
Greqi/ Të dënuarit shqiptarë nisin grevë urie

Të dënuarit shqiptarë në Greqi kanë nisur një grevë urie, pasi pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e lirimeve me kusht. Përmes një deklarate, ata kanë bërë me dije se kërkojnë që institucionet e drejtësisë në vendin fqinj të marrin masa për kërkesat e tyre, në mënyrë që të mos cenohet e drejta e trajtimit të një dënimi më të butë.
Të burgosurit pretendojnë se nuk u njihet e drejta e lirimit me kusht dhe se kjo i mban në burg në mënyrë të paligjshme. Sipas dëshmive të disa prej të burgosurve, ata për një kohë të gjatë janë në pritje të shqyrtimit të kërkesave të tyre. Mendohet se në grevë do të bashkohen rreth 16,000 të dënuar dhe të paraburgosur.
Kinë/ Shembet ura dhe shkakton viktima

11 persona kanë humbur jetën dhe mbi 30 të tjerë janë raportuar të zhdukur, pas shembjes së një ure në veriperëndim të Kinës. Ura, mbi një lumë në provincën Shaanxi u shemb, si rrjedhorjë e shirave që pushtuan zonën. Ekipet e shpëtimit gjetën automjete të rëna në lumë, ndërsa ende vijojnë përpjekjet për gjetjen e trupave.
Në vendngjarje po punojnë 736 zjarrfikës, 32 dronë dhe 18 varka shpëtimi, të cilët kanë si mision të gjejnë personat e zhdukur. Pjesa më e madhe e Kinës po vuan nga përmbytja e shirave të shumtë, të cilët kanë shkaktuar viktima dhe dëme materiale.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë thotë se Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar në Palestinë

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) është shprehur se prania e trupave izraelite në territoret e pushtuara në Palestinë është e paligjshme. GjND dënoi ndërtimin e vendbanimeve izraelite në territoret palestineze, duke urdhëruar Izraelin që të ndalojë marrjen me forcë të pjesëve që nuk i takojnë. Menjëherë pas këtij vendimi, Benjamin Netanyahu, presidenti izraelit, tha se territoret në fjalë janë pjesë historike e territorit dhe popullit hebre.
GjND, në një shënim prej 80 faqesh, vendosi në pah abuzimin e vazhdueshëm që Izraeli ka bërë kundrejt Palestinës dhe shton se kjo duhet të marrë fund sa më parë. Sipas Gjykatës, ndërtimi dhe zgjerimi i vendbnimeve të izraelitëve në territore si Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi lindor, si dhe përdorimi i burimeve natyrore në këto zona, madje edhe diskriminimi ndaj popullsisë palestineze, janë kundër ligjit ndërkombëtar.
Në fjalën e saj prej më shumë se 80 faqe, kjo gjykatë evidenton se abuzimi nga Izraeli i statusit të tij si fuqi pushtuese e bën praninë e tij në territoret e pushtuara palestineze të paligjshme, duke shtuar se duhet të marrë fund “sa më parë që të jetë e mundur”.
Erdogan, kundër krijimit të shtetit të vetëm të Qipros

Recep Tayyip Erdogan e ka bërë të qartë se është kundër krijimit të një Federate të Bashkuar Qipriote, duke thënë se zgjidhja me një federatë të vetme, nuk është e mundur në Qipro. Deklarata e tij erdhi gjatë eventit të organizuar në kujtim të 50-vjetorit të pushtimit turk, e cila hyri ushtarakisht në ishull.
Ngjarja ndodhi në vitin 1974, kur nacionalistët grekë në Qipro dhe sistemi i atëhershëm në Athinë, ranë dakord për të bashkuar Qipron dhe Greqinë. Kjo solli një grusht shteti në ishull, ku Turqia më pas ndërhyri në mënyrë ushtarake. Që prej asokohe, ishulli është i ndarë.