Sipas sondazhit të Google publikuar në DailyMail, kërkimet më të shpeshta për Shqipërinë ishin në lidhje me çmimin e operacionit plastik të hundës, e njohur ndryshe si Rhinoplastika.
"What is the price of a nose job in Albania" ishte pyetja më e shpeshtë që i referohej vendit tonë. Për drejtuesen e klinikës "Matrix Medical Center" në Tiranë, Adriana Demaliaj, e cila bashkëpunon me një prej kirurgëve plastikë më të suksesshëm italianë, Dr. Fabio Fantozzi, ky interes i të huajve nuk është aspak i çuditshëm.
"Është një realitet që preket" thotë Dr. Demaliaj. "Çmimi i një operacioni në hundë varion nga 1000 - 3000 Euro në Shqipëri, ndërsa në botë nga 2500 - 4500 Euro". Tek Spitali Amerikan, Rhinoplastika është ndërhyrja estetike më e shpeshtë dhe çdo muaj kryhen 15-20 operacione.
"Sigurisht që çmimi i Rhinoplastikës është vendosur për standartet shqiptare dhe kjo është arsyeja që shumë pacientë të huaj vijnë edhe në spitalin tonë për t'u operuar. Mund të themi që çmimet tona shkojnë deri në 70-80% më lirë se në vendet e zhvilluara të Europës" na tregon Oriela Cano, drejtoreshë e Marketingut dhe Marrëdhënieve me Publikun pranë spitalit Amerikan.
Por nuk është vetëm çmimi më i ulët që ngjall interes, por edhe cilësia e operacioneve. Edhe në vendin tonë, përdoren teknikat më moderne siç përdoren në klinikat më të mira të botës.
"Në qendrën tonë, ne operojmë me teknikën e "hundës së hapur", që shumë pak mjekë e bëjnë edhe në botë. Është metoda më e mirë për të ndërhyrë në hundë, por gjithashtu më e kushtueshmja" vijon Dr. Demaliaj
Spitali Amerikan, ndër të parët institucione private që e ka futur këtë operacion në Shqipëri, krenohet jo vetëm për rezultatet e suksesshme të operacioneve që krijojnë një hundë natyrale, por edhe me stafin mjekësor.
"Pacientët duhet të jenë me fat që operohen nga Prof.dr. Isik i cili është një nga emrat më të njohur për profiloplastikën në Turqi dhe në botë dhe ka publikuar shumë artikuj në revistat më prestigjioze" tregon Cano.
Në numrin e kërkimeve në Google krahas të huajve, përfshihen edhe vetë shqiptarët në Shqipëri apo në vende të tjera të cilët kanë interes për këtë lloj ndërhyrje plastike. Tiparet tona mesdhetare, ku përfshihet edhe një hundë pak më e madhe se ajo "perfektja" që reklamohet gjerësisht në media dhe në botën e spektaklit, ka shtyrë shumë njerëz, kryesisht të rinj që të kërkojnë përmirësimin duke e drejtuar, holluar apo zvogëluar hundën e tyre.
"Nga pikëpamja raciale, ne si vend mesdhetar që jemi, kemi një hundë tipike që i përgjigjet shumë mirë operacioneve plastike" thotë Cano.
Shqipëria vitet e fundit ka pasur një rritje të madhe të klinikave të ndërhyrjeve kirurgjikale dhe estetike dhe ka tërhequr një sërë kirurgësh plastikë nga Italia, Greqia, Gjermania apo Austria. Rhinoplastika është edhe një prej ndërhyrjeve të para plastike që janë realizuar nga vetë mjekët shqiptarë dhe vazhdojnë të bëhen në spitalet shtetërore apo nëpër klinika e spitale private.