
Catherine O’Hara, aktorja e njohur për rolet e saj në "Schitt’s Creek", "Home Alone" dhe "Best in Show", ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga menaxheri i saj për Variety. O’Hara ndërroi jetë pas një beteje të shkurtër me një sëmundje, por ende janë bërë publike detaje mbi shkakun.
Aktorja e nisi karrierën e saj në filmat komedi në vitet ’70 dhe ndihmoi në krijimin e emisionit satirik kanadez SCTV.
U bë pjesë e kinematografisë në vitet ’80 dhe rolin e saj të parë të rëndësishëm e pati në filmin "Nothing Personal", krah Donald Sutherland.

Në vitin 1985, ajo ishte pjesë e filmit "After Hours" të regjisorit Martin Scorsese. Tre vite më vonë, Catherine O’Hara u shfaq në një tjetër film të dashur për ndjekësit, "Beetlejuice" të Tim Burton dhe ishte sërish pjesë e tij edhe gjatë vazhdimit në vitin 2024.
Një nga rolet e saj më të njohura mbetet ai i nënës së papërgjegjshme të personazhit të Macaulay Culkin në komedinë shumë të suksesshme "Home Alone" (1990), rol që e riktheu edhe në vazhdimin e filmit gjatë vitit 1992.

Në vitin 1996 filloi të punonte krah Christopher Guest me një dokumentar satirik "Waiting for Guffman" dhe vazhdoi me tre filma të tjerë të po të njëjtit zhanri: "Best in Show", "A Mighty Wind" dhe "For Your Consideration".
“Në përgjithësi më tërheqin personazhet që nuk kanë asnjë ide se çfarë përshtypjeje po lënë tek të tjerët,” tha ajo për The Guardian në vitin 2021.
“Të gjithë duam t'i ikim pak realitetit dhe këtë e dua te njerëzit madje më pëlqen shumë ta interpretoj.”
