
Nëse po kërkon një libër që të të mbajë mbërthyer, na beso, “Terapisti” është ai që të duhet! Mbresëlënëse, e mbushur me triller dhe e paharrueshme, kjo vepër do të të bëjë ta harrosh gjithçka tjetër, derisa ta mbarosh!
Një goditje tjetër nga bota e trillerave, ku nuk i beson dot as vetes
Keni përpara një roman rrëqethës, turbullues dhe elektrizues. Një histori të mbushur me emocione, që do t’ju mbërthejë e do t’ju bëjë ta përpini librin brenda natës.
Shtëpia botuese “Living” sjell për lexuesit një triller tjetër emocionues, një nga ata që nuk lëshohet dot nga dora derisa i shkon deri në fund:
“Terapisti” nga autorja bestseller B.A. Paris. Me një stil të ngjashëm me një makth që të afrohet ngadalë dhe të mbërthen pa mëshirë, ky roman nuk është thjesht një rrëfim për një lagje të qetë londineze, por për sekretet që fshihen pas fasadave të saj elegante.
Një lagje e përsosur. Një e kaluar e errët. Një grua që nuk pushon së kërkuari të vërtetën.
Kur Liza dhe Leoja zhvendosen në apartamentin e tyre të ri në rezidencën Rrethi, një kompleks luksoz dhe i sigurt në Londër, gjithçka duket si fillim i mbarë. Po shumë shpejt, e kaluara e errët e apartamentit del sheshit: aty ka ndodhur një vrasje. Viktima? Një terapiste e quajtur Nina. I dyshuari? Burri i saj. Po gjërat nuk janë ashtu siç duken.
Liza, e ndjeshme, kureshtare dhe e përhumbur nga e kaluara e saj, nuk mund të jetojë e qetë me atë mister që endet në çdo grimë të shtëpisë së saj. Në vend që ta harrojë, ajo vendos ta zbulojë të vërtetën, duke hyrë gjithnjë e më thellë në një rrjet të rrezikshëm sekretesh, dyshimesh dhe mashtrimesh. Sa më shumë kërkon, aq më e vetme ndihet, dhe aq më e qartë bëhet që dikush nuk dëshiron që ajo të dijë më shumë.
“Terapisti” na përball me mënyrën se si traumat e së shkuarës ndikojnë në të tashmen, se si kujtimet mund të manipulohen dhe se si vetmia mund të na çojë drejt zgjedhjeve të rrezikshme. Autorja e vendos Lizën në një rrethanë ku edhe më të padëmshmit mund të jenë të dyshuar.
B.A. Paris – mjeshtre e tensionit psikologjik
Si gjithmonë, B.A. Paris ngre një tension të padukshëm që të shoqëron në çdo faqe. Me një atmosferë të ftohtë, thuajse klaustrofobike, dhe një rrëfim që luan me perceptimet e lexuesit “Terapisti” është një triller i butë në fillim, por i tmerrshëm në nëntekst. Autorja nuk të jep përgjigje të lehta, përkundrazi, të shtyn të vësh në pikëpyetje gjithçka: a mund t’i besosh fqinjëve të tu? Po atyre që do? Po vetes?
Në këtë roman, personazhet janë po aq të turbullt sa edhe misteri që i rrethon. Liza është një protagoniste që të ngjall simpati dhe njëherësh frustrim, sepse kërkimi i së vërtetës e çon gjithnjë e më pranë rrezikut. Lexuesi e ndjek me frymën pezull, me dyshimin se ndonjëherë ndoshta është më mirë të mos e dish të vërtetën.
Shtëpia botuese “Living” ka sjellë për lexuesit plot 4 libra të tjerë të B.A. Parisit, të cilët kanë shërbyer si bileta arratie për shumë lexues të thekur pas trillerave: “Sekreti i një nate vere”, “Pas dyerve të mbyllura”, “Matrioshka e fundit” dhe “Dilema”. Kryesisht, ajo shkruan për gratë që e ndiejnë se diçka nuk shkon, por askush nuk i beson; për frikën që rritet ngadalë në heshtje; për paranojën që shpesh është thjesht instinkt.
Në librin “Terapisti” ajo ka krijuar një botë ku çdo buzëqeshje mund të jetë e shtirur dhe çdo bisedë një strategji manipulimi. Një roman që nuk të lejon ta mbyllësh dritën pa kthyer kokën pas.
Pasazhe nga libri
"Fus telefonin në xhep dhe hap derën. Ai është me kurriz dhe po shikon nga sheshi, por e njoh menjëherë. Instinkti më thotë që ta mbyll menjëherë derën, por jo aq shpejt sa të mos i shoh fytyrën e habitur kur kthehet. E mbyll dhe zmbrapsem, por sa nuk më del zemra nga kraharori. Pse ka ardhur prapë?"
"Një grua tridhjetë e tetë vjeçe është gjetur e vrarë në Londër. Policia ka shkuar në shtëpinë e saj,te Rrethi, një kompleks i shtrenjtë pranë parkut “Finsbury”, rreth orës 21:30 të mbrëmjes së shkuar, ku ka zbuluar trupin e pajetë të Nina Maksuellit."
"Kur ajo shkon ta marrë, unë e ndjek në heshtje. Libri titullohet “Walden” nga Henri Dejvid Thorou. Në një mënyrë a një tjetër, Thorou funksionon gjithmonë."
"Jeto! - më tha. E pashë e çuditur. - Jeto jetën! Ke njëzet vjet që jeton në të kaluarën. Tani ke një jetë të tërë përpara. Mos e lejo fajin të të hajë të gjallë. Të gjithë bëjmë gabime."