
Sot (2 gusht) nis Sunny Hill Festival në Parkun e Gërmisë, Prishtinë. Këtë vit, tre performuesit kryesorë janë Miley Cyrus, Calvin Harris dhe Gashi.
Dua Lipa dhe i dashuri i saj, Anwar Hadid, mbërritën në Prishtinë dje. Në aeroport, Dua tha për T7 se “ndihet shumë e lumtur, por nuk e di nëse do të performojë.” Këtë vit, ajo nuk listohet me artistët e tjerë. Ndërsa vjet, që ishte organizimi i parë i Sunny Hill Festival, Dua Lipa rreshtohej përkrah Action Bronson dhe Martin Garrix si performues kryesorë.


Anwar Hadid, vëllai i Gigi dhe Bella Hadid, eksploroi Prishtinën mbrëmë. Kjo është vizita e tij e parë dhe nisur nga postimet në Instagram, po i bën përshtypje. Ai publikoi dy foto të grafitit në muret e qytetit; në njërën përmendet Chuck Norris, agjent i SHIK-ut” dhe në tjetrën një imazh i një burri e një gruaje të barabartë.

Miley Cyrus, e cila do të performojë sot në mbrëmje, gjithashtu mbërriti dje në Prishtinë. Gazeta Express siguroi disa foto e video të këngëtares në aeroport. Shkurtimisht pasi zbriti, këngëtarja u shoqërua nga ekipi i saj në një furgon.

Ndërsa Gashi pritet të mbërrijë në orët në vijim. Reperi është nisur nga New York dhe përgjatë udhëtimit organizoi një giveaway të vogël me bluza të posaçme të festivalit.

Calvin Harris duhet të jetë në Ibiza sonte për hapjen e club-it Ushuaia Ibiza dhe pritet t’i drejtohet nesër Prishtinës.