
Vedat Ademi u emocionua gjatë intervistës me Dalina Buzin në "The Dalina Show" në Andale, teksa ka folur për herë të parë dhe me dhimbje për traumat që ka përjetuar gjatë luftës në Kosovë. Rikthimi i tij këtë vit në Festivalin e Këngës me këngën “Kur fjala mbaron” lidhet pikërisht me këtë plagë personale, një tekst që prek tema si lufta, humbjet dhe mbijetesa.
Duke folur për mesazhin e këngës, ai shpjegoi:
“Kur fjala mbaron do të thotë që ishim pa emër, ishim vetëm numra për armikun. Tema është e fortë, ndërkohë që ne flasim, vazhdon bota të jetë rrëmujë. Si fëmijë lufte e gjeta veten te kjo këngë. Më prek normalisht, flas me emocion tani.”
Vedati rrëfeu për herë të parë episode të rënda nga viti 1999, të cilat i kanë lënë gjurmë të pashlyeshme.
“Kam qenë vetë atje në ’99-ën. Bashkë me vëllain kemi qenë për një periudhë nëpër male, nga një mal në një mal tjetër. Kemi parë gjëra që mbeten në memorien tonë. Kam qenë 16-17 vjeç dhe kemi parë shpesh vdekjen me sy.”
Ai kujtoi dhe një udhëtim të rrezikshëm për të parë nëse prindërit ishin gjallë:
“Një rast, vinim nga zona e Drenicës për të parë prindërit, si ishin, a ishin gjallë, çfarë ka ndodhur. Fshehurazi kemi kaluar nën një urë, kanë qenë dhe dy ushtarë të UÇK-së me ne. Në atë lagjen tonë janë marrë gjithë burrat, janë torturuar. Ne kemi qenë ndër të vetmit që shpëtuam.”
Këngëtari shtoi se shumë prej përvojave po i tregonte për herë të parë:
“Nuk kam folur asnjëherë për këtë temë. Ka qenë një rast që kam qenë duke larë dhëmbët në krua, u fut granata, por fatmirësisht nuk shpërtheu. Ka pasur raste që kemi qenë nëpër male për t’i shpëtuar postbllokut dhe kemi dalë mu përpara postbllokut.”
Intervista e plotë: