Pas njoftimit të ditëve më parë, ku Autoriteti i Mediave Audiovizive kërkoi “evitimin e rrethanave me studio televizive që aplikojnë formatet programore me prezencë të përqënduar të publikut”, për të pakësuar rrezikun e përhapjes së koronavirusit nga persona që mund të jenë të infektuar, televizionet morën masa për të përshtatur programet me të ftuar ose publik ose mbylljen e përkohshme të spektakleve.
Top Channel
Fill pas njoftimit të AMA, Top Channel u shpreh se produksioni do të marrë masat e nevojshme për programet që kërkojnë më shumë se dy njerëz në studio/skenë. Fillimisht u njoftua se “Portokalli” do të vinte në formën e “Ditari i Karantinës”, mirëpo dje stafi njoftoi mbylljen e programit të humorit.
“Por shumë shpejt Portokallia do të rikthehet në ekran me gjithë shkëlqimin e saj të paimitueshëm. Projekti ynë i vetëm është ai me Top Channel, adresa ku Portokallia u krijua. Deri atëherë kujdesuni për veten dhe të dashurit tuaj,” shkruhet në njoftim.
Përpos “Portokalli”, edhe "Top Story" dhe "Soiree" ndërprenë transmetimin. Burime të brendshme thonë për Anabel.al se do të mbyllet edhe “Dua të të bëj të lumtur” për shkak se është një program me disa të ftuar plus publik në studio, ndërkohë që “Take me out”, që pritej të niste në prill, do të spostohet në muajt në vijim.
Për shkak se është një program që kërkon pjesëmarrjen e shumë njerëzve, do të ndërpritet edhe “Dilema” e drejtuar nga Eno Popi. Po të njëjtat burime thonë se emisione si “Open”, “Fiks Fare”, “Wake up”, “Shqipëria Live”, “Pop Culture” dhe "E diell" do të përshtaten/janë përshtatur duke pasur pak të ftuar në studio ose duke e ndërtuar programin me video-mesazhe. “E diell” për shembull, me përjashtim të rubrikave që janë regjistruar përpara virusit, po e ndërton programin përmes lidhjeve audiovizive.
View this post on Instagram
Tv Klan
Drejtori i Programacionit në Tv Klan, Albert Dumani, tha për Anabel.al se “programet do të vazhdojnë, thjesht të përshtatura”.
I vetmi program që ndërpreu transmetimin është “Në kurthin e Piter Pan” sepse është i ndërtuar me pjesëmarrjen e fëmijëve, ndaj në një situatë pandemie është me rëndësi distancimi social edhe për të vegjëlit.
Ndërkohë programet e tjera, si “Rudina” apo “E diela shqiptare” po realizohen përmes video-telefonatave me të ftuar ose me pak të ftuar në studio, si në rastin e “Opinion”.
View this post on Instagram
Vizion Plus
Për momentin, Vizion Plus nuk ka në programacion spektakle me shumë të ftuar/publik në studio/skenë. Programet e tjera, si “7pa5” apo “Vizioni i Pasdites”, po vazhdojnë transmetimin duke komunikuar me lidhje direkte.
View this post on Instagram
RTV Ora
RTV Ora do të ndalojë transmetimin e programeve argëtuese, si “Mos i fol shoferit” ose programeve që kanë më shumë se dy të ftuar. Momentalisht programe si “Tempora” apo “Arena” po vazhdojnë transmetimin pa të ftuar në studio, por me video-telefonata.
View this post on Instagram