
Aktori Dylan Sprouse, i njohur për publikun nga roli i tij në Disney Channel, bëri një paraqitje në tapetin rozë për të mbështetur bashkëshorten e tij, modelen Barbara Palvin, e cila sfiloi në spektaklin e “Victoria’s Secret” këtë të enjte.
Por përveçse e shoqëroi Palvin në një mbrëmje të rëndësishme për karrierën e saj, Sprouse përdori këtë rast për të promovuar një kauzë që u qëndron shumë të dyve: ndërgjegjësimin për endometriozën, duke mbajtur një fjongo të verdhë që përfaqëson këtë kauzë.
Endometrioza është një gjendje kronike dhe e dhimbshme, ku ind i ngjashëm me atë të mukozës së mitrës rritet jashtë mitrës. Ajo shpesh mbetet e padiagnostikuar, megjithëse miliona gra në mbarë botën vuajnë prej endometriozës.
“Barbara sapo kaloi një operacion për endometriozën dhe po shpërndaj këto simbole sonte, thjesht për të rritur ndërgjegjësimin.”
Ai u shpreh se Palvin ishte “jashtëzakonisht e fortë që përballoi këtë përvojë” dhe rrëfeu se çfarë ndodhi pasi ajo bëri një postim publik pas operacionit.
“Kur postoi për të, shumë njerëz i shkruan,” – tha Sprouse.
“Shumë gra që kishin përjetuar të njëjtat gjëra. Dhe mendoj se thjesht nuk flitet sa duhet për këtë.”
Ai shtoi se disa gra i kishin shkruar Palvin duke i thënë:
“Nuk e kuptova që simptomat e mia mund të ishin endometriozë, derisa u diagnostikova pasi pashë postimin tënd.
Nëse ky është qoftë edhe një hap i vogël që mund të ndihmojë dikë, atëherë shpresoj vërtet që të bëjë ndryshim,” – përfundoi ai.
Në mbyllje të intervistës, Dylan u shpreh plot dashuri për partneren e tij:
“Ajo është jashtëzakonisht e fortë, dhe jam shumë krenar që e quaj gruan time.”
Ah, çfarë burri!