Si jetojmë

Perfeksionistë, mblidhuni! Këto këshilla mund t’ju shpëtojnë!

Shkruar nga Anabel

13 Mars 2025

Perfeksionistë, mblidhuni! Këto këshilla mund t’ju

Nëse e ke gjetur veten duke rishikuar një email 15 herë para se ta dërgosh, duke fshirë një postim në Instagram sepse nuk dukej “mjaftueshëm mirë” ose duke e stresuar veten për çdo detaj të vogël, atëherë mirësevjen në klubin e perfeksionistëve!

Perfeksionizmi mund të duket si një cilësi e admirueshme - të ndihmon të jesh i/e përkushtuar, i/e saktë dhe të arrish rezultate të shkëlqyera. Por, ka edhe anën e errët: të shteron emocionalisht, të mban peng dhe shpesh të ndalon të shijosh sukseset që arrin. Psikologët bien dakord që perfeksionizmi mund të të fusë në një cikël të pafundëm kritikash ndaj vetes, frikës nga dështimi dhe stresit të panevojshëm.

Pra, si mund ta zbusësh këtë prirje dhe të fillosh të qetësohesh pak? Ja disa strategji që mund të të ndihmojnë:

1. Kupto që perfeksionizmi nuk është mënyrë e shëndetshme për të jetuar

Nuk ka asgjë të keqe të përpiqesh të japësh më të mirën, por kërkimi i perfeksionit në çdo gjë mund të jetë i dëmshëm. Mëso të pranosh që edhe nëse diçka nuk është perfekte, prapë është e vlefshme dhe e rëndësishme.

2. Pyet veten: “A ia vlen gjithë kjo lodhje?”

Shpesh, perfeksionizmi është një mënyrë për të pasur ndjenjën e kontrollit. Herën tjetër kur ndihesh i/e fiksuar pas një detaji të vogël, pyet veten: “A do të më bëjë vërtet të lumtur nëse e bëj këtë në mënyrë perfekte?” Nëse përgjigjja është “jo”, ndoshta është koha të tërhiqesh.

3. Mos harro se perfeksionizmi mund të ndikojë negativisht tek të tjerët

Duke vënë re çdo gabim të vogël tek të tjerët ose duke refuzuar një kompliment, mund t’u japësh njerëzve përshtypjen që as ata nuk janë kurrë “mjaftueshëm të mirë”. Perfeksionizmi yt mund të ndikojë në marrëdhëniet që ke, prandaj mëso të jesh më i/e butë edhe me të tjerët.

4. Llogarit “koston” e të qenit perfekt

Nëse për të marrë një notë më të lartë në provim duhet të kalosh netë pa gjumë dhe të heqësh dorë nga të gjitha gjërat që të bëjnë të lumtur, a ia vlen vërtet? Perfeksionizmi shpesh të merr më shumë sesa të jep.

5. Vendos në fillim nevojat bazë para standardeve të tua të larta

Gjumi, ushqimi, koha për t’u çlodhur - të gjitha këto janë më të rëndësishme se lista jote e pafundme e gjërave që “duhet” të bësh. Vendos shëndetin dhe mirëqenien në plan të parë.

6. Kujtoje veten: “Unë jam mjaftueshëm”

Një nga teknikat më të mira për të luftuar perfeksionizmin është afirmimi i thjeshtë: “Unë jam mjaftueshëm, ashtu siç jam”. Kjo mund të të ndihmojë të ndalosh ciklin e kritikës ndaj vetes dhe të fillosh të vlerësosh veten më shumë.

7. Bëje dhe mbaroje - nuk ka nevojë të jetë perfekte

Në vend që të shtysh një projekt sepse nuk është “gati”, thjesht përfundoje. Perfeksionistët shpesh e vonojnë suksesin e tyre nga frika se diçka nuk është e mrekullueshme. Por, ndonjëherë, më mirë të bësh diçka “mjaftueshëm mirë” sesa të mos e bësh fare.

8. Kujtoje veten që ka gjithmonë një ditë tjetër

Nuk ka nevojë të përfundosh gjithçka sot. Lëre një detyrë për nesër, jepi vetes pak kohë për frymëmarrje dhe kupto që nuk do të ndodhë asnjë katastrofë nëse nuk e përfundon gjithçka menjëherë.

Në fund të ditës, nuk ka asgjë të keqe të përpiqesh të japësh më të mirën. Por jeta nuk është një test ku duhet të marrësh 10 çdo herë. Jepi vetes leje për të bërë gabime, për të mos qenë perfekt/e dhe mbi të gjitha, për të qenë njeri.