Femije

Nëse i keni dëgjuar këto 9 fraza, mund të jeni rritur nga prindër egoistë

Shkruar nga Anabel

3 Qershor 2025

Nëse i keni dëgjuar këto 9 fraza, mund të jeni rritur nga

Kur jemi të vegjël, truri ynë është ende në zhvillim, ndaj jemi shumë të ndjeshëm ndaj ndikimit të të rriturve. Ne u besojmë atyre për të ndërtuar perceptimin mbi botën, por edhe mbi veten.

Prindërit kanë rol kryesor në mënyrën se si ne edukohemi, por në të njëjtën kohë, sjelljet e tyre ndaj nesh lënë “shenjë” për gjithë jetën.

Nëse je rritur me prindër egocentrikë, mund të kesh dëgjuar fraza që ishin fyese, nënvlerësuese ose manipuluese, ndoshta edhe vazhdimisht. Dhe këto fjalë, edhe sot, mund të të vijnë në mendje si zëra të brendshëm kritikë. 

Çfarë është në të vërtetë një prind egocentrik?

Në kohën e rrjeteve sociale, ku fjalë si “toksik” apo “narcist” përdoren shpesh dhe ndonjëherë gabimisht, ekspertët theksojnë rëndësinë e të kuptuarit saktë të termit prind egocentrik.

Prindërit egocentrikë janë më të shqetësuar për ndjenjat dhe nevojat e tyre sesa për botën emocionale të fëmijës. Mund të mos kenë vetëdije emocionale, të mos kenë reflektuar mbi plagët e tyre nga fëmijëria, dhe kjo i pengon të shohin nevojat e brendshme të fëmijës.

Kjo nuk do të thotë gjithmonë se janë keqdashës apo duan që fëmija të ndihet keq,  pasi shpesh sjelljet e tyre nuk janë të qëllimshme, por ndikimi mbetet i madh.

9 fraza që prindërit egocentrikë përdorin shpesh, sipas ekspertëve

“Je një fëmijë i përkëdhelur.”

Përdoret kur fëmija përpiqet të vendosë kufij të shëndetshëm. Në vend që të dëgjohet, etiketohet si “mosmirënjohës”.

“Mos u trego i dobët.”

Vjen bashkë me fraza si “Mos bëj si beb” ose “Bëhu më i zoti/zonja”. Këto fraza bllokojnë shprehjen e emocioneve dhe krijojnë idenë se është turp të jesh i ndjeshëm.

“Je shumë i ndjeshëm.”

Kjo fjali frenon ndjenjat e fëmijës dhe e bën të dyshojë në përjetimet e veta, duke menduar se bën gabim që ka ndjesi të caktuara, të cilat në vetvete mund të jenë mëse normale.

“Uau, je i çuditshëm.”

Të bën të ndihesh keq për individin që je, duke shkaktuar probleme me vetëbesimin dhe bën që fëmija të mendojë se duhet të tjetërsojë atë që është. Kjo frazë mund të frenojë edhe botën e brendshme, krijimtarinë, e një fëmije.

“Je tepër egoist.”

Zakonisht thuhet kur fëmija shpreh nevoja ose vendos kufij. Etiketohet si mungesë respekti, ndonëse është sjellje e shëndetshme. Kjoe mëson fëmijën të mos vendosë kufij të shëndetshëm në të ardhmen, duke dashur të jetë njeri shumë i mirë në sytë e të tjerëve.

“Je shumë i pasjellshëm.”

Një “klishe” që prindërit e përdorin për të mbyllur debatet ose kur fëmija nuk bie dakord me ta. Në fakt, në këtë rast fëmija ndjen se të ankohesh për ndonjë gjë që të shqetëson është gabim dhe rrjedhimisht mëson të mbajë brenda vetes brengat që ka.

“Po e ekzagjeron.”

Minimizon përjetimet emocionale dhe shpesh fsheh paaftësinë e prindit për të marrë përgjegjësi. Në vend që të kujdeset për shqetësimin e fëmijës, “pason” fajin te sjellja e tij/saj.

“Je dembel.”

Shpesh përdoret pa marrë parasysh faktorë të tjerë si lodhja, mungesa e mbështetjes apo vështirësi neurozhvillimore. Në të ardhmen, një fëmijë i rritur nga këto fraza, përpiqet të marrë sa më shumë përgjegjësi për të mos u etiketuar si tillë.

“Boll u mërzite.”

Frazë që i mëson fëmijës të shtypë ndjenjat në vend që t’i përpunojë. Mund të çojë në ankth ose vështirësi emocionale në të ardhmen.

Si të shërohesh nëse e gjen veten në këto situata?

Hapi i parë është vetëdija. Siç thonë ekspertët, vetëdija nuk është thjesht të kuptosh se çfarë ka ndodhur, por të pranosh ndikimin që ka pasur te ti dhe të marrësh hapin për të krijuar versionin tënd më të shëndetshëm emocionalisht. Kjo mund të arrihet përmes kontaktit me një profesionist/e.

Artikuj të sugjeruar:

Burimi: Parade