Vesa Luma flet pas debatit mes Big Bastës & Big Mamës: “Presim përjashtimin e saj”
Big Mama vendosi që t’i bëjë një lojë Big Bastës, duke i fshehur çantën me sende personale, mes të tjerash, edhe kartën e identitetit të djalit të tij të vogël, Liamit. Ndonëse Big Basta e kërkoi disa herë dhe tregoi se nuk fle dot pa e puthur “kartën e çunit”, sërish, Big Mama dhe bashkëpunëtori i saj në këtë rreng, Erand Sojli, nuk u bindën për t’ia rikthyer.
Debati mes Big Mamës dhe Big Bastës u agravua dhe këngëtarja aludoi se reperi nuk “ka vërtet hallin e çunit”, ndërsa Big Basta i kërkoi disa herë të mos ia përmendte djalin e mitur në një debat ku ai nuk ka lidhje. Pas kësaj zënke, Vesa u detyrua të reagojë përmes një postimi në Instagram, ku shprehu falenderimet për mbështetjen e marrë, por edhe se presin përjashtimin e Big Mamës nga "Ferma".
“Ju falenderojmë të gjithëve për mesazhet. Edhe unë e ndoqa live gjithë situatën dhe e them me plot gojë se ishte jo vetëm dëshpëruese, por jonjerëzore nga ana e Big Mamës. Patjetër që presim përjashtimin e saj të menjëhershëm për rregullin themelor që ka thyer në një televizon kombëtar!”, shkroi ndër të tjera Vesa.
DJ Dagz tregon kuptimin e emrit të djalit
I ftuar në emisionin “Libero” me Resul Sinanin në ATV, DJ Dagz rrëfeu për herë të parë publikisht historinë e emrit “Kres” – një zgjedhje jo vetëm unike, por edhe me domethënie. Dhe nuk e fshehu dot emocionin. Dagz tregoi se Einxhel kishte qenë duke biseduar me ChatGPT rreth emrit “Kres”, por përgjigjja që mori s’i pëlqeu aspak:
“ChatGPT i thotë që është një emër sllav, s’përfshinte asgjë shqiptare. Dhe Einxhi, si Einxhi – që nuk lëshon pe – fillon t’i shpjegojë se çfarë do të thotë Kres.”
Pas një bisede që ndoshta shumë prindër nuk do ta kishin me një inteligjencë artificiale, ChatGPT “u bind” dhe kërkoi falje. Tani, falë Einxhelit, ChatGPT (por dhe ne) është i “informuar” që “Kres” do të thotë lider, krye, kokë drejtuese – koka e vendit, koka e politikës.
Elinara Shehu rrëfen se si i shpëtoi përdhunimit në moshën 18-vjeçare
Këngëtarja Elinara Shehu tregoi se në moshën 18-vjeçare është mashtruar nga një fqinj, i cili u ofrua për ta shoqëruar me makinë deri në shtëpi, por në fakt kishte qëllime të tjera.
“Kur e kujtoj atë gjë, më rrëqethet mishi, rrezikoja jetën. Isha 18 vjeç. Gjatë pushimeve të verës u futa të punoja në një butik. Kur po hyja në autobus, një komshiu im më thotë: “Hajde të ikim me një mikun tim. Hipa në makinë dhe shoh që personi që ishte shofer nuk merr drejtimin nga qendra, por merr drejtim tjetër. Shoh vështrimin e shoferit, ishte i çuditshëm. Shoh komshiun tim, ma bën me gisht (shttt).”
Ajo shtoi se ndërmori një veprim vdekjeprurës për të shpëtuar nga situata
“Filluan të më kërcënojnë: “Do të vrasim!”. Në një moment, hapa siguresën e makinës dhe u hodha, përfundova në rrugë pa ndjenja. Gjesti që bëra unë ishte vdekjeprurës, më mirë të humbja jetën sesa të përfundoja në duart e tyre. Në atë kohë ishin në masë përdhunimet, nuk doja të shqetësoja familjen. Ajo kohë më ka lënë një traumë,” shtoi ajo.
Vesa Luma thotë se Big Mama po degjenerohet me vetëdije
Vesa bëri një tjetër reagim karshi Big Mamës, pasi kjo e fundit dha mesazhe feministe te "Ferma VIP".
“Mesazhe për gra jep Big Mama sonte. Edhe unë jam shumë “krenare” për Big Mamën si grua e fortë që pështyn para miliona shikuesve një grua tjetër (referuar veprimit të saj ndaj Alba Pollozhanit) dhe duartrokitet në vend që të përjashtohet. Tani që po e mendoj, po e tërheq fjalën, nuk dua të përjashtohet Big Mama, biles le të rrijë aty deri në fund që të japë mesazhe se si duhet të jenë gratë shqiptare, apo se sa shumë i duam fëmijët tanë! Meqë me vetëdije degjenerohet (apo shfrytëzohen sjelljet e saj për klikime) pse të mos rrijë?”, shkroi Vesa në Instastory.
Rrëfimi i Tunës: Projektet muzikore, divorci, marrëdhënia me Cozman dhe "konflikti" me Nora Istrefin
E ftuar së fundmi në “The Dalina Show” nga Andale Media, Tuna zbuloi për herë të parë publikisht se po punon për një projekt të ri muzikor që, siç e përshkroi vetë, mund të konsiderohet si faza e “Fortuna 2”.
E pyetur nga Dalina nëse do të dëshmojmë më bashkëpunime mes saj, Armend Rexhepagiqit dhe Aida Barakut, Tuna u përgjigj pa ngurrim:
“Aty jemi. Aty jemi në proces. Gjëja më fantastike që është duke më ndodhur kohëve të fundit, sepse këtu është aty ku unë jap shpirtin tim. Këtu e shoh unë artin tim.”
Dhe me këtë lajm, artistja shtoi se kjo s’është thjesht një përpjekje për të “kapur” suksesin e dikurshëm. Përkundrazi.
“Jam e lumtur që jemi në një fazë 'Furtuna 2', nëse mund ta quaj. Nuk dua t’i referohem kurrë suksesit të kaluar, dua të bëj një version më të mirë të vetes. Po synojmë që të bëjmë një version të albumit, po synojmë që të japim një copëz shpirti secili nga ne, flas për ekipin që e kam që nga fillimi, Armendi, Aida, Darko. Jemi entuziastë deri në maksimum për këtë gjënë sepse e kemi ndjerë feedback-un e albumit të kaluar, i cili erdhi shumë spontanisht. Gjërat kur ndodhin kështu spontanisht edhe suksesin e përjeton më ndryshe.”
Ajo tha gjithashtu se do të këndojë për historitë për të cilat ka heshtur:
“Atë që më ka ndodhur, ato histori që kam përjetuar viteve të fundit, për të cilat kam heshtur, dhe ndoshta nuk do të mjaftonin edhe disa emisione me ty bashkë që të ulem, të lirohem, t’i tregoj, t’i flas para opinionit… do t’i themi me këngë.”
Tuna - Divorci dhe sfidat si nënë e vetme
Në intervistën me Dalinën, ajo foli hapur për marrëdhënien me babain e fëmijëve të saj, muzikantin Patris Berisha, me të cilin ka dy djem: Tianin dhe Zenin.
Ajo tregoi arsyet e divorcit dhe tha se ky proces nuk ka qenë një rrugëtim i thjeshtë:
“Nuk kishim nga ato dramat që të ketë një arsye konkrete [për divorcin], thjesht ishin mbledhur shumë gjëra. Ishte guxim i madh, saqë edhe sot kur e shoh nga një perspektivë tjetër them ‘Çfarë dreqin?!’. Por asnjëherë nuk pendohem, për mua një nënë duhet të jetë e lumtur para së gjithash për të rritur dy fëmijë të lumtur. Dhe unë nuk isha më e lumtur në atë martesë.”
Më tej, shtoi:
“Kushdo që e interpreton që divorci ka përfunduar miqësisht, për mua është një gënjeshtër. Sepse, divorci vetvetiu është dramë më vete, në veçanti kur në këtë dramë janë të përfshirë fëmijët.”
Megjithatë, këngëtarja është e vendosur të krijojë një atmosferë sa më të mirë për fëmijët:
“Unë vazhdoj të besoj dhe të luftoj për një prindërim të shëndetshëm, sepse dua t’i rris dy djemtë e mi në një frymë familjare, qoftë edhe nëse jemi të divorcuar që mos ta ndiejnë mungesën e një figure mashkulli, babai. Është e vështirë, megjithatë do t’ia dalim.”
Ajo zbuloi se bashkëpunimi për të mirën e djemve është sfida më e madhe e viteve të fundit:
“Po mundohemi të dy për të mirën e dy fëmijëve tanë dhe unë këtu kam betejën më të madhe viteve të fundit. Sepse unë dhe Patrisi u divorcuam në shtatzëninë time të dytë, që ishte një vendim shumë i vështirë në atë kohë.”
Tuna rrëfeu se djali i vogël, Zeni, është “leksioni më i madh” i saj:
“Ai më sfidon 24/7. Zeni është një fëmijë që po më sfidon çdo sekondë, në çdo lëvizje të jetës.”
Në qendër të botës së saj, Tuna shpjegoi se tani janë vetëm oraret dhe nevojat e djemve të saj:
“Parësorë kam ata të dy në jetën time, oraret e mia nuk janë më oraret e mia, janë oraret e Tianit dhe Zenit, pastaj të Tunës dhe gjithçka tjetër, kështu që i kam parësorë.”
Por, balanca mes prindërimit dhe profesionit të saj është një luftë e vështirë:
“Po balanca, veçanërisht kur je në këtë profesion, të them shumë të vështirë për femrat, në veçanti si një nënë e vetme, është shumë e vështirë. Kjo lufta mes kësaj balancës është e frikshme.”
E pyetur nga Dalina për ndjenjën e fajit kur largohet nga shtëpia, Tuna tregon se ajo është pjesë e jetës së saj prej vitesh:
“Sa herë që dal nga shtëpia jam në ndjenjë faji. Nuk e kam luksin e kohës që të kem një jetë sociale, s’e kam pasur as në fillimet e mia. Jeta ime ka qenë më ndryshe që nga fillimi.”
Tuna dhe marrëdhënia me Cozman
Çdo herë që Tuna dhe Cozman ndajnë një skenë, apo publikojnë një bashkëpunim, interneti nis e pyet: “A janë bashkë sërish?” Dhe meqë janë parë shpesh bashkë në koncerte, thashethemet kanë marrë flakë sërish. Mirëpo Tuna u dha fund spekulimeve, gjatë një interviste në “The Dalina Show”.
E pyetur për aludimet se ajo dhe Cozman janë rikthyer si çift, Tuna u shpreh:
“Ne kemi vendosur të rikthejmë atë nostalgjinë dhe t’i përmbushim ato dëshira dhe pritshmëri të publikut që na ka mbështetur fort gjatë kohës së [këngës] ‘Fenix’. Kemi bërë pafund koncerte dhe paraqitje bashkë. Thjesht kemi vendosur pozitivisht t’u përgjigjemi kërkesës së tyre për këto projekte.
Tuna e pranoi që vetë ideja e rikthimit të tyre në skenë shkakton një valë nostalgjie te publiku, por e bëri të qartë se përtej koncerteve dhe bashkëpunimeve, nuk ka asnjë histori dashurie.
“Ajo pjesë e mediave që interpretohet dhe keqinterpretohet është diçka që nuk më pëlqen në këtë pikë të jetës ku jam, nuk është se më befason.”
Në fund të intervistës, Tuna e tha qartë: “Kemi thjesht kimi artistike të pastër”. Asgjë më tepër.
Tuna dhe raporti me Norën
Këngëtarja sqaroi se, ndryshe nga sa është përfolur shpesh në media, mes saj dhe Norës nuk ka pasur asnjëherë konflikt.
“Nuk ka ndodhur asnjëherë [një konflikt me Norën]. Këto kanë qenë keqinterpretime të mediave. Këto kanë qenë ndoshta edhe indikacione për të dhënë një imazh të gabuar [për mua] nga njerëz që ndër vite më kanë bërë sulme në karrierë, sepse emri im është një karrem për lajme dhe shpeshherë këta njerëz janë munduar të kapen në momentin tim, të përgënjeshtrojnë situata, të shpifin. Shumë herë jam përmbajtur. I kam premtuar vetes një gjë: nuk do të lë asgjë të arkivuar për djemtë e mi, sepse do t’ia lë kohës,” tha Tuna.
E pyetur për marrëdhënien aktuale me Norën, veçanërisht tani që të dyja janë nëna single, Tuna tregoi se komunikimi i tyre është përmirësuar ndjeshëm:
“Besoj kjo është pika që ne kemi filluar një komunikim shumë më familjar, shumë më ndryshe. Nuk kemi pasur asnjëherë ndonjë skandal, ndonjë mosmarrëveshje, ndonjë kacafytje.”
Për më tepër, Tuna theksoi se fëmijët janë një tjetër urë lidhëse mes tyre. Djemtë e saj, Tian dhe Zen, kalojnë shumë kohë me Renee, vajza e Norës dhe Robert Berishës.
Intervistën e plotë e gjeni këtu.
Erjon Zaloshnja pretendon se Eni Çobani i ka djegur diplomën
Erjon Zaloshnja, i ftuar në podkastin “Klo’s Friends”, me gazetaren Klotilda Harka, ka folur ndër të tjera për një çështje delikate, ku ka pretenduar se Eni Çobani i ka djegur diplomën.
“Nuk e bëra kurrë, pasi juridikun nuk e mbarova përfundimisht. Nuk u diplomova. Kisha nisur suksesin me muzikën që atëherë, kisha marrë ca çmime. Ishte një kohë që në studion muzikore isha ndër më të mirët e kohës, lexoja shumë, i ndihmoja të gjithë. Isha si një bërthamë motori energjie në studiot e Tiranës dhe sa më lëshonte njëri, më kapte tjetri në njëfarë mënyre”, u shpreh Erjoni, duke treguar se gjatë asaj periudhe ka qenë shumë i zënë me karrierën e tij muzikore.
“E pashë që s’kisha kohë, por nuk ishte koha ajo që më bëri të mos e mbaroj juridikun. Ngela për 4 provimet e fundit. Ishte Eni Çobani ajo që vendosi të mos e merrja diplomën. Kishte lëndën më të parëndësishme të juridikut, “Të Drejtën e Krahasuar Ndërkombëtare”, pra, ndryshimet mes ligjeve shqiptare dhe ndërkombëtare. Ishte një libër me 60 faqe. Eni e mbante shumë fort këtë sepse ishte pozitë të ishe pedagog”, tha ai.
Intervista e parë e Parashqevi Simakut: Jeta dhe zgjedhjet e këngëtares së njohur
Parashqevi Simaku ka folur për herë të parë në një intervistë ekskluzive në “Opinion”, përballë Blendi Fevziut, i cili kishte shkuar në New York për ta takuar. Parashqevia, e buzëqeshur, tregoi gjithçka dhe jo rrallëherë e shokoi Blendin, me shumë gjasa, edhe shikuesit.
Parashqevia tregoi se si nisi karrierën, si u largua nga Shqipëria, zgjedhjen për të qenë e pastrehë, dashurinë dhe librat fetarë.
Intervistën e plotë e gjeni këtu.
Egli i kundërpërgjigjet Gjestit!
Ish-finalistja e “Big Brother VIP Albania”, Egli Tako, ishte e ftuar në emisionin “Goca dhe Gra”, ku foli për jetën e saj pas përfundimit të kësaj eksperience.
Gjatë intervistës, asaj iu kërkua që të përshëndeste me një këngë Gjestin. Dhe…kënga që Egli zgjodhi ishte ajo e Vesa Lumës “Jemi dhe s’jemi”.
“Jemi dhe s’jemi, asgjë nuk kemi, jo jo”, këndoi ajo.
Kjo këngë erdhi si përgjigje ndaj dedikimit që Gjesti i bëri pak kohë më parë, në po të njëjtin emision, me këngën e Ermal Fejzuallahut “E shkuar, e harruar”.
Sipas këtyre dedikimeve, marrëdhënia e tyre vijon të mbetet njësoj si në shtëpi: e paqartë.
Ndër të tjera, ajo u ndal edhe te projekti i fundit muzikor, kënga “Jetë”, për të cilën është aluduar shumë se është një dedikim ndaj Gjestit.
A është kënga "Jetë" dedikim për Gjestin?
Egli, i ra gjerë e gjatë për të na treguar se edhe mbase është, edhe mbase s’është.
“Kënga nuk qëlloi rastësi, unë kam kryer një shkollë arti, kam pasur pesë materiale muzikore të bëra gati më parë", tha ajo fillimisht.
Më tej, na bëri konfuzë duke thënë se nuk do të shprehej nëse është dedikim apo jo:
"Nuk do ta atashoja konkretisht me diçka, as nuk do të thoja që është një lloj dedikimi ose jo. Arti është shumë subjektiv. Dua që gjithsecili të gjejë vetën te kjo këngë. Krijimet e mia janë pjesë e shpirtit tim”, tha ish-banorja e “BBVA 4”, duke mos i dhënë një përgjigje dilemës sonë.