
Të blesh rroba apo aksesorë online është shpesh një përvojë e lehtë, argëtuese dhe pa shumë rrezik. Nëse diçka nuk të shkon, thjesht e kthen dhe pas disa ditësh porosia e re mbërrin në derë. Por kur bëhet fjalë për produkte kozmetike, veçanërisht për fondatinën, loja ndryshon. Shumica e dyqaneve nuk pranojnë kthime për produkte të hapura, ndaj zgjedhja duhet të jetë sa më e saktë që në fillim.
Madje, ndonjëherë edhe kur e blejmë fondatinën në një dyqan fizik, pas aplikimit në shtëpi kuptojmë që nuanca nuk është e duhura ose tekstura nuk shkon fare me lëkurën tonë. Në një treg gjithnjë e më të digjitalizuar, ku blerjet online janë bërë rutinë, si ta gjejmë fondatinën ideale pa e provuar fizikisht?
Mos u shqetëso, ja disa këshilla nga ekspertët për të bërë zgjedhjen e duhur.
1. Bazohu te lloji i lëkurës tënde
Hapi i parë është të dish çfarë lloj lëkure ke:
E yndyrshme? Kërko për fondatina me përfundim mat dhe pa vaj.
E thatë? Zgjidh formula me bazë hidratuese që nuk e thajnë më shumë lëkurën.
E ndjeshme, me skuqje apo njolla? Kërko produkte me mbulim të mirë dhe përbërës që qetësojnë lëkurën.
Me rrudha apo teksturë të theksuar? Shmang fondatinat me mbulim të rëndë, që mund të theksojnë papërsosmëritë.
2. Zgjidh teksturën që të pëlqen
A të pëlqen fondatina e lehtë që nuk ndihet fare në lëkurë? Apo preferon mbulim të plotë për një efekt ‘flawless’?
Nëse ke përdorur fondatina më parë, ndoshta tashmë e di çfarë të përshtatet. Lexo me kujdes përshkrimin e produktit: aty do të gjesh informacione për mbulimin, përfundimin dhe ndjesinë në lëkurë. Mos merr asgjë pa e ditur nëse është për lëkurë të thatë, të yndyrshme apo të kombinuar.
3. Përdor internetin në favorin tënd
Në vend që të blesh direkt, bëj një kërkim të thjeshtë në Google ose YouTube. Kërko emrin e fondatinës + "swatches" ose "review". Gjej video apo foto me vajza që kanë ton të ngjashëm lëkure me ty, dhe shiko si duket fondatina në dritë natyrale. Kjo është mënyra më e afërt me realitetin.
4. Si të zgjedhësh nuancën e duhur
Zgjedhja e ngjyrës së saktë është sfida më e madhe. Ja disa truke:
Shiko "swatches" të nuancave në pjesën e brendshme të krahut, aty ku ngjyra e lëkurës është më neutrale.
Krahasoni tonin tënd me modelet që shfaqen në faqen zyrtare të markës, shumë prej tyre kanë foto për çdo nuancë.
Mos harro se toni i lëkurës ndryshon me stinët: në dimër mund të jesh një ton më i çelët, ndërsa në verë, sidomos pas pushimeve, më e nxirë. Zgjidh një nuancë më të errët për verën dhe një më të lehtë për periudhën e dimrit. Fondatina për verën duhet të ketë SPF dhe të jetë sa më rezistente ndaj djersës.
5. Bëj një test online
Shumë marka sot kanë kuize online që ndihmojnë për të zgjedhur fondatinën perfekte bazuar në llojin e lëkurës dhe nevojat e tua. Merr 2-3 minuta kohë për ta plotësuar, është shumë më mirë sesa të përfundosh me një produkt që nuk e përdor kurrë.
Mos harro:
Lexo komentet dhe vlerësimet e përdoruesve të tjerë.
Nëse je mes dy nuancave, zgjidh gjithmonë më të hapurën, është më e lehtë ta ngrohësh me bronzer sesa ta zbardhësh.
Bli nga dyqane që ofrojnë mostra, kthim ose garanci për produktin (shumë faqe serioze online e ofrojnë këtë).