Shumë gra rreth të tridhjetave që nuk kanë bërë fëmiijë përballen shpesh me frazën se po u ikën mosha dhe se nuk do të kenë mundësi të mbeten shtatzënë me kalimin e viteve. Është e vërtetë që fertiliteti bie me rritjen e moshës, por gishti nuk i duhet drejtuar vetëm grave. Mosha e burrave ndikon gjithashtu në fertilitetin e tyre.
Sipas një studimi të ri, shkencëtarët në Harvard zbuluan se burrat e moshës 40 deri në 42 vjeç, kishin 46% më pak shanse të ngjiznin fëmijë me gra nën 30 sesa burrat e moshës 30 deri në 35. Në të njëjtën mënyrë, sperma e një burri 30 vjeç, ka më shumë shanse të ngjizë sesa sperma e një burri 35 vjeç. Me pak fjalë, sa më i madh në moshë partneri, aq më të ulëta shanset për një shtatzëni.
Nga ana tjetër, mosha e babait, gjithashtu ndikon në shëndetin e fëmijës. Baballarët në moshë të madhe kanë më shumë shanse të kenë fëmijë që vuajnë nga autizmi ose skizofrenia.
Zbehja e fertilitetit është parë gjithmonë si një problem femëror, por me studime të tilla që dalin në dritë, duhen hedhur sytë edhe nga pala tjetër. Në këtë mënyrë, do të jetë më e lehtë gjetja e problemit, dhe zgjidhja e tij.