Në episodin e fundit të “The Dalina Show” nga Andale Media, psikologia Jonarda Kërkuti diskutoi me Dalina Buzin mbi një studim të njohur nga studiuesi amerikan John Gottman, i cili ka analizuar mbi 3,000 çifte dhe ka arritur të parashikojë me 90% saktësi ndarjen e tyre vetëm në 15 minutat e para të një bisede. Gottman identifikoi gjashtë shenja kryesore që tregojnë se një martesë është në rrezik të madh:
1. Nisja e ashpër
Gottman vëren se mënyra se si fillon një diskutim është vendimtare. Nëse një bisedë nis me kritika ose sarkazëm, ajo ka shumë të ngjarë të përfundojë keq. Statistikat tregojnë se 96% e herëve, mund të parashikohet rezultati i një bisede bazuar në minutat e para të saj.
2. Katër kalorësit e apokalipsit
Gottman identifikoi katër sjellje negative që janë veçanërisht të dëmshme për marrëdhëniet:
Kritika: Sulmimi i karakterit të partnerit në vend të adresimit të një problemi konkret.
Përçmimi: Shprehje të tilla si tallje, ironia ose fyerje që nënkuptojnë superioritet ndaj partnerit.
Vetëmbrojtja: Reagimi ndaj kritikave me justifikime ose akuza të kundërta, duke shmangur përgjegjësinë.
Mbyllja në vetvete: Tërheqja emocionale dhe fizike nga partneri, duke shmangur komunikimin.
3. Përmbytja Emocionale
Kur një partner ndihet i mbingarkuar emocionalisht nga negativiteti i partnerit tjetër, ai mund të mbyllet ose të mos mund të përballojë më diskutimin. Ky fenomen, i njohur si "flooding", mund të çojë në probleme fizike si rritje të presionit të gjakut dhe rrahje të shpejta të zemrës.
4. Dështimi i përpjekjeve për pajtim
Kur një partner përpiqet të qetësojë situatën ose të kërkojë pajtim, por partneri tjetër nuk e pranon ose e injoron këtë përpjekje, kjo tregon një mungesë të gatishmërisë për të punuar në marrëdhënie.
5. Kujtimet e këqija
Çiftet që kanë kujtime negative për fillimet e marrëdhënies së tyre, që nuk ndiejnë më admirimin dhe respektin që kishin dikur, kanë më shumë gjasa të përjetojnë një ndarje.
6. Mungesa e komunikimit të shëndetshëm
Nëse një çift nuk është në gjendje të komunikojë hapur dhe ndershmërisht, duke shmangur diskutimet e rëndësishme ose duke i zgjidhur ato në mënyrë të pasaktë, kjo mund të çojë në ndarje.
Artikuj të sugjeruar: