Nicki Minaj është paditur për sulm të agravuar fizik dhe "shkaktim të qëllimshëm të shqetësimit emocional" nga ish-menaxheri i saj i turneut.
Sipas dokumenteve gjyqësore të marra nga TMZ dhe Variety, një burrë i quajtur Brandon Garrett ngriti një padi kundër 42-vjeçares së nominuar për Grammy në Gjykatën e Lartë të Los Angelos-it të premten, më 3 janar.
Garrett pretendon se ndërsa punonte si menaxheri i saj gjatë turneut “Pink Friday 2”, ai pati një përplasje me reperen që përfundoi me qortime të ashpra të saj dhe goditje ndaj tij.
Incidenti i supozuar ndodhi në prapaskenë në Little Caesars Arena në Detroit më 21 prill 2024, pasi koncerti i Minaj kishte përfunduar, raportojnë mediat.
Avokatët e Garrett pretendojnë në ankesë se menaxheri i turneut ishte rrugës për në arenë kur shefi i sigurimit të Minaj-t, Larry Dathan, i dërgoi një mesazh, duke i kërkuar që të fliste me Minaj-n në dhomën e saj të zhveshjes.
Garrett pretendon se tetë persona nga stafi i Minaj-t ishin të pranishëm në dhomën e zhveshjes, duke përfshirë një punonjës tjetër të quajtur Luke Montgomery. Ai pretendon se Minaj filloi të ankohej për disa nga anëtarët e stafit, kur ajo e ktheu vëmendjen te Montgomery, duke e pyetur se cili ishte pozicioni i tij, sipas dokumenteve të gjykatës.
"Z. Montgomery shpjegoi se detyrat e tij përfshinin detyra si rregullimi i dhomës së zhveshjes, rregullimi i dhomës së hotelit, sigurimi i pijeve freskuese në dhomën e ndërrimit të shpejtë dhe konfigurimi i autobusit turistik dhe avionit privat," thuhej në padi. "Z. Montgomery përmendi se këto detyra ishin si shtesë e çdo kërkese nga Minaj të komunikuar nga Garrett, duke përfshirë porositë për ushqim, pije, sende personale, sende për fëmijë dhe, më së shumti, receta mjekësore."
Garrett pretendon se ai i tha Minajt se i kërkoi Montgomerit të merrte recetat sepse ishte i zënë me përgjegjësitë e turneut, duke përfshirë ndihmën e Minaj-t me ndryshimet e kostumeve gjatë koncerteve të saj.
Në ankesë, Garrett pretendon se Minaj "dukshëm u mërzit" dhe "bërtiti me zemërim" ndaj tij, duke i thënë: "A je i çmendur që i the atij të merrte recetën time? Je çmendur gjë?! Nëse burri im [Kenneth Petty] do të ishte këtu, ai do të t'i thyente dhëmbët. Ti je një njeri i vdekur. Do ecësh gjatë gjithë jetës tënde dhe nuk do të jesh kurrë askush, unë do të sigurohem për këtë."
Minaj gjithashtu dyshohet se i bërtiti Montgomery-t dhe i kërkoi atij të shikonte përmes telefonit të tij për të gjetur medikamentet e sakta që ai kishte marrë për të, raportuan mediat, duke cituar dokumentet. Garrett pretendon se Minaj më pas e ktheu vëmendjen te Garrett dhe "u afrua shumë pranë fytyrës së tij".
“Në këtë moment, [Minaj] e goditi me shuplakë [Garrett] në anën e djathtë të fytyrës së tij, duke bërë që koka e tij të lëkundet mbrapa ndërsa kapela i fluturoi nga koka”, thuhet në ankesë, për Variety. Avokatët e Garrett deklarojnë gjithashtu se ai u godit në kyçin e dorës së djathtë, duke e lënë atë “të vrarë”.
Avokatët e Garrett shkruajnë në denoncim se ish-menaxheri u mbyll në banjë për disa orë pas incidentit derisa mori një mesazh që i thoshte të mos shkonte më në pjesët e tjera të turneut.
Ish-menaxheri përfundimisht paraqiti një raport zyrtar të policisë në Detroit dhe avokatët e tij tani po kërkojnë dëmshpërblim.
Avokati i Minaj, Judd Burstein tha për TMZ në një deklaratë se ajo nuk e kishte marrë ende ankesën, por mohoi akuzat e raportuara nga media.
“Për momentin nuk i është dorëzuar asnjë ankesë [Minaj-t] dhe nuk jemi në dijeni për akuzat konkrete”, thuhet në deklaratë. "Megjithatë, nëse padia është siç raportohet nga TMZ, ajo është krejtësisht e rreme dhe joserioze. Ne kemi besim se çështja e ngritur nga ky ish-asistent do të zgjidhet me shpejtësi në favorin tonë."