
Në një intervistë për "UëTëFë Show" nga Andale Media, Visjan Ukcenaj tregoi për dy refuzimet më të mëdha gjatë rrugës së tij drejt aktrimit dhe humorit.
“Unë kam humbur një audicion në shkollë dhe një në Portokalli. Kam konkurruar në Akademinë e Arteve në vitin 2007 dhe nuk ma dhanë shkollën. Me të drejtë sepse nuk isha përgatitur siç duhet. Vitin tjetër u përgatita dhe fitova.”
Gjërat nuk shkuan më mirë në ekran. Në emisionin më të njohur të humorit në Shqipëri, "Portokalli", ku çdo aktor i ri asokohe ëndërronte të dilte, Visjanit ia prenë transmetimin.
“Ndërsa në 'Portokalli' më prenë nga transmetimi. Kam qenë me tim vëlla, e fitova audicionin dhe do bëja një skeç duke hyrë nga publiku sepse nuk ishin të sigurt a bëja a s’bëja. Dola, e bëra materialin, kishte pafund të qeshura. Bëja materialin e gjimnazistit që fliste për zyshën e vet që kishte një gjoks shumë të madh.”
Por, pjesa e tij nuk u transmetua dhe ai nuk e kuptoi menjëherë pse.
“Arsyeja pse u hoqa nga transmetimi nuk ishte sepse batuta ishte eksplicite, pasi atëherë në Portokalli përdornin edhe batuta më të rënda. Madje këtë batutë e ka përdorur Agroni në një puntatë tjetër. U ndjeva keq sepse ishte një batutë që e kisha bërë unë.”
Pas performancës, gjithçka dukej mirë.
“Kur mbaroi numri, duartrokiti publiku, erdhi Goni me Amin, prezantohem dhe u thashë: ‘Konkurrova në Akademi, por s’ma dhanë shkollën’. ‘Kush janë këta budallenj që s’të kanë dhënë shkollën?’ më thanë. Tha Goni këtë batutën.”
Më pas, zhgënjimi ishte i madh:
“Ndërkohë unë kisha lajmëruar gjithë fisin që do dilja në televizor dhe prit se po dal – hiç. Normalisht u mërzita, se sa kisha mbaruar gjimnazin. 'Portokallinë' e kishim ëndërr sepse ishte i vetmi emision humori dhe normalisht ishte zhgënjim i frikshëm, por s’u mërzita shumë.”
U kthye në Top Channel të hënën për të kërkuar një përgjigje.
“Shkova të hënën për të marrë vesh dhe thotë Altini që: ‘Ti s’mund të përdorësh Portokallinë për të promovuar ose goditur kolegët e mi’, sepse Altini në atë kohë ishte pedagog që zgjidhte studentët në Akademinë e Arteve. Nuk ishte ai me të cilin kisha qenë unë në audicion, por tha: ‘Ti do të godasësh Akademinë’. I thashë: ‘Mua thjesht më pyetën dhe unë u përgjigja, thashë të vërtetën’. Ka qenë i vetmi konfrontim me Altinin. As s’e kisha takuar më përpara, zero. ‘Vazhdo shkollën,’ tha, ‘pastaj shihemi’.”
Por, siç e dimë, rrugëtimi i Visjan Ukcenajt nuk përfundoi me kaq. Debutimi i tij televiziv erdhi në vitin 2011, te “Apartamenti 2XL”, falë mbështetjes së Turjan Hyskos, që besoi tek ai, sipas vetë fjalëve të Visjanit.
Intervistën e plotë e gjeni më poshtë: