Vjollca Hoxha, bashkëshortja e themeluesit të ndjerë të “Top Media”, Dritan Hoxha, me vendim unanim të aksionerëve është emëruar zyrtarisht administratore e “Top Channel”.
“Newsbomb.al” ka zbardhur dokumentat e mbledhjes së aksionerëve të kompanisë të cilët janë: Vjollca Hoxha (8 % të aksioneve), Aurel Baçi(20 % të aksioneve), Albert Sino(40 % të aksioneve), Lorela Hoxha(8 % të aksioneve), Sara Hoxha(8% të aksioneve) dhe Itan(8 % të aksioneve) dhe Redia Hoxha(8 % të aksioneve), të cilët përfaqësohen nga kujdestari i tyre ligjor që është mamaja e tyre, VjolLca Hoxha.
Të gjithë aksionerët kanë firmosur pro vendimit për largimin nga detyra të administratorit të mëparshëm, Enkelejdi Joti dhe emërimit të Vjollca Hoxhës në të njëjtin pozicion. Ndonëse edhe më parë Hoxha ka pasur një ndikim të madh në politikat e “Top-Channel” dhe cila ishte e vetmja nga aksionerët që ka një zyrë në ambjentet e televizionit, për tre vitet e ardhshme ajo do të ketë në dorë firmën dhe vulën për çdo vendim që merret në "Top Channel". Ndërkohë Joti, krahu i djathtë i Dritan Hoxhës, ndodhej në këtë pozicion që prej vitit 2003.
Vjollca Hoxha është regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit si administratore më 11 dhjetor 2015 deri 11 dhjetor 2018. Por pavarësisht shkresave, Enkelejdi Joti ka qenë pjesëmarrës në darkën që LSI organizoi për fundvitin si përfaqësues i “Top Channel” dhe ka vijuar të jetë në ambjentet e televizionit edhe pas datës 11, duke lënë të kuptohet se tranzicioni ka qenë i qetë.