Ndjekësit e Anabel.al kanë pasur mundësinë gjatë këtyre ditëve të votojnë për “Personazhin e vitit 2015” në Shqipëri. Në vendin e parë nga 22 të përzgjedhur është renditur Trajneri i Kombëtares Gianni de Biasi me 611 vota. Ai spikati pasi çoi për herë të parë skuadrën kombëtare të futbollit në Kampionatit Europian “Francë 2016” dhe u bë një nga personazhet më të dashur në Shqipëri. Kjo nuk ishte arritja vetëm e skuadrës, por edhe arritja e tij më e madhe në aspektin profesional.
Në vendin e dytë me 473 vota u zgjodh Soela Zani me ekspozitën 'Edhe unë jam vepër arti'. Fotografja spikati në 2015-ën pasi fotografoi 14 fëmijë me Sindromën Down në petkun e imazheve më të njohura të historisë së artit botëror. Kjo ishte një nga ekspozitat më të bukura jo vetëm nga ana artistike, por edhe për mesazhin që përcillte në mbështetje të fëmijëve me sindromën Down. Ajo u përfol edhe në mediat botërore: “Vanity Fair” shkroi se projekti i fotografes shqiptare ishte shumë i veçantë dhe e vlerësoi shumë atë.
Në vendin e tretë me 408 vota u rendit Ballist Morina. Ai është njeriu që ngriti dronin me flamurin e Shqipërisë etnike në ndeshjen Serbi-Shqipëri në nëtor të 2014-ës. Mirëpo ngjarja që do të përflitej edhe më shumë këtë vit do të ishte arrestimi i tij, një ditë përpara ndeshjes së kthimit Shqipëri-Serbi. Arrestimi i Morinës shkaktoi reagime të ashpra në rrjetet sociale dhe disa protesta.
Duke parë përzgjedhjen e dy prej tre personazheve të parë mund të themi se këtë vit shqiptarët kanë votuar si patriotë, megjithëse fituesi është një shtetas italian.
Ndërkohë vendi i katërt dhe i pestë është me vota të barabarta mes Kryeministrit Edi Rama dhe Ambra Medës me nga 209 vota secili. Më pas renditet Ambasadori Donald Lu me 199 vota dhe kryebashkiaku Erjon Veliaj me 157 vota. Vendi i tetë i përket njërit prej kritikëve më të mëdhenj të qeverisë Rama, Ben Blushit me një diferencë të vogël me vetëm 6 vota me Fenomenin Majk (i cili mundi të merrte 142 vota). Ndërkohë në vendin e 10-të renditet producenti Ardit Gjebrea me 137 vota.