
Ka vende që i zbulon rastësisht. Në fillim mund të duket si një kafe e zakonshme, një ndalesë e shpejtë gjatë një dite të ngarkuar, por pastaj vjen një moment kur nuhat një aromë apo provon një shije që të bën të mendosh: “Pse nuk e kam zbuluar më herët?”
Kjo ka qenë për mua marrëdhënia me Taste Rubi. Një marrëdhënie që filloi pa pritshmëri, teksa një ditë shkoja në shtëpi aty pranë Komunës së Parisit, e më pas u kthye në një lloj rituali personal. Asokohe mendoja se e njihja kafenë, vetëm sepse trupi im nuk funksiononte dot pa kafeinë, por ajo ishte varësi, jo njohje. Vetëm më vonë, duke dëgjuar historinë e Taste Rubi, kuptova se ka njerëz që i afrohen kafesë me përkushtimin e artizanëve të vërtetë: të qetë, të përulur dhe të dashuruar me zanatin e tyre.

Teksa një ditë po më rrëfenin për fillimet e Taste Rubi, më mbeti në mendje episodi që e shpjegon më mirë se çdo gjë tjetër filozofinë e tyre: një udhëtim në veri të Tajlandës në 2018-ën, në një kafene të vogël që kishte një qetësi thuajse ceremoniale. Aty u ndez një ide që pak kohë më vonë do të merrte formë në Tiranë. Më pëlqen ky detaj i historisë, sepse tregon se gjërat më të bukura shpesh lindin në heshtje, krejt papritur, larg zhurmës, nga njerëz që mendojnë ndryshe nga turma.
Përmes tyre unë mësova se kafeja e specialitetit (specialty coffee) nuk është një term teknik, por një proces i gjatë dashurie dhe respekti. Sa më shumë dëgjoja historitë e tyre, aq më shumë kuptoja se çdo kokërr kafeje mbart një botë të vetën: një klimë, një tokë, një njeri që e ka rritur me durim. Në syrin tim, kafeja e mirë është ajo që respekton origjinën: një filxhan ku terroir ndjehet, ku shija nuk maskohet me pjekje të rënda, por lejohet të tregojë natyrën e vet të pastër.
View this post on Instagram
Kur mësova se European Coffee Trip, platforma më e rëndësishme europiane që vlerëson specialty coffee shops në çdo qytet të kontinentit, e kishte votuar Taste Rubi si kafeneja më e mirë e specialitetit në Shqipëri, reagova njësoj si shumë klientë besnikë: me atë gëzimin që të vjen kur dikush që vërtet e meriton shpërblehet. Ishte një dëshmi se çdo detaj i vogël, çdo filxhan i përgatitur me kujdes, kishte ndërtuar një urë që kaloi kufirin dhe u vlerësua përtej.
Një tjetër aspekt që e bën Taste Rubi unike është mënyra se si i përzgjedhin përbërësit. Nuk bëhet fjalë vetëm për kafe; është një koleksion përvojash që vijnë nga e gjithë bota dhe bashkohen në një hapësirë të vogël në Tiranë. Matcha nga Japonia, e rafinuar dhe delikate; çokollata nga Vietnami, me aromat e tokës së largët; dhe kafe nga rajone të ndryshme, secila me historinë e vet autentike. A nuk është e jashtëzakonshme sa intime bëhet përvoja kur dikush ka menduar kaq thellë për ty?
View this post on Instagram
Pikërisht për këtë arsye, hapja e vendndodhjes të dytë, Rubi 2.0, më emocionoi. Një vend i vogël që duket sikur të pret. Në Sheshin Wilson, mes ritmit të shpejtë të qytetit, kjo hapësirë ka një energji ndryshe: të fton të ulesh, të marrësh kohë për veten, të mos i bindesh nxitimit. Mendoj se kjo është arsyeja pse vendndodhja e re nuk duket si një “degë”, por si një kapitull i ri i një historie që di të ecë sipas ritmit të vetë.

Kam parë shumë vende që hapen e mbyllen, koncepte që duken modernë për një çast e zhduken më pas. Por Taste Rubi më kujton se gjërat e bukura ndërtohen me zemër dhe nuk hyjnë në garë me askënd. Ato nuk vijnë menjëherë - vijnë me durim, me përkushtim dhe me shumë dashuri.
Taste Rubi është një vend që më ka mësuar të ndalem pak sekonda, të shoh, të provoj, të reflektoj. Një vend që nuk është i imi, por që më ka bërë të ndihem sikur jam pjesë e historisë së tij. E tani që e shoh këtë histori teksa rritet, ndihem e privilegjuar që kam mundësinë ta rrëfej përmes këtij artikulli, për ata që ndoshta ende nuk e kanë zbuluar.
Sepse kjo histori, jam e sigurt, sapo ka nisur të shkruhet.