Në episodin e 9-të të “The Dalina Show” në Andale Media, Dalina Buzi solli një prej temave më të ndjeshme dhe të rëndësishme për shoqërinë shqiptare: "Familja tjetër", ose më saktë, ajo që vjen së bashku me partnerin/en në një lidhje.
Në hapje të episodit, Dalina vuri theksin te një element që shpesh është konsideruar si formalitet: takimi i familjeve. Tradicionalisht, në Shqipëri, kjo ishte prova përfundimtare që një lidhje ishte “serioze”. Por, siç tha Dalina, "çfarë ndodh pas këtij takimi ka pasur gjithmonë më pak rëndësi" – kur në fakt është ajo që ka më shumë peshë.
Në këtë fazë, ku marrëdhënia “zyrtarizohet”, njeriu kupton se partneri i tij nuk është një entitet i pavarur. Ai vjen me gjithë bagazhin e një jete të ndërtuar nga dy prindër, të rritur dhe edukuar në mënyrë krejtësisht ndryshe nga ajo që ndoshta kemi përjetuar vetë. Dallimet kulturore dhe distanca emocionale shpesh shfaqen vetëm kur gjërat bëhen më serioze, vuri në pah Dalina.
Ajo solli gjithashtu shembuj konkretë të ndikimit të familjes në lidhje: marrëdhëniet e pazgjidhura të partnerëve me nënat e tyre, varësitë që kalojnë brez pas brezi, viktimizimi i prindërve dhe sjelljet toksike që maskohen si dashuri. E gjitha kjo merr kuptim tjetër kur bëhesh vetë prind dhe nis të shqetësohesh që fëmija yt mos trashëgojë "genet emocionale" të një kulture që bie ndesh me vlerat që do të doje të ndërtoje ti vetë për fëmijën tënd.
"Përplasja mes familjeve bëhet pjesë e identitetit tonë," – tha Dalina, duke theksuar se sa më e thellë kjo përplasje, aq më shumë plagë bartim me vete. Këto janë sfida që dashuria nuk i zgjidh dot gjithmonë. Kjo është arsyeja pse Dalina e përsëriti edhe një herë se “Martesa është fat”.
Por nuk është gjithmonë faji i familjes. Ka njerëz që pavarësisht traumave, rriten e tejkalojnë të kaluarën, bëhen më të mirë se paraardhësit e tyre. Megjithatë, siç tha Dalina, “fatkeqësisht, nuk ka kaq shumë heronj.”
Në një shoqëri ku analiza e figurës së nënës ende shihet si tabu, Dalina vë theksin në një të vërtetë që shumëkush nuk guxon ta thotë: nëna nuk është gjithmonë viktimë, por shpesh edhe burimi i traumës.
“Në një realitet ku është kërcënim kombëtar të analizosh familjen, ku figura e nënës mbetet e 'papërlyer', edhe kur ajo është burimi i dëmeve të parikuperueshme, është e vështirë të krijosh një mentalitet të pavarur nga ajo që ke mësuar,” tha ajo.
E për të gjithë ata që mendojnë se dashuria mjafton, Dalina solli statistikat: divorci është rritur me 50%, dhe as lidhjet me dashuri, e as mblesëritë nuk kanë garanci suksesi. Ajo këshillon që përpara se të hedhim hapin ligjor, duhet të presim derisa të na zbehet “perdja e pasionit” dhe të shohim me qartësi jo vetëm partnerin, por edhe familjen që do bëhet "bashkëaksionere" në jetën e fëmijëve tanë.
Dhe nëse nuk ia dalim dot të zgjedhim drejt? Dalina këshillon të kemi një "exit plan" – një jetë të pavarur që na pret nëse gjërat nuk funksionojnë.
“Zot ka një, dhe është vetëm atje lart – nuk ka e as mund të ketë fytyrën e asnjë fisi,” përfundoi ajo.
Episodi i plotë: