Showbiz dhe TV

Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet :)

Shkruar nga Anabel

6 Qershor 2025

Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet :)

Ka disa lajme që nuk kalojnë dot filtrin tonë editorial - jo se janë skandaloze, jo se s’kanë pak “lëng”, por se... le ta themi troç: nuk na bindin mjaftueshëm për t’i marrë seriozisht. Na falni shumë për mungesën e modestisë, por që…

Por ja që jetojmë në një botë ku dikush ka parë dikë me dikë, dikush ka bërë “unfollow”, dhe dikush tjetër ka postuar një citat pasivo-agresiv. Dhe njerëzit duan ta dinë.


“Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet” është vendi ku i lëmë të gjitha këto copëza - gjysmë të rëndësishme, gjysmë “për muhabet”, ndonjë thashethem që s’e kemi konfirmuar dot (po as e kemi marrë mundimin ta konfirmojmë) dhe disa detaje që ndoshta janë thjesht fryt i imagjinatës kolektive të rrjeteve sociale.

Këtu mund të gjeni gjithçka: nga “çfarë kanë thënë” te “mos e merr për të sigurt”, e deri te “hë, po këtë pse e lexova?”. Nuk janë lajme që do t’ju ndryshojnë ditën. Janë më shumë si ato reels-at që i sheh pa zë, pa dëshirë...por gjithsesi i sheh. 

Nejse, le të shkruajmë për arsyen pse keni klikuar!

Kiara, me 1 fjalë dhe 1 emoji mohon thashethemet se është në pritje të ëmbël

Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet :)

Pasi media të ndryshme raportuan se Kiara mund të jetë shtatzënë, vetë moderatorja, përmes një “jo”-je të shkurtër dhe një emoji të buzëqeshur e ka bërë të qartë se ajo dhe Luizi nuk janë në pritje të bebit nr. 2.

Diola Dosti flet për marrëdhënien me vajzën e partnerit

Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet :)

Diola Dosti, e ftuar te “Rudina”, foli për marrëdhënien me Tean, vajzën e partnerit të saj, Erolld Belegut. Ajo tregoi se vajza e tij e kishte pranuar menjëherë, madje tregoi edhe gjestin e saj, ku i kapi dorën, si për të treguar se ky ishte sinjali që vajza e pranoi.

“Unë herën e parë që kam takuar Tean kam pasur një ndjesi të veçantë dhe sikur ajo më përqafoi dhe më pranoi shumë lehtësisht dhe këtë e kam kuptuar vetëm nga një kapje dore që Tea më ka bërë. Momenti i parë ka qenë në një lokal që shkuam së bashku dhe ajo ishte rastësisht aty, nuk ka qenë asgjë e improvizuar. Unë e takova, normale me atë dashamirësinë që mua më karakterizon për të gjithë njerëzit, por me thënë të drejtën, kisha edhe pak frikë sesi do të reagonte, do të më pranonte, do të më shikonte. Tea në një moment më kap dorën dhe më thotë: “Hajde, shkojmë këtu” dhe ma kap dorën si një fëmijë dhe me të vërtetë ajo ishte një lloj simbolike ose sinjali për mua që kjo vajzë më pranoi për këtë që jam”.

Pas përplasjes fizike, Xheneta rikthehet në “She’s On Top”

Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet :)

Xheneta është rikthyer në “She’s On Top”, por këtë herë në rolin e opinionistes. Lajmi u konfirmua përmes një postimi në Instagram. Xheneta u përjashtua nga programi pas një skandali, ku u përplas fizikisht me një tjetër konkurrente.

Një vit më parë, emri i Xheneta Fetahut u bë i njohur për publikun kur mori pjesë në spektaklin “She’s on Top” në Top Channel, nga ku u përjashtua pas një incidenti fizik me një tjetër konkurrente, moment që bëri xhiron e rrjeteve sociale dhe ndezi reagime të shumta.

“Dikur konkurrente, tani opinioniste, Xheneta premton shoë dhe komente pa filtra”, shkruhej në mbishkrimin e postimit.

Ish-banorja e “Big Brother” bëhet sërish nënë

Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet :)

Alba Çobaj, ish-konkurrente e “Big Brother”, është bërë nënë për herë të dytë. Përmes një postimi në Instagram, ajo ndau lajmin e bukur me ndjekësit, duke zbuluar edhe emrin e djalit. I porsalinduri quhet Tomas (kuptimi i emrit është “binjak”).

Meqë kishit kuriozitet, Stresi sqaron marrëdhënien me Keisin

Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet :)

Stresi dhe Keisi u shfaqën bashkë në videoklipin e këngës së re të reperit, “Sa t’kam dasht” dhe sigurisht, nisën thashethemet se dyshja është rikthyer. Megjithatë, Stresi e sqaroi natyrën e marrëdhënies, duke treguar se nuk ka ribashkim, por kënga ka ardhur si një akt respekti për të shkuarën që ai dhe Keisi kanë jetuar.

“Ne kemi bërë diçka për albumin tonë, kaq. Po të kishte ribashkim, do të ishim bashkë”, u shpreh Stresi.

Klajdi Musabelliu tregon se është pajtuar me G Banin, por është grindur me Vserlon

Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet :)

I ftuar në “Pardon My French”, Klajdi Musabelliu tregoi ndër të tjera raportin e tij me ish-konkurrentët e “BBVA 4”. Ai rrëfeu se ishte zënë me G Banin, por u pajtuan. Kjo ndodhi në një udhëtim në Turqi, ku ish-banorët po shijonin pushimet pas përvojës në reality show.
“Isha zënë me G Banin, u pajtova me të dhe u zura me Vserlon”, u shpreh Klajdi, duke shtuar se komunikuan si burrat dhe në diskutim e sipër, fluturuan ca komplimente. Si çuna romantikë që janë, ata u pajtuan buzë detit.

Më tej, Klajdi rrëfeu edhe se ishte zënë me Vserlon dhe mendon se arsyeja mund të lidhet me moshën.

Albërije Hadërgjonaj sapo na nderoi si popull!

Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet :)

Mund ta kesh parë grimierin dhe mikun e Kylie Jenner, Ariel-in, veçanërisht në Instagram-in e Anxhelina Hadërgjonajt, pasi janë miq të ngushtë. Por, rishtazi, Ariel-i është prezentuar me një nga gatimet më të shijshme: Byrekun tipik.

Byreku u gatua nga Albërije Hadërgjonaj dhe grimieri postoi një video në rrjetet sociale, duke e etiketuar gatimin si “byreku më i mirë shqiptar”. Epo, të lumshin duart Albërije!

Të gjithë xhelozë për Xhenetën, madje edhe ish-vjehrra

Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet :)

Mendonim se veç Gjesti, Egli, Sara, unë dhe ti ishim xhelozë për të, por Xheneta Fetahu u shpreh në “E Diell” se ish-vjehrra ishte xheloze për të. Ajo tregoi për fejesën pesëvjeçare me ish-partnerin e saj me origjinë turke, duke folur ndër të tjera edhe për marrëdhënien e ndërlikuar me ish-vjehrrën:

“Vjehrra ime e kishte shumë të vështirë të pranonte që dashuria për një grua nuk e zëvendëson dashurinë për nënën. Ishte xheloze për gjënë më të vogël”, rrëfeu ajo, duke shtuar se në fakt, me ish-vjehrrin ka pasur gjithnjë një marrëdhënie të shkëlqyer:

“Me ish-vjehrrin kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të shkëlqyer. Ai është një njeri me vlera. Edhe sot, nëse takohemi rastësisht, përshëndetemi me respekt dhe mirëkuptim”, u shpreh ajo.

Fifi dhe Egli Tako, në një projekt muzikor

Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet :)

Fifi dhe Egli do të sjellin një projekt muzikor. Dyshja u shfaq në një video duke kënduar dhe kërcyer dhe duke na bërë me dije se këtë javë do të vijë kënga “Shuj Shuj”. Presim si do jetë…

Egli thotë se shumë gjëra e kanë vrarë në “BBVA 4”

Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet :)

Egli, e ftuar te “Goca dhe Gra”, foli për shumëçka, por gjithashtu tregoi se nuk pendohet për përvojën dhe veprimet e saj në “BBVA 4”, pavarësisht se pranoi se shumë gjëra e kanë vrarë.

“Nuk bëhem pishman nga asgjë që kam bërë në “BBVA”. Çdo hap në jetë është një mësim. Duke gabuar, duke mësuar. Sa gjëra më kanë vrarë aty brenda. Faji gjithmonë ngelet jetim. Nuk dua që asgjë të fshihet nga Big Brother VIP”, tha ajo.

Meqë ra fjala te projektet: Aldo Marku dhe Nik Xhelilaj do të vijnë me të reja

Kujdes, nuk janë lajme! Thjesht për muhabet :)

Nik Xhelilaj, i ftuar në “Pardon My French”, zbuloi se do të vijë së shpejti me një projekt të përbashkët me Aldo Markun. Ai rrëfeu se do të sjellin “Policë pë Kokë 2”.

“Për Aldon kam shumë ndjesi pozitive, kam respekt profesional për të. Pjesëmarrja në “BBVA” e vonoi pak procesin, por ne jemi në diskutime për të bërë “Policë për Kokë 2”. Ai ka një draft, i cili është më i rëndësishmi, sepse më pas bëhet vija e historisë. Pastaj, duhet vetëm që të ulet dhe të gjejë mundësinë për të zhvilluar dialogjet. Tani e kemi një dëshirë, për ta bërë një pjesë të dytë, sepse unë nuk kam qenë këtu, por me çfarë kam ndjerë dhe kuptuar nga Aldo dhe nga Olsi, ka pasur një reagim shumë pozitiv për atë zhanrin që ka si film. Unë me qejf e kam, Aldo me qejf e ka edhe Olsi gjithashtu”, u shpreh ai.