Nisur nga Alba Festival që do të mbahet në Zyrih në fund të muajit – ku do të performojnë artistë të njohur të muzikës shqiptare – Ledri Vula dha një intervistë disa minutëshe për portalin 20 Minuten, një ndër mediat në Zvicër që bëri publike akuzat për mashtrim dhe zhvatje parash kundrejt Loredanës.
“Po, jam informuar për lajmet; normal kanë bërë bujë edhe tek ne. Askush nuk gëzohet për ngjarje të tilla që ndodhin,” u shpreh reperi .”Unë mendoj që Loredana është një artiste shumë e talentuar dhe shumë e mirë.”
Më tej, i pyetur nëse një lajm i tillë e prezanton mirë Kosovën, reperi i është përgjigjur me “nuk na prezanton mirë”.
Po kështu Valdrin Lluka, ministër i Ekonomisë së Kosovës, u shpreh pak kohë më parë se Loredana Zefi i ka dëmtuar imazhin Kosovës me akuzat që janë ngritur ndaj saj në Zvicër. Ministri Lluka tha se nuk e njeh personalisht Loredanën, por incidentet e kanë prekur. “Në Kosovë kujdesemi shumë për të mbrojtur imazhin tonë. Kjo ndodh veçanërisht me shtetet që janë miqësore me Kosovën,” tha ai. “Zvicra historikisht na ka mikpritur.”
Nga ana tjetër, Fifi i doli në mbrojtje përmes një postimi në Instagram. “Loredana edhe pse nuk njihemi personalisht, si të Ferizajit që jemi të dyja, si do që të shkojë kjo histori, ke mbështetjen time vajzë. Unë jam me ty,” shkroi ajo.