Meshkujt

Si të ndalosh së qeni "shoqja e mirë", kur në të vërtetë do të jesh e dashura e tij

Shkruar nga Anabel

6 Qershor 2025

Si të ndalosh së qeni "shoqja e mirë", kur në

E ndihmon, e dëgjon, je aty kur është keq, por ti ke nisur të ndjesh. Marrëdhënia juaj s’ka as flirt, as romancë – vetëm mbështetje emocionale. Dhe sado e bukur të jetë lidhja shpirtërore, ti nuk je këtu për t’i mbajtur dorën dikujt që s'di të mbajë edhe tënden.

Nëse ti do më shumë – duhet të ndalosh së dhëni gjithçka, kur s'po merr asgjë përveç mirënjohjes së vagullt. 

1. Jep ngrohtësi, por jo më shumë se ai

Ti je natyrshëm e kujdesshme dhe e ndjeshme, por këtu ka një rregull të artë: jep aq sa merr. Jo më shumë.

Nëse ai vetëm ankohet, por nuk pyet kurrë si je ti: ndalo së qenuri terapistja e tij.

Nëse ju flisni çdo ditë, por ai shmang temat romantike ose të së ardhmes: mos shpenzo kohë duke ndërtuar një lidhje që ekziston vetëm në kokën tënde.

Nëse ti ndihesh sikur je emocionalisht e zhveshur, dhe ai jo: tërhiqu.

2. Ndalo së qeni “zona e tij e sigurt” kur s’të ka dhënë asnjë status

E kemi këtë zakon ne – të bëhemi “shtëpia” e një mashkulli para se të na ketë pranuar si partnere. Jepim dashuri, ngrohtësi, dëgjim, mbështetje… ndërkohë që ai s’ka bërë asnjë përpjekje për t’u njohur realisht me ty.

Mos ji gjithmonë në dispozicion vetëm se ai ka “ditë të vështira”.

Fakt: Marrëdhëniet reale fillojnë të ndërtohen pas muajit të dytë – dhe duhet kohë për të njohur dikë. Nëse ai s’të jep kohë, mundësi, apo investim – nuk është partner, është një pasagjer emocional.

3. Thuaj çfarë do, pa turp

Po, mund të ndihesh pak e ndrojtur kur ai s’ta kthen me të njëjtin intensitet, por më mirë ta dish tani, sesa të rrish në pritje pa fund.

Nëse nuk është i interesuar për të njëjtën gjë, do largohet vetë. Dhe kjo është një fitore, jo humbje.

4. Mbroji emocionet e tua

Nëse ndihesh sikur po jep më shumë sesa merr, ndalo. Ti nuk je pika e tij e shkarkimit emocional, kur vetë s’të ka pyetur kurrë si ndihesh.

5. Mos u ngatërro me djem emocionalisht të hapur, por emocionalisht të paarritshëm

Vetëm se ai qan, hapet ose flet për ndjesitë, nuk do të thotë që është gati për dashuri. Disa meshkuj ndihen më mirë kur ndajnë barrën me dikë, por kjo s'do të thotë që të duan.

Kujdes nëse ai:

Është shumë prezent me mesazhe, por s’planifikon asgjë konkrete;

Flet shumë për veten, por nuk investon realisht tek ti;

Mban gjithçka në mjegull: pa tituj, pa drejtim, pa qartësi.

6. Lejo t’i humbasësh ata që s’të përgjigjen me të njëjtën energji

Kur i vë vetes standarde, ata që s’mund t’i përmbushin do të të largohen vetë. Dhe ky është bekim – jo fatkeqësi.

Nëse ke zemër të madhe, ndoshta je mësuar të japësh, të ndihmosh, të bësh vend për të tjerët. Por një ditë do kuptosh që njerëzit që duhen vërtet, nuk të lodhin për t’u ndjerë e dashur.

Mbaj mend vetëm këtë: Ai që do, e tregon dashurinë — jo vetëm me fjalë të ëmbla, por me praninë e tij të qëndrueshme dhe të qartë.

Artikuj të sugjeruar:

Burimi: Your Tango