
Aktorja Gwyneth Paltrow, njëkohësisht ish-bashkëshortja e këngëtarit të Coldplay, Chris Martin, ka bashkuar forcat me startup-in e teknologjisë Astronomer, në një video promocionale, ku bën shaka me skandalin që përfshiu ish-CEO-n e kompanisë Andy Byron dhe ish-drejtoreshën e burimeve njerëzore, Kristin Cabot, të cilët u filmuan në një “kiss cam” gjatë një koncerti të Coldplay pranë Bostonit.
Në videon e postuar në llogarinë zyrtare të kompanisë në platformën X (ish-Twitter), aktorja e njohur thotë:
“Faleminderit për interesin tuaj ndaj Astronomer. Jam punësuar për një periudhë shumë të shkurtër për të folur në emër të më shumë se 300 punonjësve të kompanisë.”
Paltrow thekson se Astronomer ka marrë “shumë pyetje këto ditë”, dhe se ajo është aty për të dhënë përgjigje për disa nga më të zakonshmet. Por, në vend që të flasë për skandalin, ajo shmang me elegancë çdo pyetje dhe kalon menjëherë te përshkrimi i kompanisë:
“Astronomer është vendi më i mirë për të përdorur Apache Airflow.
Jemi të lumtur që ka kaq shumë njerëz që po zbulojnë sa interesant është automatizimi i flukseve të të dhënave.”
Videoja hapet me një ekran ku dikush shkruan: “Zot! Çfarë dreqin ndodhi?”, dhe më pas kalon te Paltrow, e cila flet qetësisht, sikur asgjë s’ka ndodhur.
View this post on Instagram
Kur videoja tenton të trajtojë pyetjen për krizën e imazhit në rrjetet sociale të kompanisë, fjalia ndërpritet në mes, dhe Paltrow menjëherë kalon te një event i ardhshëm:
“Po, ende ka vende të lira për eventin tonë Beyond Analytics në shtator. Tani do të kthehemi te ajo që dimë të bëjmë më mirë: të sjellim rezultate që ndryshojnë lojën për klientët tanë.”
Videoja përfundon me një tjetër “faleminderit” nga Paltrow:
“Faleminderit për interesin tuaj ndaj Astronomer.”
Kjo video plot humor dhe sarkazëm vjen më shumë se një javë pasi Andy Byron dhe Kristin Cabot, tashmë të dorëhequr nga postet e tyre, u shfaqën të përqafuar në “kiss cam” gjatë një koncerti të Coldplay. Videoja u bë virale, sidomos për mënyrën e sikletshme me të cilën ata reaguan.
Kjo sjellje bëri që edhe vetë Chris Martin të bëjë shaka në skenë, duke thënë se çifti “ose janë shumë të turpshëm, ose janë në një lidhje të fshehtë”.
View this post on Instagram
Gjithsesi, departamenti i marketingut të Astronomer meriton një rritje rroge!