
Një aksident i rëndë rrugor mbrëmjen e 24 gushtit në aksin Sarandë–Delvinë i mori jetën dy motrave të reja, Elvisa dhe Rozina Dhimaku, përkatësisht 22 dhe 20 vjeç. Në ngjarjen tragjike mbeti e plagosur rëndë edhe shoqja e tyre, 24 vjeç, e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 20:00, kur 23-vjeçari Kevi Norra, banues në Fier dhe punonjës pranë Ministrisë së Brendshme, duke udhëtuar në gjendje të dehur, kreu një parakalim të gabuar në një segment me vija të pandërprera dhe përfundoi në krahun e kundërt të rrugës.
Përplasja ballë për ballë me automjetin ku ndodheshin tre vajzat ishte fatale.
Vajzat po udhëtonin nga fshati Kopaçëz i Delvinës drejt spitalit të Sarandës, për të qëndruar pranë vëllait të tyre 10-vjeçar, i cili është i shtruar për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Elvisa dhe Rozina humbën jetën në vend, ndërsa e plagosura u transportua menjëherë drejt spitalit.

Shoferi Norra iu nënshtrua testit të alkoolit dhe rezultoi me një normë të lartë alkooli në gjak, nivele që e përjashtojnë kategorikisht aftësinë për drejtim automjeti. Ai u arrestua menjëherë në vendngjarje dhe pritet të përballet me akuza të rënda, përfshirë drejtim mjeti në gjendje të dehur, shkelje të rregullave të qarkullimit dhe vrasje nga pakujdesia.
Të dhëna shtesë bëjnë me dije se motrat Dhimaku kishin nisur të ndërtonin jetën e tyre përmes punës dhe studimeve. Rozina ishte studente në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa Elvisa kishte nisur punë në Delvinë.
Ndërkohë, halla e dy vajzave është prononcuar për Top Channel, duke treguar se motrat punonin edhe dy punë për të shëruar vëllain e tyre të sëmurë:
“Jetojmë në këtë dhimbje kaq të madhe, nuk mund të flas shumë. Dy çupat më ikën, nuk kthehen më. Në mbrëmje çupat kishin dalë për të shkuar në punë. Punonin dy punë për shërimin e vëllait. Erdhën në shtëpi nga puna, u qetësuan dhe u nisën për punë sërish se punonin në Sarandë, shisnin misra. 30 minuta pasi ikën, erdhi lajmi. Ikën!
Djali nuk di gjë për këtë, ai ishte shumë i lidhur me to. E kemi larguar nga shtëpia. Kushdo që mundet, të na ndihmojë që të kurojmë djalin dhe ta shpëtojmë”, u shpreh ajo e prekur.
Ngjarja tragjike është një tjetër rast i rëndë që risjell edhe një herë në vëmendje nevojën për respektimin e rregullave të qarkullimit dhe kontroll më të rreptë ndaj drejtuesve të mjeteve në gjendje të dehur.