
Kreu i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) tha se punonjësit e saj, si edhe mjekë e punonjës humanitarë, po bien pa ndjenja gjatë detyrës për shkak të urisë dhe lodhjes, raportoi Reuters.
Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, tha në një deklaratë të ndarë nga zëdhënësi i tij gjatë një konference për shtyp në Gjenevë:
“Kujdestarët, përfshirë kolegët e UNRWA-së në Gaza, kanë nevojë vetë për kujdes tani – mjekë, infermierë, gazetarë, punonjës humanitarë – mes tyre edhe stafi i UNRWA-së janë të uritur. Shumë po bien pa ndjenja për shkak të urisë dhe rraskapitjes, ndërsa janë në krye të detyrës”, u shpreh ai, ndërsa e cilësoi situatën në Gaza si “ferri mbi tokë”, duke treguar se askund, askush nuk është i sigurt!
UNRWA vlerëson se 1,000 persona të uritur janë raportuar të vrarë ndërsa kërkonin ndihmë ushqimore që nga fundi i majit. Pas dështimit të bisedimeve për të zgjatur një armëpushim gjashtëjavor, Izraeli vendosi një bllokadë totale në Gaza më 2 mars, duke mos lejuar asnjë ndihmë që të hyjë në territor, për të dhënë ndihmën e nevojshme.
Në një postim në X të hënën, UNRWA tha se mungesat në territorin palestinez kishin bërë që çmimet e ushqimeve të rriteshin 40-fish, ndërsa ndihmat e magazinuara jashtë Gazës mund të ushqejnë “të gjithë popullsinë për më shumë se tre muaj.”
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u shpreh se ushtria izraelite sulmoi banesën e stafit dhe magazinën kryesore të saj në Deir al-Balah të hënën, duke kompromentuar operacionet e saj në Gaza. OBSH deklaroi se banesa e stafit u godit tre herë, me sulme ajrore që shkaktuan zjarr dhe dëme të mëdha, duke rrezikuar jetët e stafit dhe familjarëve të tyre, përfshirë fëmijët.
Të hënën (21 korrik), për herë të parë, tanket izraelite u futën në lagjet jugore dhe lindore të Deir al-Balah – një zonë ku, sipas burimeve izraelite, mund të ndodhen pengje. Granatimet me tanke goditën shtëpi dhe xhami, duke vrarë të paktën tre palestinezë dhe plagosur disa të tjerë, thanë mjekët vendas.
OBSH tha: “Ushtria izraelite hyri në ambientet e saj, duke detyruar gratë dhe fëmijët të evakuohen në këmbë drejt “al-Mawasi-t”, në mes të luftimeve. Stafi i përbërë prej burrrave dhe familjarët e tyre u lidhën me pranga, u zhveshën, u morën në pyetje në vendngjarje dhe u kontrolluan nën kërcënimin e armëve”.
Sipas një postimi në X, dy anëtarë të stafit të OBSH-së dhe dy familjarë të tyre u arrestuan. Tre prej tyre u liruan më pas, ndërsa një anëtar i stafit mbetet ende në paraburgim. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, kërkoi “lirimin e menjëhershëm të stafit të prangosur dhe mbrojtjen e gjithë personave që japin ndihmën e tyre”.
Në zona të tjera, granatimet izraelite me tanke vranë të paktën 12 palestinezë dhe plagosën dhjetëra të tjerë në një kamp me tenda në perëndim të qytetit të Gazës në veri të territorit, thanë autoritetet lokale të shëndetësisë gjatë 22 korrikut.
Mjekët thanë se tanket e pozicionuara në veri të kampit “Shati” qëlluan dy predha drejt tendave ku strehoheshin familje të zhvendosura, duke vrarë të paktën 12 persona.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar ende për këtë incident.
Situata në Gaza është thjesht shumë e rëndë dhe palestinezët janë në prag urie, ndërsa është raportuar dhjetëra herë për një krizë të thellë humanitare. Pavarësisht paralajmërimeve të shumta nga vendet e BE-së, shpeshherë dhe nga SHBA, presidenti Benjamin Netanyahu i ka injoruar thirrjet për armëpushim dhe ndalimin e gjenocidit, duke vijuar të kryejë krime të shumta humanitare në Gaza.