
Të pasur, të pushtetshëm dhe të bukur mund të jenë, por Beckham-ët me shumë gjasë po kalojnë një ditë më të keqe se e jotja. Brooklyn, djali i madh i familjes, ka thyer heshtjen për përçarjen me prindërit e tij. Dhe nuk i kurseu fjalët – nga “ankthi” që thotë se e ka shoqëruar duke u rritur nën dritën e reflektorëve te “kërcimi i papërshtatshëm” i së ëmës në dasmën e tij dhe jo vetëm. Ja shpjegimi i gjithë pretendimeve të tij në Instagram dhe detaje të tjera.

Foto: Geoffroy van der Hasselt/AFP/Getty Images
1. Ekspertët e gjuhës së trupit ndoshta kishin të drejtë
Brooklyn Beckham shokoi internetin me disa pretendime, por thelbi është ky: ai konfirmoi se është distancuar nga prindërit dhe nuk ka dëshirë të pajtohet me ta. Siç ishte hamendësuar gjerësisht, përplasja lidhet me marrëdhënien e tij me Nicola Peltz, një aktore 31-vjeçare e njohur kryesisht si bashkëshortja e Brooklyn-it, por edhe për rolet e saj në “Bates Motel” dhe në filmin e katërt “Transformers”.
Çifti nisi të dilte bashkë në fund të vitit 2019, e konfirmoi lidhjen në janar 2022 dhe u martua në prill të po atij viti. Tabloidët, së bashku me panelin e tyre të zakonshëm të “ekspertëve” të gjuhës së trupit, kanë tentuar ta paraqesin Nicola-n si një amerikane të etur për famë, të ardhur për të trazuar ujërat brenda familjes Beckham.
Tani, Brooklyn e quan këtë narrativë “krejtësisht të përmbysur”, duke thënë se nëse dikush ka tentuar ta kontrollojë, ata kanë qenë prindërit e tij. Ai përshkruan mosmiratimin e familjes Beckham ndaj Nicola-s dhe përpjekjet e vazhdueshme për ta “shkatërruar” marrëdhënien e tyre. “Gruaja ime është trajtuar vazhdimisht me mungesë respekti nga familja ime, pavarësisht përpjekjeve tona për të qenë një familje,” shkruan ai.
Natën para dasmës, sipas Brooklyn-it, “anëtarë të familjes sime më thanë se Nicola ‘nuk është gjaku ynë’ dhe ‘nuk është familje’” (gjë që ngre pyetjen: me kë donin ata që të martohej Brooklyn)? Edhe pse nuk është shumë i qartë për aspektet ligjore, Brooklyn pretendon gjithashtu se prindërit kanë ushtruar presion që ai të nënshkruante “heqjen dorë nga të drejtat” mbi emrin Beckham, me sa duket për të mos lejuar që Nicola të kishte pretendime si nusja e ardhshme.

Foto: Stu Forster/Getty Images
2. Kur familja flet me “block” dhe “unfollow”
Edhe pse duket qartë se kjo përplasje ka kohë që zien nën sipërfaqe, vendimi i Brooklyn-it për të “nxjerrë të palarat” publikisht duket se u nxit nga një deklaratë e fundit e vëllait të tij, Cruz. Pak ditë para Krishtlindjeve, Cruz, 20 vjeç, postoi një story në Instagram ku hodhi poshtë zërat se David dhe Victoria e kishin hequr Brooklyn-in nga Instagrami. “NUK ËSHTË E VËRTETË. Mamaja dhe babai im nuk do t’i bënin kurrë unfollow djalit të tyre… Ata u zgjuan të bllokuar… Ashtu si edhe unë,” shkroi ai.
Brooklyn thotë tani se vëllezërit e tij, Cruz dhe Romeo (23 vjeç), ishin porositur më herët “për ta sulmuar” në rrjetet sociale dhe se e kishin bllokuar papritur verën e kaluar. Ai e paraqet këtë si pjesë të një modeli të vjetër të menaxhimit të imazhit të familjes, që vepron prapa skenave, dhe që, sipas tij, e detyroi më në fund të fliste hapur. “Kam heshtur për vite me radhë dhe kam bërë gjithçka për t’i mbajtur këto çështje private,” shkruan ai. “Fatkeqësisht, prindërit e mi dhe ekipi i tyre kanë vazhduar të shkojnë te shtypi…Nuk po kontrollohem, për herë të parë në jetën time po mbroj veten.”
David dhe Victoria ende nuk kanë reaguar publikisht. Të martën në mëngjes, Beckham u fotografua në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke “u përpjekur të dukej i fortë”, siç e interpretoi Daily Mail. Ironikisht, tema e këtij viti është “Fryma e dialogut”.
3. Takimet familjare kanë qenë, kuptohet, të mbushura me tension
Mungesa e Brooklyn-it në festën e 50-vjetorit të David-it vitin e kaluar u bë një moment kyç në këtë sagë dhe u interpretua gjerësisht si provë e ndikimit të Nicola-s. Tani, Brooklyn thotë se ai dhe Nicola udhëtuan drejt Londrës për të kaluar “kohë cilësore” me David-in, por u “refuzuan” nga vetë kryefamiljari.
Sipas tij, David Beckham ishte i gatshëm të takohej me të birin vetëm gjatë festës, “me njëqind të ftuar dhe kamera në çdo cep”, ose privatisht, por “me kusht që Nicola të mos ishte e ftuar”. “Ishte një shuplakë në fytyrë,” shkruan Brooklyn. Më vonë, kur familja udhëtoi drejt Los Angeles-it, ku jetojnë Brooklyn dhe Nicola, “ata refuzuan të më takonin fare”.

Foto: Darren Gerrish/WireImage
4. Një martesë dhe shumë të pathëna
Një tjetër moment që Brooklyn ka dashur ta sqarojë është dasma e tij në prill 2022. Sipas raportimeve të kohës, Nicola Peltz pritej të vishte një fustan të krijuar nga Victoria Beckham, por në fund u shfaq me Valentino – gjë që u interpretua gjerësisht si një përbuzje ndaj vjehrrës së saj. Tani, Brooklyn thotë se Nicola u detyrua të gjente një alternativë pasi Victoria e anuloi fustanin “në minutën e fundit”.
Megjithatë, ky version bie ndesh me dëshmitë e dhëna më herët nga stilistja e Nicola-s, Leslie Fremar, e cila ka deklaruar se fustani i Valentino-s ishte rezultat i një procesi që zgjati rreth një vit, me disa prova dhe udhëtime në Romë dhe SHBA. Edhe vetë Nicola, në intervista të ndryshme pas dasmës, ka shpjeguar se atelia e Victoria Beckham nuk kishte mundësi ta realizonte fustanin në kohë, duke mohuar ekzistencën e një përplasjeje të drejtpërdrejtë.
Por Nicola ka dhënë edhe një version tjetër të historisë së fustanit të nusërisë. Në një intervistë për Grazia USA, ajo tregoi se pasi nisën të flisnin për të projektuar fustanin me Victoria Beckham, kaluan disa ditë pa asnjë përgjigje, deri sa Victoria kontaktoi nënën e Nicola-s për t’i thënë se atelia e saj nuk mund ta realizonte fustanin në kohë. Pas njoftimit se kjo nuk do të ndodhte, ajo u konsultua me nënën dhe stilisten për hapin tjetër, dhe më pas vendosi të kalonte te Valentino, markë që e pëlqente prej kohësh.

Foto: German Larkin
Drama, sipas Brooklyn, vazhdoi edhe ditën e dasmës. Brooklyn pretendon se Victoria “ia rrëmbeu” vallëzimin e parë me Nicola-n, duke i vënë në siklet përpara 500 të ftuarve. Sipas rrëfimit të tij, kur këngëtari Marc Anthony e thirri në skenë për atë që duhej të ishte momenti i tij “romantik” i parë me nusen e re, “mamaja ime po priste të vallëzonte me mua”.
“Ajo kërceu me mua në mënyrë krejtësisht të papërshtatshme para të gjithëve. Nuk jam ndjerë kurrë më në siklet apo më i poshtëruar në gjithë jetën time,” shkruan Brooklyn. Kur ai dhe Nivola rinovuan betimet martesore vitin e kaluar, disa muaj pas festës së ditëlindjes së të atit, ai thotë se kjo u bë për të “krijuar kujtime të reja”.
5. Brooklyn përfshiu edhe gjyshet në këtë histori
Nuk është vetëm Marc Anthony ai që është tërhequr në këtë sagë të trishtë. Një tjetër pikë përplasjeje rreth dasmës Beckham–Peltz duket se ka qenë vendimi i çiftit për të ulur gjyshet në tryezën e tyre, dhe jo prindërit. Brooklyn shpjegon se kjo u bë sepse “Nanny Sandra”, nëna e David-it, dhe “Naunni i Nicola-s” (naunni - term përkëdhelës familjar që përdoret nga Nicola Peltz për t’iu referuar gjyshes së saj) ishin të dyja pa bashkëshortë, ndërsa Victoria dhe David u ulën në një tryezë tjetër, “po aq pranë”.
Megjithatë, duket se kjo zgjedhje nuk u prit aspak mirë nga Victoria. “Mamaja ime shkoi deri aty sa më quajti ‘i lig’,” thotë Brooklyn.

Foto: Dave Benett/Getty Images
6. A po i rikthen Victoria ish-et nga arkivat?
Një tjetër përshkallëzim i fundit i dramës lidhet me marrëdhënien e vëllait Romeo me modelen/DJ Kim Turnbull. Romeo dhe Turnbull nisën të dilnin bashkë në fund të vitit 2024 dhe u shfaqën së bashku edhe në festën e 50-vjetorit të David-it verën e kaluar. Turnbull është fotografuar shpesh gjithashtu në shoqërinë e Victoria-s, çka dukej se tregonte një marrëdhënie të afërt mes tyre.
Kur ajo dhe Romeo u ndanë për pak kohë vitin e kaluar, një burim i tha Daily Mail se ishte “vërtet për të ardhur keq”, pasi “David dhe Victoria e adhuronin shumë”. Marrëdhënia shkaktoi debat që në fillim, pasi Turnbull ishte përfolur më herët për një lidhje me Brooklyn-in. Cruz i ka mohuar këto zëra, duke thënë se Brooklyn dhe Kim nuk ka qenë kurrë në një lidhje.

Foto: Romeo Beckham/ Instagram
Megjithatë, Brooklyn duket se i referohet pikërisht këtij tensioni mes vëllezërve në deklaratën e tij, duke akuzuar të ëmën se ka organizuar takime mes tij dhe Nicola-as me ish-partneret e tij, “qartazi…për të na vënë të dyve në siklet”.
7. Edhe qentë u bënë pjesë e konfliktit
Mes gjithë kësaj pakënaqësie, Peltz-Beckham t kanë gjetur ngushëllim te katër qentë e tyre, të njohur në Instagram si “@peltzbeckhambabies”. (Llogaria u prezantua me shumë bujë nga Nicola korrikun e kaluar, por ishte aktive vetëm për një javë dhe ende mezi ka mbi 500 ndjekës.)
Peltz, në veçanti, është një dashamirëse e kafshëve. Ajo ka bashkëpunuar më parë me organizata shpëtimi dhe ka bërë thirrje për ligje më të forta në mbrojtje të kafshëve.
Në fillim të vitit të kaluar, Nicola dhe Brooklyn thuhej se ishin “gati të nisnin” fondacionin jofitimprurës Peltz Beckham Foundation, për qentë e pastrehë në Los Angeles, por kjo nuk u realizua kurrë, ndoshta për shkak të mosmarrëveshjeve që Brooklyn përshkruan tani lidhur me përdorimin e emrit Beckham.
Në deklaratën e tij, ai e përmend mungesën e mbështetjes nga familja për nismat e së shoqes në mbrojtje të kafshëve si një tjetër dëshmi të mungesës së respektit: “Herën e vetme që gruaja ime i kërkoi mbështetje mamit tim për të shpëtuar qentë e pastrehë gjatë zjarreve në Los Angeles, mamaja ime refuzoi.”

Foto: Karwai Tang/WireImage
8. Një histori që trazoi mitin Beckham
Sado të pavërteta të duken disa nga akuzat e Brooklyn-it, rrëfimi i tij për manovrat e pamëshirshme në prapraskenë nga prindërit, me qëlim për të mbrojtur brandin Beckham, vë seriozisht në pikëpyetje imazhin që ata kanë kultivuar së fundmi në media. Si Victoria ashtu edhe David kanë qenë subjekt i dokumentarëve në Netflix.
Brooklyn ishte i pranishëm në premierën e “Beckham” në vitin 2023, ku pozoi krah të dy vëllezërve, por mungoi në festën e Netflix-it për Victoria Beckham-in tetorin e kaluar. Tani ai shkruan se është “rritur me ankth”. “Gjatë gjithë jetës sime, prindërit e mi kanë kontrolluar narrativat në shtyp për familjen tonë. Postimet teatrale në rrjetet sociale, eventet familjare dhe marrëdhëniet joautentike kanë qenë pjesë e pandashme e jetës në të cilën linda.”
Mes sulmit të tij personal, tejet publik, ndaj një familjeje që konsiderohet si “institucion” në Britani dhe martesës me një nuse amerikane, shumëkush e ka krahasuar Brooklyn-in me Princin Harry, duke sugjeruar se ai mund të jetë duke shënjestruar edhe një dokumentar të vetin në Netflix.
Ai dhe Nicola, të paktën, kanë mbështetjen e Rebecca Loos – ish-asistentes personale të David Beckham-it, e cila pretendoi se kishte pasur një lidhje me David-in në vitin 2004. Beckham e ka mohuar gjithmonë këtë akuzë, përfshirë edhe në dokumentarin e vitit 2023.
Duke iu përgjigjur një komentuesi në Instagram, Loos shkroi: “Jam shumë e lumtur që më në fund po mbron veten dhe po flet hapur!!!! Më ka ardhur shumë keq për gruan e tij të shkretë, duke e ditur shumë mirë se si mund të jenë ata!” Duke cituar Brooklyn-in, ajo shtoi: “E vërteta gjithmonë del në shesh.”
9. Një familje ikonë në krizë
Teksa tabloidët nxitojnë të zbërthejnë e ushqejnë një e nga një pretendimet e shumta të Brooklyn-it, postimi i tij ka hapur edhe një debat më të gjerë mbi largimin nga familja, një fenomen që thuhet se po shtohet gjithnjë e më shumë mes të rinjve që ndërpresin marrëdhëniet me familjen.
Brooklyn ka tentuar ta paraqesë “largimin” nga familja si një zhvillim pozitiv, duke thënë se për herë të parë në jetën e tij nuk ka ankth dhe se ka gjetur “qetësi dhe lehtësim” pranë Nicola-s.
Megjithatë, është e drejtë të thuhet se ai ende nuk e ka gjetur thirrjen e tij në jetë, siç dëshmojnë edhe përpjekjet e shkurtra e jetëshkurtra në modeling, fotografi dhe kuzhinë. As nuk ka arritur t’i shpëtojë vëmendjes së vazhdueshme që sjell mbiemri i tij.
Burimet: Guardian, Grazia, Daily Mail


