmit, shqiptarët zhvilluan një lidhje të fortë me muzikën dhe kulturën italiane. Pas viteve '90, kur zbuluam mrekullinë e saçit, zbuluam njëherësh edhe një botë të re në televizionet italiane.
Ambra Angiolini u kthye në një fenomen në Shqipëri; shumë vajza visheshin e kriheshin si ajo, ndërsa shumë që lindën atëherë morën emrin e saj. Me daljen e platformave televizive dixhitale, interesi për televizionet italiane u mbajt i gjallë dhe ende vijojmë të ndjekim me kërshëri "Grande Fratello", "Uomini e Donne" apo "C'e posta per te".
Ka diçka në televizionet italiane; show girl-et duken gjithmonë të përsosura dhe të natyrshme, me lëkurë të freskët dhe flokët plot shkëlqim. Mund të jetë meritë e kamerave dhe ndriçimit, por aq na bën.
Megjithatë, nuk ka të bëjë me pamjen e jashtme. Edhe pse emancipimi i grave është një problematikë më vete në Itali, për shoqërinë shqiptare ku ende nuk njihen koncepte si feminizmi apo seksizmi, personazhet gra të televizioneve italiane paraqesin një imazh më të lirë të gruas.
Dinë të jenë seksi dhe njëherësh "gallatë"

Ndërsa në Shqipëri mungon imazhi i gruas së hijshme dhe njëherësh me humor, "Mediaset" i ka besuar drejtimin e dy spektakleve më të njohura investigativo-satirike tre vajzave: Ilary Blasi moderon prej vitesh "Le Iene" në "Italia 1" dhe së fundmi, "Striscia la Notizia" drejtohet nga Belen Rodriguez dhe Michel Hunziker.
"Në krye të vendit" pa e humbur ëmbëlsinë

Ruajnë elegancën, ndaj edhe kur zhvishen nuk duken vulgare

Nuk i humbin tiparet natyrale të bukurisë mesdhetare; nuk bëhen bionde duke qenë brune dhe janë të vetëdijshme për ato që kanë


Vishen me shkëlqim, por s'të vrasin sytë
