Eja shohim pak Tv

Xhelozia patologjike: Ç'është dhe ku ndryshon nga narcizmi?

Shkruar nga Anabel

9 Maj 2025

Xhelozia patologjike: Ç'është dhe ku ndryshon nga

Në episodin e fundit të "The Dalina Show", nga Andale Media, temë diskutimi ishte një nga emocionet më komplekse dhe shpesh keqkuptuara në marrëdhënie: xhelozia patologjike, ose siç e quajti vetë Dalina, “xhelozia e sëmurë”. Psikologia Jonarda Kërkuti solli një analizë të thelluar dhe të balancuar mbi këtë temë, duke e ndarë xhelozinë në spektrume të ndryshme që variojnë nga "e tolerueshme", deri te ajo patologjike.

"Ka dhe spektrume brenda xhelozisë. Është ajo që me fjalë të thjeshta mund ta quajmë 'e tolerueshme', sepse ne e masim nivelin e xhelozisë me të dashurisë," tha Kërkuti, duke theksuar se kjo formë shpesh perceptohet si shenjë interesimi dhe afeksioni, sidomos në kulturat ku dashuria shihet si zotërim.

"Ka gra apo partnere që e kërkojnë xhelozinë nga partneri tjetër."

Por kur kalon në ekstrem, ky emocion kthehet në një mekanizëm kontrolli dhe pasigurie të thellë:

“Kur bëhet patologjike një xhelozi do të thotë që jemi futur në atë pjesën ku ne kemi një impuls kontrolli shumë të lartë, ku ne kontrollojmë sjelljen e një personi tjetër në mënyrë të vazhdueshme. Fjala 'vazhdim' është thelbësore dhe këtu,” sqaroi psikologia. “Dhe pjesa tjetër është që ti ndihesh i pasigurt. Ti ndjen një pasiguri shumë të madhe te personi që e ka këtë nivel të lartë të xhelozisë.”

Psikologia ndalet edhe te natyra kulturore dhe evolucionare e xhelozisë:

"Xhelozia si emocion është një emocion shumë kompleks, por është edhe një emocion që unë fillova ta shikoja pse e kemi? Pse i ka rezistuar evoluimit tonë? Duke e parë në perspektivën e mëhershme, është vënë re që xhelozia ishte e 'nevojshme' të rezistonte deri sot sepse ka qenë një lloj mbrojtjeje. Ti mbron marrëdhëniet që janë të rëndësishme për ty. Pra ka një proces kulturor këtu."

Xhelozia patologjike shfaqet shpesh më shumë te meshkujt, sipas psikologes, edhe për shkak të sfondit kulturor:

“Dominojnë meshkujt xhelozë. Në xhelozinë patologjike sidomos, për shkak edhe të sfondit tonë kulturor, prejardhjes patriarkale, maskiliste.”

Xhelozia patologjike dhe narcizmi: Ku qëndron ndryshimi?

Është e rëndësishme të dallojmë xhelozinë patologjike nga çrregullimet e tjera psikologjike si narcizmi. Edhe pse të dyja mund të përfshijnë sjellje kontrolluese dhe mungesë empatie, motivimi i tyre është krejtësisht i ndryshëm:

- Xhelozia patologjike buron nga pasiguria personale dhe frika për të humbur partnerin. Është e lidhur ngushtë me ankthin, shpesh të ndërtuar mbi trauma të mëhershme ose modele të mësuara të lidhjes.

- Narcizmi, përkundrazi, ka në thelb nevojën për vlerësim, superioritet dhe mungesë ndjeshmërie. Një narcist mund të bëhet xheloz, por jo sepse ka frikë se po humbet dikë të dashur, por sepse ndjen se po i kërcënohet kontrolli ose imazhi i vetes si "qendra" e marrëdhënies.

Sipas Mayo Clinic dhe burimeve të tjera të psikologjisë klinike, një nga dallimet kyçe është që narcizmi është më shumë një çrregullim personaliteti, ndërsa xhelozia patologjike mund të jetë simptomë e ankthit, depresionit ose traumave të patrajtuara.

Ky diskutim i thellë në "The Dalina Show" hap një dritare të rëndësishme mbi mënyrën si emocionet tona formohen dhe ndikohen nga kultura, historia personale dhe normat shoqërore. Edukimi dhe vetëdijësimi mbeten çelësi për të kuptuar kur një emocion legjitim shndërrohet në kërcënim për mirëqenien tonë dhe të tjetrit.

Episodi i plotë për të mos u humbur: