
Gazeta “The New York Times” ka ngritur një padi kundër kompanisë prodhuese të Justin Baldoni-t, Wayfarer Studios LLC, duke kërkuar rikuperimin e shpenzimeve që lidhen me padinë për shpifje që aktori i kishte bërë gazetës, e cila tashmë është rrëzuar.
Sipas padisë së dorëzuar të martën, më 30 shtator, në Gjykatën Supreme të New York-ut, gazeta kërkon “tarifat dhe shpenzimet e shkaktuara gjatë mbrojtjes nga padia për shpifje e ngritur nga Wayfarer dhe bashkëpunëtorët e saj”. Kompania e Baldoni-t është i vetmi i pandehur në këtë rast.
Duke iu referuar ligjit, gazeta kërkon “dëme dhe dëmshpërblime ndaj paditësve që fillojnë ose vazhdojnë veprime ligjore të kota për të frikësuar, ngacmuar ose penguar në mënyrë të qëllimshme lirinë e fjalës”.
The New York Times kërkon të paktën 150,000 dollarë dëmshpërblim.
Avokati i Baldoni-t, Brian Friedman, deklaroi:
“Ne refuzojmë t’i përulemi forcave të fuqishme, edhe kur shanset duken të pamundura. Ne qëndrojmë për një qëllim të thjeshtë: ndjekjen e së vërtetës përballë gjigantëve. Refuzimi ynë për të kompromentuar vlerat tona tregon besimin se mbrojtja e së vërtetës dhe e drejtësisë ka rëndësi. Nëse ligjet aktuale mbrojnë median tradicionale në këtë mënyrë, ndoshta është detyra jonë të nxisim ndryshimin.”
Kjo çështje është një goditje e rëndë për Baldoni-n, 41 vjeç, pasi më 9 qershor një gjyqtar rrëzoi si padinë e tij kundër gazetës, ashtu edhe padinë prej 400 milionë dollarësh ndaj Blake Lively, bashkëshortit të saj Ryan Reynolds dhe gazetares Leslie Sloan. Vendimi argumentonte se akuzat nuk përbënin shpifje.
Në një deklaratë, Times theksoi se “vendimi i Gjykatës Federale tregon se Wayfarer dhe bashkëpunëtorët e saj nisën dhe vazhduan padinë kundër The New York Times pa një bazë të fortë faktike apo ligjore.”