Nëse je këtu, ka shumë mundësi që nuk je në një lidhje këtë Shën Valentin. E kuptoj! Filmat romantikë (ose romanet erotike, për ata që preferojnë një histori më djegëse) na kanë bërë të besojmë se të gjesh “shpirtin binjak” është qëllimi final i jetës. Por surprizë: Të jesh single është fantastike dhe nuk do të thotë asgjë tjetër përveçse je një person i pavarur dhe i mrekullueshëm.
Të mos keqkuptohemi - nëse do, mund ta injorosh plotësisht këtë festë (super i vlefshëm si opsion). Por nëse vendos të festosh beqarinë, mund të dalë një ditë fantastike, madje më e bukur se të veshësh taka të sikletshme dhe të shtiresh sikur po shijon një darkë me menu të shtrenjtë e të detyruar. E di, e di… por më dëgjo!
Kur nuk je i/e lidhur, je zot(ërues) i ditës tënde. Ke mundësinë ta kalosh këtë festë sipas qejfit tënd, pa u varur nga një tjetër. Dhe nëse nuk të vjen asnjë ide, ja disa mënyra për ta shijuar Shën Valentinin si një profesionist/e i/e beqarisë:
1. Shkruaj letra për veten tënde në të ardhmen
Imagjinoje si një udhëtim në kohë! Shkruaj një letër për veten tënde kur të arrish diçka të madhe: “Për mua kur të blej shtëpinë e parë”, “Për mua kur të bëhem bos/e i/e vetes” ose “Për mua kur më në fund ta kuptoj pse njerëzit vdesin për brokolin.” Futi në një kuti dhe hap-i kur të vijë momenti.
2. Organizo një “Galentine’s Day”
Mblidhi mikeshat dhe bëni një festë ku festoni dashurinë për njëra-tjetrën. Bëni kokteje, qeshni me histori të vjetra dhe rikujtoni që lidhja më e fortë është ajo që keni me njerëzit që ju duan pa kushte.
3. Rezervo një masazh (ose krijo një spa në shtëpi)
Një seancë spa është dhurata më e bukur që mund t’i bësh vetes. Nëse nuk do të shpenzosh shumë, ndiz qirinj, vendos një maskë fytyre dhe bëj një banjë të gjatë me kripëra. Nëse je me fat dhe ke një mik/e që bën masazhe, ftoje për një shkëmbim profesional.
4. Gatuaj atë recetën që e ke ruajtur prej muajsh
E kemi të qartë që të gjithë kemi një listë me receta nga TikTok që kemi premtuar se do t’i provojmë. Tani është momenti! Në vend që të hash një pjatë me makarona si në ndonjë film, bëj diçka të shijshme e plot dashuri për veten tënde.
5. Dil në një takim me veten tënde
Rezervo një tavolinë në restorantin që ke dashur gjithmonë të provosh, vishu bukur dhe shijoje një darkë vetëm, pa pasur nevojë për të folur me dikë që as nuk e di çfarë shenje horoskopi je.
6. Shiko të gjithë filmat romantikë (ose horror)
Nëse do të ironizosh pak këtë ditë, bëj një maratonë me filmat më romantikë që ekzistojnë. Ose, nëse je me humor tjetër, hidhu te horrorët dhe shijoje faktin që të paktën nuk je duke u përqafuar nga dikush që mund të të fusë thikën pas shpine (metaforikisht… shpresojmë).
7. Bli diçka për veten tënde
Kush të njeh më mirë se vetja? Në vend që të presësh ndonjë dhuratë që mund të të zhgënjejë (si një arush pellushi i madh), shko e bli diçka që vërtet e do.
8. Kalo kohë me një mik/e që e ke lënë pas dore
Të gjithë kemi një shok a shoqe që i shkruajmë “Duhet të takohemi patjetër” dhe pastaj harrojmë. Ky është momenti të vendosësh një takim të vërtetë për të rifreskuar miqësinë.
9. Shko në një kurs të ri
Kurs gatimi, pikture, kërcimi… çfarëdo që të ketë qenë në listën tënde “një ditë do ta provoj.” Pse jo sot?
10. Bëj një pastrim gjigant (fizik dhe emocional)
Nxirre gjithë garderobën, pastro sirtarët dhe liro hapësirën e telefonit nga fotot e vjetra të dikujt që nuk ka më vend në jetën tënde. Një shtëpi e pastër = një shpirt i lehtësuar.
11. Provo diçka jashtë zonës tënde të rehatisë
Hidh një sy aktiviteteve në qytet dhe provo diçka ndryshe: karaoke ose një shëtitje natën… bëje për argëtimin tënd!
12. Krijo një tabelë me dëshira
Kush ka nevojë për një partner kur ke ëndrra të mëdha? Merr revistat e vjetra, shkul ca imazhe frymëzuese dhe krijo një plan vizual për vitin tënd të ardhshëm.
13. Organizo një seancë fotosh seksi për veten
Vishu me diçka që të bën të ndihesh WOW dhe bëj një set fotosh vetëm për kënaqësinë tënde. S’ka nevojë t’ia dërgosh askujt. Ndaj, po të duash, dil jashtë kontrollit!
14. Dëgjo muzikë që të jep fuqi
Bëj një playlist me këngë që të bëjnë të ndihesh si protagonisti/e kryesor/e i jetës tënde. Ndalo këngët depresive dhe shto vetëm ato që të japin ndjesinë e personazhit kryesor.
15. Eksploro një vend të ri
Nëse ke mundësi, dil nga qyteti ose shko diku ku nuk ke qenë kurrë. Nuk ka ndjesi më të bukur se të bësh diçka për herë të parë.
16. Ose thjesht injoroje komplet këtë ditë
Në fund të fundit, është vetëm një datë në kalendar. Fike telefonin, bëj sikur nuk ekziston dhe vazhdo ditën tënde si çdo ditë tjetër.
Ja ku e ke, një listë e pastër si zemra jote! Çfarëdo që të zgjedhësh të bësh, mbaj mend një gjë: nuk ka asgjë më të bukur se dikush që e shijon jetën e vet, me ose pa Shën Valentin.
Artikuj të sugjeruar: