
Sipas një studimi nga Universiteti i Essex në Mbretërinë e Bashkuar, vajzat që rriten nga nëna që kanë pritshmëri të larta dhe nuk ngurrojnë t’i përsërisin ato, kanë më shumë gjasa të jenë të suksesshme në jetë.
Studimi që përfshiu mbi 15,000 vajza britanike, të moshës 13 dhe 14 vjeç, përgjatë një periudhe dhjetë-vjeçare, zbuloi se kur nëna (ose figura kryesore prindërore) ka pritshmëri të larta dhe ua bën vajzave të qarta kritikat rregullisht, këto të fundit kanë më pak gjasa të mbeten shtatzëna në adoleshencë, më shumë mundësi të ndjekin universitetin dhe më pak rrezik të mbeten në punëra pa perspektivë ose të jenë të papuna për periudha të gjata kohore.
E thënë më thjesht: të kesh një nënë që të “çan kokën” për mësime, përgjegjësi dhe vendime të duhura, është në fakt një bekim me efekte afatgjata. Edhe kur adoleshentet u kthehen mamave të tyre me bezdi, përgjigje të thata, apo u mbyllin derën e dhomës në fytyrë; fjalët dhe pritshmëritë e mamasë mbeten të ngulitura në mendjen e tyre dhe, pa e kuptuar, ndikojnë në zgjedhjet që ato bëjnë.
Autorja e studimit, Ericka G. Rascon-Ramirez, thekson se edhe kur vajzat përpiqen të bëjnë të kundërtën e asaj që thotë nëna e tyre, ndikimi i saj vazhdon të jetë aty, në sfond, duke ndikuar zgjedhjet e tyre.
“Shpesh, ne bëjmë atë që mendojmë se është më e përshtatshme për ne, edhe nëse është kundër dëshirës së prindërve tanë,” shkruan ajo. “Por, sido që të përpiqemi t’i shmangim rekomandimet e tyre, ato gjithsesi ndikojnë tek ne.”
Studimi gjithashtu tregon se vendosja e shumë pritshmërive njëkohësisht (për shembull: “duhet të shkosh në universitet” dhe “mos të krijosh familje shumë herët”) e shton gjasën që vajzat t’i ndjekin të dyja këto rrugë.
Madje, edhe nëse një vajzë vepron vetëm nga frika se “mos e merr vesh mami”, rezultati është po aq i vlefshëm, ajo ka më shumë gjasa të marrë vendime të kujdesshme që i ruajnë mundësitë për të ardhmen.
Nuk bëhet fjalë vetëm për nota të mira apo vendime të zgjuara në moment, por për formimin e një zëri të brendshëm, që më vonë në jetë i bën vajzat të ndihen më të afta, më të sigurta dhe më të përgatitura për t’ia dalë. Dhe ai zë, zakonisht, ka timbrin e një nëne që s’lodhet duke të të përsëritur të njëjtat gjëra.
Pra, nëse keni pasur (ose keni) një mami që nuk ju lë rehat me këshillat, pyetjet dhe pritshmëritë, thuajini faleminderit. Se, siç duket, ajo vetëm po ngre themelet e suksesit tuaj.
Burimi: Inc.