
Vijon tradita e Grupit BALFIN për të bërë bashkë punonjësit përmes sportit. Për të dymbëdhjetin vit radhazi është mbajtur Kampionati Kombëtar i Volejbollit BALFIN, me 10 skuadra pjesëmarrëse në total, të cilat përfaqësuan kompanitë të Grupit.
Kjo ngjarje e shënuar në kalendarin e Grupit BALFIN u përmbyll me një finale të fortë, nga ku u shpall fitues ekipi i ACREM. Trofeu u dorëzua nga Drejtoresha Ekzekutive e Grupit BALFIN, Edlira Muka, e cila ndër të tjera e vlerësoi kampionatin si eventin që përçon më së miri frymën bashkëpunuese të punonjësve dhe kompanive të grupit.
Prej fillimit të muajit maj dhe deri më datë 23 qershor, 10 ekipe nga kompanitë e Grupit BALFIN garuan me njëra-tjetrën për titullin kampion, nga ku ekipi i BALFIN shpk dhe ACREM dolën si skuadra finaliste, për të zhvilluar ndeshjen për kampion në sallën olimpike “Feti Borova”, në Tiranë.
Ndeshja finale u shoqërua nga një atmosferë dhe entuziazëm i lartë, i nxitur nga mbështetja e punonjësve të tjerë të Grupit, të ardhur posaçërisht në sallë për të suportuar kolegët e tyre.
Nën rregulla plotësisht profesionale, u zhvilluan katër sete, për ta përmbyllur të gjithë kampionatin me shpalljen e fituesit, që ishte ekipi i kompanisë ACREM, me rezultat 1-3.
Pas ndeshjes së finalistëve Balfin shpk - ACREM, Drejtoresha Ekzekutive e Grupit BALFIN, Edlira Muka, mbajti një fjalim përshëndetës, ndërsa e vlerësoi kampionatin si mëshirim të vlerave më të forta të BALFIN, duke veçuar mes tyre frymën bashkëpunuese që punonjësit kanë me njëri-tjetrin.
“Është pikërisht kjo frymë bashkëpunimi që na ka mundësuar të ndërtojmë ekipe profesionistësh brenda kompanive, sienergji mes këtyre të fundit, si dhe të rritemi me ritme të shpejta, duke bërë që secila prej kompanive tona të jetë lider në tregjet ku operon”, - përforcoi Edlira Muka.
Drejtoresha Ekzekutive e Grupit u ndal gjithashtu tek rritja e përmasave të kampionatit dhe planet për të ardhmen.
“Vitin tjetër, Kampionati Kombëtar i Volejbollit BALFIN do të ketë tre ekipe të reja pjesëmarrëse, Kiabi, Flying Tiger dhe Green Coast Hotel. Kjo, dëshmon se kampionati po rritet bashkë me Grupin BALFIN, si në përmasa, ashtu edhe në energji”, - u shpreh ajo.
Këto ekipe të reja lojtarësh pritet të krijohen nga skuadrat e punës që do të formohen në sajë të partneriteteve më të fundit strategjike të BALFIN me markat e njohura globale Kiabi dhe Flying Tiger Copenhagen, si dhe me Accor Group, një nga rrjetet më të mëdha në hoteleri dhe turizëm, me të cilin BALFIN ka sjellë në jug të Shqipërisë hotelin luksoz Green Coast Hotel – MGallery Collection.
Kapiteni i skuadrës fituese, Gazmor Guri, u shpreh për trofeun e rrëmbyer se “fakti që kemi dalë kampion për katër vite rresht, e bën akoma dhe më emocionuese, si për skuadrën, si për anëtarët e ekipit, por edhe për mua si kapiten.”
Ndërsa gjyqtari Artan Pogoni, e konsideroi kampionatin si një “gjetje fantastike” të Grupit BALFIN.
“Në të vërtetë është një aktivitet rekreativ në dobi të dykahshme, si të procesit të punës, ashtu edhe të argëtimit dhe sportit. Të gjithë e dimë se sporti ka për qëllim socializimin, shkarkimit e adrenalinës, garën, bashkëpunimin dhe disiplinën…Unë mendoj që Grupi BALFIN, me Kampionatin Kombëtar të Volejbollit, ka bërë gjetje fantastike në këtë drejtim”, - tha Artan Pogoni.
Përmbyllja e Kampionatit Kombëtar të Volejbollit BALFIN i hap rrugë një eventi tjetër të ngjashëm, që gëzon përmasa edhe më të mëdha. Në muajin nëntor mbahet Kampionati Ndërkombëtar i Volejbollit BALFIN, ku marrin pjesë krahas kompanitë që operojnë brenda vendit, edhe kompanitë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vendet e rajonit.