Disa piratë kanë hyrë në sajtin ueb zyrtar të policisë së South Yorkshire-it, Angli. Një ditë më vonë, është shfaqur një mesazh ku shkruhej: ‘Hacked by nofawkX-al/kuq e zi’ (Hakuar nga nofawk-al), me simbolin e shqiponjës dhe logon e tifozëve kuq e zi në krye. Më vonë, mesazhi u ndryshua duke shënuar: ‘Nuk është vjedhur asnjë e dhënë’ me nënshkrimin ‘Hakerat Shqiptarë’.
Por sipas një eksperti të policisë, bëhet fjalë për një sulm serioz. Ndonëse Policia e South Yorkshire-it rimori kontrollin e sajtit, situata duket të jetë shqetësuese për ta, pasi siç thotë Eliza May Austin, punonjëse e sigurisë, nëse kanë mundur të hyjnë, munden edhe të marrin ndonjë informatë, shkruan BBC.
‘Është mirë të jesh shqiptar’, shkruajtën hakerat në këtë faqe.
Por ky është incidenti i dytë i piraterisë kompjuterike ku përfshihet emri i Shqipërisë, brenda një jave. Një ditë pas fitores së Shqipërisë ndaj Rumanisë, disa hakera hynë në faqen zyrtare të Federatës Rumune, duke lënë pothuajse të njëjtin mesazh:
‘Hacked by nofawkX-al’ dhe më tej, ‘Kuq e Zi i kam rrobat, shqiponjën mbi gjoks, kokën e mbaj lart, për flamurin jap jetën’ dhe në fund: ‘Është mirë të jesh shqiptar’.
Përsëri dukej shqiponja dykrenare dhe një foto nga porta ku Sadiku shënoi golin ndaj Rumanisë. Edhe në këtë rast, faqja u rikuperua nga Federata Rumune e Futbollit.
E duket se bëhet fjalë për të njëjtin grup që vitin që shkoi hakoi sajtin zyrtar të Këshillit të qytetit Falmouth, Angli. Në shtator të 2015-ës, në sajtin zyrtar të Falmouth Town’s Council u shfaq mesazhi:
'Hakuar nga nofawkX-al, kjo është për të gjitha qeveritë’.
Vetëm se atëherë, ishte përdorur simboli i UÇK-së, si edhe ishte përdorur një himn jozyrtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më poshtë, hakerat kishin shkruar:
‘Jemi të lodhur nga të gjithë ju që e quani veten udhëheqës të njerëzve. Jemi të lodhur nga diktatorët, censurimi i medias, tortura, burgimi i detyruar, lufta dhe paqëndrueshmëria. Jemi loshur së qeni refugjatë dhe të burgosurit e qeverisë së tyre të korruptuar’
Kjo revoltë ndaj korrupsionit vazhdonte edhe më tej, duke e konsideruar këtë si një zhvatës së njerëzimit:
‘Njerëzit janë lodhur nga praktikat tuaja korruptuese. Korrupsioni juaj shkon përtej të tepërmes, sepse ju po i vidhni njerëzimit.
‘Ne kërkojmë që korrupsionit zyrtar t’i vijë fundi. Mbajeni mend, mund të gënjeni disa njerëz njëkohësisht e ndonjëherë edhe të gjthë, por nuk mund t’i gënjeni të gjithë përgjithnjë’
Ende nuk është publikuar ndonjë përfundim i hetimeve, për të zbuluar se çfarë i lidh këta hakera rebelë ndaj qeverisë me Federatën Rumune të Futbollit, por duket se hakimi i sajtit të FRF ka qenë thjesht një çështje tifozerie, jashtë kontekstit të hakimeve të tjera.
Në dy rastet e tjera që përmendëm më lart, duket se këta hakera që deklarohen shqiptarë, po përpiqen të ndërmarrin një rol ndëshkues ndaj qeverisë britanike. Ata kanë paralajmëruar më parë edhe se do të hakojnë të tjera sajte që përmbajnë të dhëna të rëndësishme të organeve të qeverisjes në Angli, dhe duket se po e mbajnë premtimin.
Burimi: BBC; DailyMail; Sport.ro/ Përgatiti: Genta Hodo