
Shkalla e vdekshmërisë te adoleshentët dhe të rinjtë po rritet në mënyrë shqetësuese, sipas një studimi ndërkombëtar mbi shkaqet e vdekjes në mbarë botën.
Studiuesit vënë në dukje se shkaqet kryesore ndryshojnë sipas rajonit: në Amerikën e Veriut dominojnë vetëvrasjet, përdorimi i drogës dhe alkooli, ndërsa në Afrikën Sub-Sahariane mbizotërojnë infeksionet dhe lëndimet. Sipas tyre, këto të dhëna përbëjnë një “thirrje zgjimi” për një krizë globale shëndetësore që prek gjeneratat e reja.
Studimi tregon se sëmundjet kronike, si ato të zemrës dhe diabeti, përbëjnë tashmë dy të tretat e të gjitha problemeve shëndetësore në botë. Po ashtu, çrregullimet mendore, veçanërisht depresioni dhe ankthi, po rriten me ritme alarmante.
Vlerësimet tregojnë se rreth 50% e barrës globale të sëmundjeve mund të parandalohet nëse reduktohen faktorët e njohur të rrezikut si hipertensioni, ndotja e ajrit, pirja e duhanit dhe mbipesha.
Studimi i titulluar “Barra Globale e Sëmundjeve”, i bazuar në të dhëna nga 300 mijë burime dhe me pjesëmarrjen e 16,500 shkencëtarëve nga e gjithë bota, u publikua në The Lancet dhe u prezantua në Kongresin Botëror të Shëndetësisë në Berlin.
Pavarësisht se në vitin 2023 u shënua një ulje e përgjithshme e vdekshmërisë globale dhe një rimëkëmbje e jetëgjatësisë në 204 vende, autorët e studimit shprehin shqetësim të madh për rritjen e vdekshmërisë tek të rinjtë.
Në Amerikën e Veriut dhe Amerikën Latine, rritja lidhet ngushtë me vetëvrasjet, përdorimin e substancave dhe çrregullimet mendore. Në rajonet më të varfra, situata është edhe më dramatike. Vdekjet e fëmijëve të moshës 5–14 vjeç nga sëmundjet infektive dhe aksidentet rezultojnë më të larta sesa mendohej më parë.
Për vajzat dhe gratë e reja (15–29 vjeç), vdekshmëria është 61% më e lartë në vlerësimet e reja, për shkak të komplikacioneve gjatë lindjes, traumave dhe meningjitit.
Shkencëtarët janë veçanërisht të shqetësuar për rritjen dramatike të çrregullimeve mendore tek adoleshentët. Në dekadën e fundit, niveli global i ankthit është rritur me 63%, ndërsa ai i depresionit me 26%. Në Amerikën e Veriut, kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e vdekshmërisë, sidomos tek vajzat e reja.
Ndërkohë, sëmundjet jo-ngjitëse, si sëmundjet e zemrës, diabeti dhe goditja në tru, përbëjnë tashmë pjesën më të madhe të vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë globale. Kjo prirje është veçanërisht e theksuar në vendet me të ardhura mesatare, ku stili modern i jetesës po sjell pasoja të rënda: mbipesha, dieta e varfër dhe mungesa e aktivitetit fizik.