
Sfilata Pranverë/Verë 2026 e Giorgio Armani, e mbajtur në Galerinë Brera në Milano, u kthye në një ngjarje të jashtëzakonshme, jo vetëm për koleksionin e paraqitur, por edhe për atmosferën që u krijua. Emra të njohur të kinemasë dhe artit, si Cate Blanchett, Richard Gere, Glenn Close, Spike Lee dhe Samuel L. Jackson, ishin të pranishëm për t’i bërë homazh stilistit legjendar, vetëm pak javë pas ndarjes së tij nga jeta më 4 shtator 2025, në moshën 91-vjeçare.
Në një seri postimesh në Instagram, shtëpia e modës Armani përshkroi koleksionin:
“Këto silueta mbartin ngarkesën emocionale të asaj që do të zbulohet së shpejti. Me tekstura të formuara nga drita e detit dhe nuanca që i bëjnë jehonë ngrohtësisë së metaleve, çdo pamje shtrihet mes hijes dhe shkëlqimit, çdo siluetë është një kalim drejt zbulimit të koleksionit.”
View this post on Instagram
Kjo sfilatë u mbajt pak ditë pas përurimit të ekspozitës “Giorgio Armani, Milano, për dashurinë”, po në Galerinë Brera, një ekspozitë që përmbledh mbi 100 vepra që përfaqësojnë pesë dekada krijimtari. Veprat ishin përzgjedhur vetë nga Armani në muajt e fundit të jetës së tij.
Në një deklaratë nga kompania e tij, thuhet se stilisti “kishte punuar deri në minutën e fundit” për organizimin e sfilatës dhe ekspozitës, si dëshmi e palëkundur përkushtimi, respekti dhe angazhimi ndaj punës, vlera që e kanë përcaktuar gjithë jetën dhe karrierën e tij dhe që ai ua ka ngulitur bashkëpunëtorëve të tij ndër vite.
Megjithatë, në intervistën e tij të fundit, të botuar në Financial Times më 29 shtator, Armani rrëfeu edhe një peng personal:
“E vetmja gjë për të cilën pendohem është se kam kaluar shumë orë duke punuar dhe jo mjaftueshëm kohë me miqtë dhe familjen.”
Shikoni më poshtë videon me të ftuarit e famshëm që morën pjesë në këtë sfilatë të paharrueshme në nder të një prej emrave më të mëdhenj të modës botërore.
View this post on Instagram